Surroi: Kosova ka nevojë për Qeveri shumicë, pa PDK-në
Publicisti Veton Surroi thotë se Kosovës i duhet një qeveri e re, që përfaqëson shumicën e elektoratit, dhe që është me orientim evropian, në të cilën nuk do të jetë e përfshirë Partia Demokratike e Kosovës.
Në një shkrim autorial që do të botohet në Koha Ditore të martën, Surroi thotë se 30 për qind e votave që ka fituar PDK me koalicionin e saj nuk përfaqësojnë shumicën, meqë shumica e elektoratit, rreth 54 për qind, ka votuar kundër kësaj qeverie, duke votuar Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lëvizjen Vetëvendosje, Aleancën për Ardhmëri të Kosovës dhe partinë e re Nisma.
“Shumica e Kosovës nuk përfaqësohet nga 200 e sa mijë votuesit e PDK-së. Dhe, nëse nuk përfaqësohet (në tërësi), atëherë, do të ishte krejtësisht jashtë logjikës që vullneti i shumicës së qytetarëve të Kosovës t’i nënshtrohet vullnetit të pakicës. Kësaj, në asnjë variant nuk i thonë demokraci”, shkruan Surroi, transmeton Koha.net.
Sipas tij, “katër partitë politike nga blloku opozitar që përbëjnë shumicën e elektoratit kosovar, të atij që është për çlirim të shtetit nga zaptimi duhet të marrë përgjegjësinë për votën e marrë”.
“Në ditën e zgjedhjeve, gati 30 për qind e votuesve e shpërbleu PDK-në dhe koalicionin e saj për kapje të shtetit. Në ditën e zgjedhjeve 54 për qind të votuesve shpërblyen premtimin e LDK-së, VV-së, AAK-së dhe Nismës se do të angazhohen për çlirimin e shtetit nga zaptuesit”, shkruan Surroi.
Ai, më tej, sugjeron krijimin e një qeverie të koalicionit LDK-VV-AAK-Nisma, baza programore e së cilës do të ishte orientimi pro-evropian.
“Nëse emri e determinon mandatin, pra nëse themelohet, natyrshëm, një koalicion evropian për çlirimin e shtetit nga zaptimi që i bën PDK, atëherë vetvetiu kemi bazat e programit qeverisës”, shkruan Surroi.
Më tepër, lexoni në “Koha Ditore”, në numrin e së martës.
© KOHA.net


