Fehmi Beha: Në Medvegjë funksionon vetëm PVD-ja
Intervistë me zëvendëskryetarin e Kuvendit Komunal, njëherit kryetarin e degës së Partisë për Veprim Demokratik në Medvegjë, Fehmi Beha.
MePRESS: Zotëri Beha, si e vlerësoni punën dhe kontributin e këshilltarëve shqiptarë në Kuvendin Komunal të Medvegjës?
F. Beha: Në Kuvendin komunal të Medvegjës janë gjashtë këshilltarë para subjektit politik Partia për Veprim Demokratik. Propozimet e grupit të këshilltarëve të PVD-së shpeshherë votohen edhe nga opozita mirëpo organet të cilat duhet t’i zbatojnë ato e bëjnë këtë me vështirësi. Çdo vendim i Kuvendit i paraqitur nga shqiptarët dhe i miratuar nga Kuvendi duhet t’i rikujtohet organeve që ta zbatojnë ndonëse janë të detyruara që këto vendime t’i zbatojnë menjëherë. Mirëpo ato nuk janë të rastit pasiqë të gjitha vendimet e Kuvendit zvarriten kur duhet të zbatohen.
MePRESS: Cilat janë pengesat më të mëdha që ju hasni gjatë punës suaj?
F. Beha: Pengesat më të mëdha janë rreth ndarjes së mjeteve të buxhetit për çka nevojitet një dokumentacion më i madh. Pastaj, pengesa ka edhe jashtë komunës, sidomos stacioni policor i cili edhe kur të kthen përgjigje zyrtare nuk i përgjigjet pyetjeve drejtpërdrejt por e bën siç atij i konvenon. Kemi rastin e fundit ku stacioni policor ende nuk i është përgjegjur pyetjeve të Kuvendit Komunal lidhur me çështjet të cilat mundojnë popullatën shqiptare në Medvegjë.
MePRESS: Çfarë është sipas jush përfaqësimi i shqiptarëve në fushën poltike, shoqërore dhe atë të punësimit sot në Medvegjë?
F. Beha: Nuk jemi të kënaqur me përfaqësimin e shqiptarëve pasiqë përfaqësimi nuk është proporcional me numrin e banorëve sipas regjistrimit të vitit 2002. Sidomos gjatë dy viteve të fundit në skenën e punësimit nuk është arritur kurrfarë suksesi.
MePRESS: Si e vlerësoni lëvizjen e qytetarëve dhe mallrave në pikëkalimin me Kosovën duke marrë parasysh se ajo sot konsiderohet si një nga pengesat më të mëdha nga shqiptarët?
F. Beha: Ende mbetet pengesë kufiri në Mutivodë. Mund të kalohet me dokumente të Kosovës por taksat e mëdha u pamundësojnë lëvizjen qytetarëve të cilët qarkullojnë nga Kosova. Pengesa më e madhe është moslejimi i qarkullimit të mallrave madje edhe për nevoja personale. Kjo paraqet pengesë edhe më të madhe në krahasim me situatën që ka qenë para bisedimeve teknike në Bruksel për menaxhim të integruar të kufijve.
MePRESS: Nisur nga fakti se vetëm PVD ka përfaqësues në pushtetin lokal në Medvegjë, kush e ndihmon këtë subjekt në artikulimin e kërkesave të shqiptarëve?
F. Beha: Pothuajse të gjitha përpjekjet dhe rezultatet janë të degës së Partisë për Veprim Demokratik. Sa i përket Trupit Koordinues ne shqiptarët në Medvegjë nuk kemi ndonjë dobi të madhe sepse nënkryetarët e Trupit Koordinues janë kryetarët e komunave, kështu që ne në Medvegjë kryetarin nuk e kemi shqiptar.
MePRESS: Çfarë është raporti i PVD-së me subjektet tjera politike në Medvegjë sidomos tani pasiqë paralajmërohet themelimi i një subjekti të ri?
F. Beha: Sa i përket Medvegjës funksionon vetëm PVD-ja. Unioni Demokratik Shqiptar nuk ka këshilltarë në Kuvendin komunal. Në njëfarë mënyre UDSH-ja Medvegjë ka qenë pasive, nuk ka ndonjë aktivitet që do të ishte veçuar, kjo ndoshta për shkak se partia qëndrore ka marrë numër të vogël të votave në zgjedhjet lokale në Preshevë dhe Bujanoc dhe nuk ka ndonjë fuqi politike të ndikojë në politikën e Luginës së Preshevës. Nga të gjitha këto del se në Medvegjë do të themelohet një degë e një subjekti tjetër politik, sipas asaj që përflitet, është Partia Demokratike e kryetarit aktual të Bujanocit, Nagip Arifi. Së shpejti do ta kenë kuvendin themelues dhe do t’i zgjedhin organet e tyre ndaj së cilëve ne si PVD apo së paku unë si kryetar nuk kam asgjë kundër sepse të gjithë e dimë se ekziston një grup i njerëzve në Medvegjë që është i pakënaqur me gjendjen aktuale dhe si alternativë e vetme për të ndryshuar gjendjen për të cilën ata mendojnë se nuk është e volitshme mbetet themelimi i një dege të një partie nëpërmes së cilës mund të tentojnë të ndryshojnë diçka. Unë i uroj për këtë iniciativë dhe ju dëshiroj sukses sepse mendoj se Medvegja ka nevojë edhe për një subjekt politik por i përbërë nga ata që jetojnë në Medvegjë.
MePRESS: Çfarë do të jetë politika e PVD-së në të ardhmen?
F. Beha: Politika e PVD-së tani për tani mbetet e njëjtë megjithëse edhe në degën e PVD-së gjatë këtij viti kalendarik do të mbahen zgjedhjet. Është e nevojshme që edhe ne si degë të reformohemi me qëllim që para votuesve të dalim me një program tërheqës, bindës dhe realizues me qëllim që kështu të tentojmë ta shpëtojmë Medvegjën nga shpërngulja edhe e kësaj pjese të shqiptarëve që ka mbetur dhe të krijojmë kushte për kthim për ata që dëshirojnë të kthehen dhe të jetojnë në Medvegjë.
Intervista është dhënë ekskluzivisht për Agjencionin e lajmeve MePRESS (Medvegja Electronic Press).


