Uji Dea

Ekip kundër krimit

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Nga Burim Ramadani – “Një ekip, një qëllim”. Ky është emëruesi i përbashkët i shumë prej qendrave të përbashkëta apo qendrave fuzionuese në nivel kombëtar (federal) dhe nivel shtetëror në SHBA.

Disa prej agjencive kryesore federale të zbatimit të ligjit janë bashkuar fizikisht me agjencitë në nivelin shtetëror, industrinë, ekspertët universitar dhe institucionet tjera publike. Punojnë non-stop, pra 24/7, në objekte të përbashkëta, me komunikim të rregullt, me përgjegjësi të ndara, me shpërndarje të informacioneve mes vete dhe me bord mbikëqyrës të posaçëm.

Që prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, në SHBA pothuajse çdo gjë ka ndryshuar. Komunikimi midis agjencive të sigurisë, zbatimit të ligjit, institucioneve tjera publike dhe industrisë ka marrë drejtim tjetër dhe bazohet në koncept tjetër.

Koncepti i ekzistimit të mekanizmave ku agjencitë e ndryshme komunikojnë rregullisht dhe në kohë reale mes vete, tashmë është kthyer në një model funksionimi. Ky ndryshim i madh kishte dalë si rekomandim nga Raporti i Komisionit të veçantë për vlerësimin e institucioneve të sigurisë dhe zbatimit të ligjit në relacion me 11 shtatorin 2001. Raporti i tillë ka ndryshuar dukshëm rrjedhat e komunikimit midis këtyre agjencive dhe institucioneve për të gjitha fushat e luftës kundër dukurive të këqija.

Në të vërtetë, 11 shtator 2001 ka ndryshuar botën dhe mënyrën e angazhimit të shteteve veç e veç dhe në aleancë. Qoftë për sigurinë e brendshme, qoftë për sigurinë e jashtme. Në mënyrën e përballjes me dukuritë e këqija.

Po Kosova? Kur do të ndryshojë në përballjen me krimin dhe korrupsionin? Si do të ndryshojë? Cili është koncepti më i mirë për angazhimin e përbashkët të institucioneve dhe agjencive për të luftuar krimin dhe korrupsionin? Çka duhet ndërmarrë në zhvillimin dhe koordinimin institucional për të siguruar suksesin në luftën ndaj të këqijave? Çka garanton ndërveprimin institucional? Çka garanton qasjen gjithëpërfshirëse për sigurinë dhe zbatimin e ligjit?

Koncepti në këtë drejtim duhet të ndryshojë menjëherë. Qeveria e ardhshme do të ndërtojë mekanizmat e rinj të komunikimit dhe ndërveprimit institucional. Mënyrën e shpërndarjes së informatave në kohë reale midis institucioneve të sigurisë dhe agjencive të zbatimit të ligjit.
Mekanizmi i parë do të mund të quhet: Qendra e Përbashkët Kundër Krimit – QPKK.

Kjo Qendër do të jetë përgjegjëse për shpërndarjen e informatave dhe analizën e tyre në kohë reale për të paktën këto fusha: 1) korrupsioni; 2) krimi i organizuar; dhe 3) krimet financiare. QPKK-ja do të ketë fokus të veçantë komunikimin me qytetarët dhe ndërmarrësit.

QPKK-ja do të ketë selinë e vet, potencialisht jashtë Prishtinës, duke mundësuar shpërndarjen e institucioneve edhe në qytete tjera.
Në këtë Qendër do të përfshihen të gjitha institucionet dhe agjencitë përgjegjëse në këto fusha, ekspertë universitar, shoqëria civile dhe grupet e interesit (Oda ekomomike, aleanca biznesi, sindikata e të ngjashme).

Fundamenti

Mandati i QPKK-së nuk është vendimmarrës, por analizues dhe informues. Pra, më shumë sesa konsultativ, por më pak se vendimmarrës.
Qëllimi i QPKK-së është ekzistimi i një mekanizmi kombëtar në nivel ekspertësh/profesionistësh nga agjencitë dhe institucionet e sigurisë dhe zbatimit të ligjit, që punojnë bashkë në baza ditore dhe kohë reale. Kjo do të mundësonte ekzistimin e analizave të përbashkëta për këto dukuri negative, bazuar në shpërndarjen e informatave midis agjencive, institucioneve dhe të interesuarve tjerë.

QPKK-ja do të mund të funksiononte nën lehtësimin e zyrës së Kryeministrit ose Ministrit të Punëve të Brendshme, ndërsa do të mbikëqyrej nga një Bord i veçantë i themeluar nga niveli i lartë politik dhe i agjencive.

Mekanizmi tjetër ka të bëjë me rreziqet dhe kërcënimet e ndryshme të sigurisë: Qendra e Analizës së Rreziqeve dhe Kërcënimeve – QARrK.
Kjo Qendër do të jetë përgjegjëse për shpërndarjen e informatave dhe analizën e tyre në kohë reale për të paktën këto fusha: 1) kërcënimet transmacionale; 2) terrorizmi; 3) krimi kibernetik; dhe 4) emergjencat.

Mandati i QARrK do të ishte analizues dhe informues midis institucioneve të sigurisë dhe të zbatimit të ligjit, në nivel profesionistësh/ekspertësh të këtyre institucioneve.

QARrK do të punojë po ashtu non stop, në kohë reale dhe do të prodhonte analizat e përbashkëta minimale të institucioneve sa i përket rreziqeve dhe kërcënimeve. Do të duhet të ketë selinë e veçantë, po ashtu potencialisht në një qytet tjetër jashtë Prishtinës.

Funksionimi i QARrK do të mund të lehtësohej njëjtë, nga Zyra e Kryeministrit ose Ministrit të Punëve të Brendshme, ndërsa do të mbikëqyrej nga një Bord i veçantë i përbërë nga niveli i lartë politik (Ekzekutiv dhe Legjislativ) dhe të tjerët të interesuar.

Produktet e të këtyre Qendrave do të lehtësojnë qasjen e përbashkët dhe gjithëpërfshirëse në luftën kundër të keqes. Mandati i institucioneve dhe agjencive ekzistuese nuk ndryshon, ndërsa veprimet operative të tyre mbeten plotësisht autonome. Të angazhuarit në këto qendra duhet të kalojnë nëpër procesin e verifikimit të sigurisë, ndërsa puna e tyre në parim është transparente dhe publike. Komunikimi me qytetarin është pjesë tejet e rëndësishme e QPKK-së dhe e QARrK-ut.

Në përgjithësi, kjo është logjikë e ndërtimit të mekanizmave të qëndrueshëm dhe fuqizimit të qasjes së përbashkët, të koordinuar dhe gjithëpërfshirëse.
“Një ekip, një qëllim”. Mësime që na ndihmojnë. Na fuqizojnë.

(Autori është Sekretar i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës – AAK. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për gazetën Tribuna)