Haradinaj: Boll telashe është me qenë sot kryeministër, por e di ku kam hy
Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se blloku politik e ka planin edhe në rast se PDK e dërgon vendin në zgjedhje. Por, shton se gjërat janë duke shkuar në drejtim të mbarë.
“Do të vazhdojmë këtë koncept, është një drejtim i mbarë, i vendosur. Edhe me çmimin e zgjedhjeve. Por, kemi plan për zgjedhje”, ka thënë Haradinaj në emisionin “Click” të RTV 21, duke shtuar se nuk e di nëse janë zgjedhjet ndonjë kartë fituese për PDK-në.
Haradinajt tha se komunitetet e çmojnë seriozitetin e tij për punë, se e çmojnë si njeri të fjalës.
“Jam subjekti i vetëm opozitar që isha për vende të rezervuara”, tha ai.
Haradinaj thotë se në Ballkan kanë ardhur njerëzit më shumë për hakmarrje se për të kryer punë.
“Kështu është te ne. Gjenerata me mohu gjeneratën. Nëse e kam mundësinë, do t’i kryej punët që më janë besuar. Por, e di që kur punon mirë, krijohen dy realitete: shihet puna e mirë dhe e keqe që është bërë. Kualiteti i mirë e ekspozon të keqen”, tha Haradinaj.
Ai thotë se ende nuk e di me kë do të qeveris.
“Ajo që do të ndodh është se do të interesohem për secilin, në atë se çfarë ai ose ajo përfaqëson në qeveri. Sepse, siç përshëndetemi për mirëseardhje, ka edhe lamtumirë. Nuk mund të bashkëjetojmë në qeverisje”, tha Haradinaj.
Ai thotë se është e dhimbshme që përballemi me Gjykatën Speciale.
“Kjo i është besuar Kroacisë, Bosnjës dhe Serbisë, po jo neve, të vetmëve në rajon që ne ta trajtojmë veten. Është dashur ta aftësojmë veten me kohë. Nuk është ky lajm i mirë të thuhet i bëhet keq këtij apo atij. Duhet kujdes i madh për qeverinë e ardhshme që këtë ta menaxhojë mirë, që të mos i shkaktojmë dëme vetes. Më nuk e kemi luksin të bëjmë gabime në rend dhe ligj të brendshëm, po as ligjeve ndërkombëtare”, thekson kreu i AAK-së. “Ky është detyrim që i ka dalë këtij vendim që ndërlidhet me qytetarët e vendit tanë, por ka peshë për kreditin dhe imazhin e vendit. Kjo nuk është temë partiake po nacionale. Kanë ndodhur shumë gabime deri tash. Shumë më vështirë e kanë ata që udhëheqin tash, unë në këtë rast, se na janë shpenzuar kreditët”.
Sipas tij, sot në Kosovë nuk është i lehtë posti i kryeministrit.
“Boll telashe është. Por, unë dua të marrë përgjegjësi. Është sfidë, e di ku kam hy. Nuk do të punojë as për imazh timin e as partinë time, por që t’i shërbejë këtij vendi. Do të jem transparent. Unë do të jem shërbyes”, thotë Haradinaj. /Telegrafi/


