Fundamenti

Monstrat që i krijuam vetë

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Imer Mushkolaj – Ata që kërcënojnë me heqje kokash dhe heqin koka i krijuam vetë – me indiferencën tonë, me pafuqinë tonë karshi fanatikëve fetarë. I krijoi shteti duke koketuar me ta, duke i lënë të lirë në ideologjinë çmendurake të tyre.

Kur menjëherë pas luftës shoqatat e prezantuara si humanitare nga vendet arabe ia nisën të mbijnë si kërpudhat pas shiut anembanë Kosovës, askush nuk i mori seriozisht. Njerëzit ishin të preokupuar me sanimin e shkatërrimeve dhe pasojave të luftës, ndërkohë që të tjerë, të cilët kishin qejf të shiteshin si pushtetarë të rinj, preokupoheshin me gjëra aspak fisnike.

Për vite me radhë, shoqatat e tilla që funksiononin nën petkun e humanizmit shpërlanë trurin e fëmijëve dhe të rinjve, të cilëve u predikonin fanatizmin fetar islamik. Të njëjtën gjë e bënin edhe një sërë hoxhallarësh nëpër xhami.

Gjithçka kamuflohej me shpërndarjen e ndihmave për qytetarët e varfër, të cilët pranonin t’u predikojë edhe dreqi, veç ta ngopnin barkun bukë. E shteti asnjëherë nuk u mor seriozisht me hetimin dhe verifikimin e mënyrave të financimit të këtyre shoqatave.

Ata fëmijë të cilët ndiqnin të ashtuquajturat kurse të këtyre shoqatave, e që më 1999 i kishin 10 vjet, tash i kanë 25. Ka nga ata që atëherë ishin thjesht fëmijë të pafajshëm, e tash janë kthyer në predikues fanatikë fetarë, ashtu si mësuesit e tyre të dikurshëm. Ata tash mbjellin urrejtje e mosdurueshmëri ndaj secilit që i takon një feje tjetër, ndaj atyre që nuk janë besimtarë “të vërtetë”. Ata tash kërcënojnë me prerje kokash – ata tash presin koka.

E, nga ata që i inspirojnë e mbështesin të tillët, me qasjen dhe deklaratat e veta, përveç nëpër xhami e organizata të ndryshme, gjenden edhe në Kuvendin e Kosovës. Me një diskurs të papranueshëm për një shtet laik si Kosova, deputetë të caktuar jo rrallë nuk kanë hezituar të shfaqen urrejtjenxitës dhe të bëjnë thirrje për demonizim të të gjithë atyre që nuk mendojnë si ata. Kështu që, kërcënuesit me prerje kokash, prerësit e kokave nuk janë aksident, por janë mbrujtur me urrejtje nga një pjesë e jona.

* * *

Ata që me gjuhën e tyre inspirojnë dhe nxisin të rinj që të ndërmarrin veprime kriminale në emër të fesë, ata që kanë nxitur dhe mbrojtur ekstremizmin islamik, tash distancohen nga veprimet monstruoze të bashkëmendimtarëve të tyre.

Ata që përditë predikojnë urrejtje ndaj atyre që i takojnë një tjetër gjinie, një tjetër feje, një tjetër race, një tjetër orientimi seksual tash provojnë të distancohen nga ajo që e kanë ushqyer vetë, nga produkti që e kanë krijuar vetë – nga pasojat, shkaktarë të të cilave kanë qenë vetë me gjuhën dhe veprimet e tyre. Të njëjtët, madje, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës shpreheshin kategorikë kundër ligjit për ndalimin e shtetasve kosovarë që luftonin jashtë territorit të vendit. Të tillët t’i quash hipokritë, nuk mjafton.

KKVITI

Në raportin vjetor të qeverisë amerikane lidhur me të drejtat dhe liritë fetare në botë, është evidentuar se në Kosovë ka një rritje të gjuhës urrejtëse. Në raport përmenden me emra imamë që me gjuhën e tyre nëpër xhami e paraqitje publike nxisin urrejtje dhe denoncojnë të gjithë ata që nuk i përkrahin agjendat e tyre. Madje, kërcënojnë edhe me heqje kokash “si të pulës”.

Pikërisht këta imamë dhe të tjerë si ta janë kritikuar nga një grusht gazetarësh e opinionistësh, duke u vënë kështu në shënjestër të sharjeve, fyerjeve dhe kërcënimeve nga më të ulëtat, që vijnë nga ata që propagandojnë një rregullim tjetër shtetëror e shoqëror, një të atillë që mund të ndëshkojë edhe me prerje gjymtyrësh dhe që mund të arsyetojë edhe heqje kokash.

* * *

Fakti që një kosovar këput koka fëmijësh është jashtëzakonisht brengosës, por brengosëse është edhe të shohësh në rrjetet sociale bashkëkombës të tij që e tumirin për veprimin që ka bërë.

Shumë shqetësuese, ndërkaq, është qasja e familjarëve të tij, reagimi i të cilëve na jep të kuptojë se e përkrahin, po ashtu, djalin e tyre në veprimin makabër që ka bërë.

Nuk ekziston asnjë arsye, asnjë justifikim, ama asnjë – as fetar, as çfarëdoqoftë tjetër që i jep dikujt të drejtë t’ia heq kokën tjetrit dhe ta shokojë botën me një akt të tillë.

Ata që kërcënojnë me heqje kokash dhe heqin koka i krijuam vetë – me indiferencën tonë, me pafuqinë tonë karshi fanatikëve fetarë. I krijoi shteti duke koketuar me ta, duke i lënë të lirë në ideologjinë çmendurake të tyre.

Është përnjëmend koha e fundit që të gjithë të reflektojmë dhe të shohim se ku na ka sjellë indiferenca jonë ndaj atyre që çdo ditë na helmojnë e dhunojnë mendjet tona, na uzurpojnë hapësirat tona, përpiqen të na diktojnë jetën tonë.

Është koha e fundit të veprohet – sa s’jemi kthyer në një popull që monstra lind e ushqen.