ARKATANA

Raporti i Williamsonit publikohet më 28 korrik

/ 2 minuta lexim
Uji Dea

Clint Williamson, Kryeprokurori që po i heton dyshimet e ngritura në raportin e Dick Martyt, do t`i bëjë publike të gjeturat e hetimeve trevjeçare më 28 korrik të këtij viti.

Burime ndërkombëtare të Gazetës Express kanë thënë se raporti është i gatshëm ndërsa në javën e fundit të këtij muaji do të publikohet aktakuza ndaj atyre që dyshohen se kanë kryer krime gjatë luftës.

“Raporti do të publikohet më 28 korrik dhe kjo do të ndikojë edhe në rrjedhat politike të Kosovës”, ka thënë një burim ndërkombëtar për Express.

Williamson kishte nisur hetimet për krime të luftës të përmendura në raportin e Senatorit zviceran, Dick Marty, i cili kishte shkruar se luftëtarë të UÇK’së ishin përfshirë në trafikime me organe njerëzore dhe krime të tjera të luftës.

Uji Dea

Zyra e Prokurorit Williamson nuk ka dashur të komentojë lidhur me mundësinë që në fund të këtij muaji të publikohet raporti që pritet t’i inkriminojë në krime të luftës disa prej ish-udhëheqësve të UÇK’së.

“Hetimet janë duke vazhduar dhe ne do t’ju njoftojmë me rezultatet në kohën e duhur”, ka thënë për Express, Zëdhënësi i Task-Forcës Speciale Hetuese [SITF], Joao Sousa.

Ndryshe, në fund të qershorit të këtij viti, disa media patën raportuar se Williamson kishte përfunduar hetimet dhe se s’kishte gjetur fakte për trafikim të organeve me njerëz gjatë kohës së luftës. Por, menjëherë Zyra e Williamsonit kishte demantuar këtë lajm dhe kishte thënë se ende asgjë s’ka përfunduar.