FIDANISHTJA

Dita e Çlirimit

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Imer Mushkolaj – Më 8 qershor duhet votuar për çlirimin e shtetit nga krimi e korrupsioni, për çlirimin e drejtësisë nga ligji i komandantëve, për çlirimin nga prepotenca, papërgjegjësia dhe arroganca, për çlirimin e mendjes nga frika. Më 8 qershor duhet votuar për kthimin e shpresës.

Qershori shënohet si muaj i çlirimit në Kosovë. Qytetet radhë-radhë sivjet shënojnë 15 vjetorin e përfundimit të luftës dhe çlirimit nga regjimi serb. Por, një tjetër çlirim është i nevojshëm të ndodhë pas shtatë vjetësh të qeverisjes së këtij vendi nga Partia Demokratike e Hashim Thaçit.

Më 8 qershor qytetarët duhet të votojnë për çlirimin e shtetit nga kapja mafioze-politike. Sepse ata e kanë shndërruar shtetin në pronë private.

Më 8 qershor duhet votuar për çlirimin e ekonomisë dhe të bizneseve nga mitoja e haraçi. Sepse ata i duan milionat për vete, e jo për zhvillimin ekonomik.

Më 8 qershor duhet votuar për çlirimin e arsimit nga politika dhe partizanët partiakë gjysmanalfabetë. Sepse ata kanë kapur shkolla e universitete dhe i kanë kthyer në kurse të dobëta partie.

Më 8 qershor duhet votuar për çlirimin e shëndetësisë nga shërbimet e mjera dhe korrupsioni. Sepse ata nuk e kanë dert pse njerëzit vdesin në mungesë ilaçesh e përkujdesjeje.

Më 8 qershor duhet votuar për çlirimin e drejtësisë nga ligji i komandantëve, ligji i të fortëve. Sepse ata janë mbi ligjin dhe nuk njohin as rend, as ligj.

Më 8 qershor duhet votuar për çlirimin e qytetarëve të varfër nga skamja e mjerimi. Sepse ata e kanë shitur gjithë pasurinë publike dhe i kanë lënë njerëzit në rrugë.

Më 8 qershor duhet votuar për çlirimin nga nepotizmi, akraballëku e familjarizmi në institucione e administratë. Sepse ata i kanë shndërruar institucionet në vende përfitimesh e privilegjesh, e jo në vende pune e përgjegjësie.

Më 8 qershor duhet votuar për çlirimin e të rinjve nga papunësia e hallkat e izolimit. Sepse ata e kanë bërë punën që secili i ri të mendojë se si ta braktis vendin, e jo si ta ndërtojë të ardhmen këtu.

Më 8 qershor duhet votuar për çlirimin e mendjes nga frika. Sepse ata kanë ditur ta përdorin frikësimin e shantazhin për t’ua mbyllur njerëzve gojën.

Më 8 qershor duhet votuar për çlirimin e fjalës së lirë, pa pasur frikë se tipat e partisë do të shajnë, të shpifin e linçojnë nëse s’iu shkon përshtati. Sepse ata e kanë dëshmuar se nuk përtojnë të bëjnë edhe të tilla marrëzi.

Më 8 qershor duhet votuar për çlirimin nga prepotenca, papërgjegjësia dhe arroganca e njerëzve të pushtetit. Sepse ata para se të jenë në shërbimin e qytetarëve, për mision kanë vështirësimin e jetës së tyre.

Hidromorava

Më 8 qershor duhet votuar për çlirimin nga krimi i organizuar dhe nga pengu i vrasjeve të pasluftës. Sepse ata nuk kanë bërë asgjë që krimet të zbardhen, ndërkohë që njerëz të tyre kanë treguar haptas se kishin vrarë për interesa partiake.

* * *

Rrallëkush do ta besonte më 1999 se 15 vjet më pas vendi do të vinte në një situatë të tillë.

Ata që thoshin se e sollën lirinë, bënë e çfarë nuk bënë në emër të lirisë. Plaçkitën, uzurpuan, u pasuruan.

Ata që po thonë se e sollën pavarësinë, e shkërdhyen dhe e shkelën këtë vend në emër të pavarësisë.

Ata që na premtuan jetë më të mirë, i gënjyen dhe luajtën me ndjenjat e njerëzve të varfër e të shkallmuar hallesh e problemesh.

Ata që po na premtojnë tash se do të na përmirësojnë jetën, nuk e kanë hiç dert të na gënjejnë e mashtrojnë prapë. Sepse rrena, mashtrimi e dyfytyrësia janë “vlera” të tyre tash sa vjet.

Andaj, ndëshkimi me votë është mundësia e secilit prej nesh që t’iu kundërvihemi. Vota e lirë dhe e drejtë do të bëjë që ata të mos munden më të rrinë në pushtet.

* * *

Qershori shënohet si muaj i çlirimit në Kosovë dhe 8 qershori duhet ta shënojë ditën e çlirimit të madh. Për të gjitha ato që nuk janë bërë e ato që janë bërë keq, përgjegjësit duhet ndëshkuar. Sigurisht, pa nënvlerësuar edhe ndonjë punë të mirë që mund të jetë kryer, ndërkohë që të këqijat na kanë ngulfatur e marrë frymën.

Dhe, nëse edhe tash nuk gjenden argumente për t’i ndëshkuar ata që na bëjnë të na vijë turp nga imazhi i shtetit tonë, atëherë s’e besoj se do të gjejmë ndonjëherë më shumë.

Ne kosovarët në sytë e botës jemi të korruptuar, të kriminalizuar, të izoluar. Jo për fajtin tonë, por për fajin e atyre që në fillim ua dhamë besimin për të na udhëhequr, e më pas keqpërdorën vullnetin tonë duke na i vjedhur edhe votat, duke na vjedhur edhe pasurinë, duke na vjedhur edhe të ardhmen, duke na vjedhur edhe shpresën.

Nëse për asgjë tjetër, më 8 qershor duhet votuar për kthimin e shpresës. Sepse kur humb shpresa, fundi është afër.