Osmani: Të enjten, PDK uzurpoi Kuvendin
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se rasti i së enjtes së kaluar, në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka qenë dita kur Kuvendi është uzurpuar nga PDK.
“Besoj që ka qenë një prej rasteve që do të hyjë në historinë kushtetuese të Kosovës që do të përmendet në rajon dhe më gjerë ku u uzurpua Kuvendi nga PDK”, ka thënë Vjosa Osmani nga LDK.
Me këtë, sipas saj, PDK e ka treguar edhe njëherë logjikën pushtuese.
“Kjo seancë ka shërbyer edhe si një leksion se në Kosovë është fuqia e votave ajo e cila vendos që e përcakton fuqinë politike dhe zgjedh njerëzit që do të udhëheqin me institucionet e vendit. Besoj që e kanë kuptuar të gjithë, por duhet ta kuptojë edhe PDK, që ka mbetur e vetme. Pse e qysh, le ta analizojë ajo vet”, ka thënë Osmani.
Ajo është shprehur e bindur se blloku i koalicionit do t’i vazhdojë takimet dhe do të forcohen edhe më shumë.
Osmani ka thënë se Flora Brovina ka “refuzuar” që ta vazhdojë seancën, dhe për këtë arsye, sipas Rregullore së Punës së Kuvendit, vendoset për mocion të shkarkimit të saj dhe emërohet kryesuesja e radhës më e vjetër në Kuvend.
Deputetja e LDK-së ka thënë se nuk ka pasur interesim që të shkaktohet ndonjë telashe në Kuvend me rastin e ulëseve.
“Ne natyrisht kemi thënë se do të qëndrojmë edhe në këmbë. Rëndësi ka fuqia e votës, e jo vendi ku uleni – dhe ne i kishim 83 deputetë, e jo 37 sa kishte PDK”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se të enjten në Kuvend u kuptua se askush nuk e do PDK në qeverisje.
“Është qartësuar edhe me votimet e fundit në Kuvend se PDK nuk i ka votat ndërsa ne i kemi”, ka thënë Osmani.
© KOHA.net


