Hidromorava

SHBA e Britania në KS mbështetën formimin e FAK-ut

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

New York – Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga duket sikur e befasoi homologun e saj serb, Tomisllav Nikoliq, të cilit, pas përfundimit të debatit, dje në Këshillin e Sigurimit,ia shtriu dorën. Ai po ashtu shtrëngoi dorën me Jahjagën, por fytyra e tij tregonte qartë hutimin.

Debatin e djeshëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së reth raportit tremujor për Kosovën të sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki moon, e dominoi çështja e shndërrimit të Forcës së Sigurisë të Kosovës në Forca të Armatosura të Kosovës.

Ndërsa përfaqësues vendesh që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës e kontestuan këtë të drejtë dhe synim të autoriteteve të vendit tonë, përfaqësuesit e ShBA, të Britanisë dhe të vendeve të tjera mike e arsyetuan krijimin e FAK-ut.

Të gjithë pjesëmarrësit në debat vlerësuan dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit dhe mbështeten krijimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. U diskutua edhe pjesëmarrja e kosovarëve në konfliktet në Siri dhe Irak.

Presidenti serb, Tomisllav Nikoliq shfaqi pakënaqësinë rreth formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës që sipas tij ishte një veprim që rrënonte dialogun, shkelte rezolutën 1244 dhe kërcënonte stabilitetin e Serbisë dhe rajonit. Ai u mbështet nga ambasadori i Rusisë, Vitalij Churkin duke e quajtur krijimin e Forcave të Armatosura kundër produktive.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se krijimi Forcave të Armatosura të Kosovës, do të jetë një mjet i kontributit për sigurinë kolektive të rajonit dhe shtoi se institucionet e Kosovës në këtë proces kanë vepruar në partneritet me komunitetin ndërkombëtar dhe NATO-në.
Edhe ambasadorja e Australisë, Philippa King tha se vendi i saj njihte të drejtën e Kosovës të formojë forcën e saj duke rekomanduar zhvillimin e tyre me një transparencë të plotë.

Ambasadorja amerikane Rosemary DiCarlo tha se plani për të ndërtuar një forcë të mbrojtjes me kapacitet të kufizuar është ndërtuar për forcën ekzistuese shumë-etnike.
Shtetet e Bashkuara tha se e kanë njoftuar Serbinë në këtë çështje, ndërsa edhe Kosova ka informuar partnerët e saj rajonalë.

“Me angazhimin e NATO-s, ne mund të ndërtojmë besimin në mes të dy palëve”, tha DiCarlo, duke përshëndetur garancitë nga Kosova të dhëna NATO-së se një forcë e tillë nuk do të ndërmerrte ndonjë mision në veri pa një marrëveshje paraprake me KFOR-in.

UBT

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në OKB, Michael Tatham tha në seancën e posaçme në Këshillin e Sigurimit, në New York, se Kosovën tashmë e ka njohur më shumë se gjysma e vendeve të OKB-së dhe se është koha që ta njohin edhe të tjerat.“Mbretëria e Bashkuar e përshëndet përparimin e Kosovës si brenda ashtu edhe jashtë vendit”, thuhet veç të tjerash në deklaratën e ambasadorit. “Ne e përshëndesim faktin që tashmë Kosovën e kanë njohur më shumë se gjysma e vendeve të OKB-së dhe u japim zemër që ta bëjnë këtë edhe ato vende që nuk e kanë njohur”.

Ambasadori Tatham vuri në dukje se përpara shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës, u kryen dy hapa të rëndësishëm në drejtim të përforcimit të marrëdhënies së Kosovës me Bashkimin Europian. Ai përshëndeti ratifikimin e Shkëmbimit të Letrave për zgjatjen e mandatit të EULEX-it për dy vjet dhe nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim dhe Associjim (SAA) me BE-në.

Ai përshëndeti edhe vendimin për pranimin e Gjykatës së Posaçme si një shembiull e gatishmërisë së Kosovës për t’u përballur me çështjet më të vështira të pushtetit të ligjit.

Ambasadori britanik hodhi poshtë protestat serbe për krijimin e ushtrisë së Kosovës, si diçka që është në kundërshtim me rezolutën 1244.

“As Forca e Sigurisë së Kosovës dhe as Forcat e Armatosura të Kosovës nuk përmenden apo ndalohen në Rezolutën 1244”, tha ai. “Rezoluta 1244 përmend në mënyrë specifike ‘grupe të armatosura shqiptare të Kosovës’. Mirëpo, KSF nuk është një prej tyre, sepse ka natyrë shumetnike”.

Në fund, ambasadori këshilloi që këto seanca në Këshillin e Sigurimit të rrallohen. “Duke pasur parasysh sfondin e përgjithshëm pozitiv të situatës, sipas pikëpamjes sonë, ky do të ishte hapi i duhur”.

Ambasadori Britanik sërish kërkoi që në dritë të zhvillimeve pozitive të rrallohen mbledhjet për Kosovën, propozim që e mbështeti edhe Lituania./koha/