UBT

Diaspora në programet e partive politike

/ 4 minuta lexim
FIDANISHTJA

Partitë kryesore politike në Kosovë në programet e tyre i kanë kushtuar rëndësi marrëdhënieve të veta me diasporën. Një gjë që përshkruan të gjitha programet e para nga albinfo.ch është se partitë politike, së paku në programet e tyre, e shohin diasporën edhe si burim të dijes (PDK, LVV, AAK). Të gjitha përmendin edhe nevojën dhe programe për tërheqje të dijes së diasporës në Kosovë.

Gati në secilin program pjesa më e madhe e hapësirës i është dedikuar rëndësisë së diasporës, tash edhe rëndësisë së saj historike. Duket se programhartuesit kanë kërkuar ku janë fjalët më të mira për të përshkruar atë çfarë ofrohet.

Më poshtë do të japim në pika të shkurtra se çka ofrohet konkretisht nga katër partitë kryesore politike.

PDK

PDK në programin e vet shkruan më shumë për caqe dhe qëllime se çka do të bëhet, sesa për masat konkrete. PDK në program përmend kthimin e trurit, pra tërheqjen e profesionistëve në Kosovë, duke e përmbledhur si “bashkëpunim i shkencëtarëve nga diaspora me ata vendës”.

Sa i përket investimeve të diasporës në Kosovë, PDK përmend shpërndarjen e informatave për tregti dhe industri.

Në rrafshin ekonomik PDK gjithashtu trajton diasporën si treg potencial për prodhime kosovare dhe oferta turistike në Kosovë, të cilin e quan “turizëm patriotik”.

Fjalia më specifike në program që ka të bëjë me investimet e diasporës thotë: “…Ne do të ofrojmë mundësi që investimet e diasporës të kenë mundësi të zhvillohen edhe më tepër dhe, në të njëjtën kohë të krijojmë lehtësa për tërheqjen e investimeve të reja”.

Sa i përket pjesëmarrjes politike, edhe PDK-ja premton krijimin e mundësisë së votimit në misionet diplomatike dhe konsullore.

PDK gjithashtu ka paraparë hapjen e Qendrave Kulturore në bashkëpunim me Republikën e Shqipërisë, duke theksuar se një e tillë është hapur në Turqi.

LDK

FIDANISHTJA

LDK në programin e vet të siguruar nga albinfo.ch, nëpërmes kolegëve gazetarë, ka një deklaratë politike për diasporën, në të cilën thotë se do të punohet në ruajtjen e identitetit. Ndërsa brenda programit diaspora përmendet në dy pika. Në kuadër të investimeve të jashtme thuhet se LDK-ja do të do të nxitë sidomos investimet nga diaspora shqiptare. Dhe, në kuadër të sistemit financiar LDK parasheh “incentiva tatimore për mobilizim të kursimeve nga diaspora”.

LVV

Lëvizja Vetëvendosje flet për angazhimin e profesionistëve të mërgatës në Kosovë. Këtë do ta bëjë duke “siguruar ekzistencën për profesionistët nga mërgata”, duke mos dhënë më shumë detaje se si do të bëhet kjo. Në program në këtë drejtim përfshihet edhe ofrimi i praktikave në Kosovë për studentët e mërgatës që dëshirojnë ta bëjnë këtë.

LVV parasheh një zyrë të veçantë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë që do të merret me investitorët nga mërgata dhe lehtësimet që do të mund të bëheshin.

Sa i përket pjesës politike, LVV parasheh mundësinë që mërgata të mund të votojë në zyra të ambasadave dhe të ketë një përfaqësues të diasporës në Parlamentin e Kosovës, mirëpo nuk tregon se si do të realizohej kjo dhe kush do të jetë personi. LVV parasheh edhe mosekstradim të qytetarëve të Kosovës në vende të tjera, edhe nëse krimi i dyshuar nuk është bërë në Kosovë, si dhe një rol të shtetit të Kosovës në integrimin e mërgatës në vendet ku ata jetojnë.

AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës sa i përket masave direkte parasheh ndërtimin e zonave industriale enkas për investitorë nga diaspora, të cilat do të jepen falas dhe biznesi do të lirohet nga tatimi në fitim për tre vjetët e parë. Sa i përket arsimit AAK parasheh libra dhe mësimdhënës nga Kosova për fëmijët e diasporës.

Sa i përket tërheqjes së dijenisë nga diaspora në Kosovë AAK parasheh kushte pune për profesionistët e diasporës, të cilët zgjedhin të vijnë të punojnë në Kosovë.

Sa i përket çështjeve administrative AAK parasheh pajisjen me dokumente personale në ndërtesa të konzullatave dhe ambasadave.

albinfo.ch