Ngërçi politik në Maqedoni duhet të zgjidhet me mjete politike
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka bërë me dije se ngërçi politik në Maqedoni duhet të zgjidhet me mjete politike.
Ai ka thënë se shumica parlamentare mbetet e angazhuar që përmes mjeteve politike të gjendet një zgjidhje e drejtë dhe e pranueshme për të gjitha palët.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ahmeti ka thënë se rrugëdalja e vetme nga kriza aktuale është që presidenti Ivanov t’ia japë të drejtën për formimin e qeverisës shumicës parlamentare, përkatësisht liderit të opozitës së deritashme, Zoran Zaevit. Nëse nuk ndodh kjo atëherë, sipas Ahmetit, forcat politike duhet të merren vesh për ta thirrur një seancë parlamentare për ta zgjedhur kryetarin e ri të parlamentit, i cili pastaj duhet t’i bëjë kërkesë presidentit të shtetit dhe ta njoftojë për shumicën parlamentare.
Ahmeti ka theksuar se shqiptarët nuk do të heqin dorë nga kërkesat e tyre, që njëra ndër to është, që gjuha shqipe të bëhet gjuhë zyrtare në Maqedoni.


