Surroi: Arsim Bajrami e Hajredin Kuçi bëjnë lexim partiak e të pambrojtshëm të Kushtetutës
Interpretimet që i bëjnë Arsim Bajrami dhe Hajredin Kuçi marrëveshjes LDK-AAK-Nisma. janë jashtëzakonisht larg karakterit juridiko-kushtetues, dhe jashtëzakonisht afër konceptit politik të partisë së tyre, PDK-së – konceptit të kapjes së shtetit.
Kështu shkruan Veton Surroi, duke analizuar interpretimet që po i bëjnë situatës së fundit politike dy zyrtarët e PDK-së, Bajrami dhe Kuçi.
Ata, sipas Surroit, bëjnë “lexim partiak të Kushtetutës, fare të pambrojtshëm, madje, ilustrues i të kuptuarit të nocionit të sundimit të ligjit nga ana e kësaj Partie që ishte në pushtet dhe që tashmë do të jetë e dënuar të kalojë në opozitë”.
Duke argumentuar kundër interpretimeve të Arsim Bajramit dhe Hajredin Kuçit – të cilët I quan “dy nënkryetarë që mund të kenë qenë jurist” – Surroi, në një shkrim që botohet te “Koha Ditore” të enjten, akuzon këta dy zyrtarë të PDK-së, si dhe partinë e tyre, se tashmë kanë nisur dy vija të sulmit me qëllim të pamundësimit të ardhjes në pushtet të kujtdo tjetër përveç tyre: njëra vijë e sulmit është në formë presioni ndaj Presidentes së Kosovës, dhe e dyta përmes Gjykatës Kushtetuese, ku, “shpresa e nënkryetarëve është që Gjykata ka aq afinitet ndaj PDK-së sa demonstroi njëri prej anëtarëve të saj, duke marrë pjesë në mitingun zgjedhor në Prizren”.
“Që të dy vijat e presionit janë reagime instinktive të një modeli të kapjes së shtetit, ku çdokush, në formë të nënkuptueshme, duhet të jetë në shërbim të Partisë që e konsideronte, dhe e konsideron veten pushtet”, shkruan Surroi, i cili fitoren zgjedhore që do ta dërgojë PDK-në në opozitë e krahason me fitoren e radikalëve të të Vojislav Sheshelit në Serbi, në vitet 2003 dhe 2007.
Shkrimin e plotë mund ta lexoni të enjten, në “Koha Ditore”.
©KOHA.net


