Dëbohet nga Zvicra Lura Berisha, i refuzohet bashkimi familjar
F. Berisha, 47-vjeçar, me qëndrim në Winterthur të Zvicrës, ka bërë kërkesë për bashkim familjar, gjegjësisht për ta sjellë fëmijën e katërt dhe të fundit, vajzën 16-vjeçare në Zvicër. Por, autoritetet e vendit e kanë hedhur poshtë këtë kërkesë të kosovarit.
Vendimin e ka vërtetuar tash edhe Gjykata Federale e Zvicrës. Berisha thotë për albinfo.ch se do të ankohet në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg. „Rasti i Luras do të duhej të trajtohet si rast humanitar, e jo të ndahet fëmija 14 vjeçe nga familja”, tha babai i Lurës. Lura me vendim të Gjykatës Federale të 21 shkurtit është detyruar ta braktisë Zvicrën më 31 mars.
Ndërsa Lura po kalon ditë të vështira në Kosovë, ngase përveç që është ndarë nga familja, ajo ka lënë edhe shokët e klasës në Winterthur.
Lura tha për albinfo.ch se është tejet e dëshpëruar që është detyruar ta braktisë Zvicrën, ngase atje ka lënë familjen, ndërsa në Kosovë duhet të jetojë e vetme.
“Mendoj të mos jetë e drejtë, ngase në Zvicër kam qenë e integruar mirë dhe shkolla më ka shkuar mirë. Nuk ndodh askund në botë që një e re si unë të jetojë vetëm. Jam tepër e pikëlluar që duhet në Kosovë të filloj nga zeroja. Këtu nuk kam gjetur përkrahjen e askujt. Duhet që të gjitha t’i bëj vetë dhe për mua është shumë”, tha Lura.
Shpresat nuk janë shuar. Ajo thotë se një ditë sërish do të kthehet e t’i bashkohet familjes në Zvicër.
Ajo kishte treguar rezultate të shkëlqyeshme për 2 vjet sa kishte jetuar në Zvicër me familjen dhe kishte fituar të drejtën për të vazhduar shkollimin në gjimnaz.
Albinfo.ch ka provuar të kontaktojë edhe me mësuesen e Lura Berishës, por ajo ka thënë se nuk i lejohet të flasë për rastin.
Edhe Granitit, vëllain me të cilin ishte rritur Lura në Gjilan të Kosovës, i ishte refuzuar në fillim qëndrimi në Zvicër, por pas ankesës së bërë atij i lejohet bashkimi me familjen, por këtë fat nuk e kishte gëzuar edhe Lura.
Lura kishte migruar në Zvicër për t’iu bashkuar familjes në shtator 2012. Babai i saj thotë se kishte për qëllim t’i merrte dy nga dy fëmijët nga Kosova për shkak adaptimit më të mirë të tyre.
Havë Shala me përvojën e saj shumëvjeçare si këshilltare në Winterthur është prekur me rastin e dëbimit të Lura Berishës në Kosovë. Shala ka shprehur gatishmërinë që vullnetarisht të bëjë një ankesë në Gjykatën për të Drejtat e Njeriut në Strasburg.
„Rasti i Lura Berishës na ka shqetësuar dhe troditur të gjithëve në Winterthur. Vajza nuk ka arritur të përfundojë për tre muaj shkollimin e filluar“, tha Havë Shala, duke e cilësuar vendimin si absurd për gjyqësinë zvicerane.
Shala tha se është bërë cenimi i të drejtave të fëmijëve dhe të drejtave njerëzore, ngase justifikimi i mospërmbushjes së afatit kohor të qëndrimit cenon të drejtën e fëmijës për arsimim dhe për përkujdesje prindore. Lurës, duke u dëbuar nga Zvicra, i cenohet si e drejta e arsimimit, ashtu edhe e drejta e përkujdesjes prindore, do me thënë, dy të drejta themelore njerëzore të sanksionuara me kartën e OKB-së mbi të drejtat e fëmijëve.
Gjykata në fjalë, më e larta në sistemin gjyqësor zviceran, i ka refuzuar F. Berishës që ta sjellë vajzën 14-vjeçare në Zvicër me arsyetimin se bëhet fjalë për mospërmbushje të afateve kohore.
14-vjeçarja para se të vinte në Zvicër kishte jetuar në familjen e axhit të saj, por ky i fundit kishte deklaruar se nuk është në gjendje të mirë ekonomike të përkujdeset edhe për Lurën.
Sipas vendimit të Gjykatës Federale, kërkesa e Berishës për lejen e qëndrimit të vajzës së tij është bërë duke mos respektuar afatin që e kërkon ligji. Me ligj, vetëm fëmijët deri në moshën 12-vjeçare mund të sillen në Zvicër për bashkim familjar pa u kërkuar kushte plotësuese. Ndërsa për sjelljen në Zvicër të fëmijëve mbi këtë moshë, kantoni përkatës mund të kërkojë plotësimin e një sërë kushtesh. Babai i Lurës e ka lëshuar afatin kur vajza i ka mbushur 12 vjet. Ndërsa te rastet kur fëmija është afër moshës së punës (sikur në rastin e Lurës, që së shpejti i mbush 17 vjet), sipas Gjykatës Federale kërkimi për bashkim me familjen mund të ketë elemente abuzive.
Arsyetim tjetër që kjo gjykatë ka sjellë kundër bashkimit familjar të Lurës është se dëshmitë e xhaxhait të saj se nuk mundet ose nuk do më që të kujdeset për vajzën, ashtu si dhe dëshmitë e psikiatrit, kanë ardhur tepër vonë.
Ato janë sjellë vetëm pas vendimit të Gjykatës administrative që nënkuptohet se janë sjellë për t`iu përshtatur situatës së krijuar pas atij vendimi.
Pastaj, sipas Gjykatës Federale, ka mbetur e paqartë përse e ëma, e cila është kujdesur për Lurën deri në vitin 2009, nuk mund të kujdeset edhe më tej për të, etj.
Gjykata Federale në vendimin e saj më tej shkruan se ajo ndërhyn vetëm në rastet kur shkelja e një të drejte është bërë në mënyrë të padyshimtë, dhe jo në rastet kur ka dy qëndrime që vetëm kontestojnë njëri-tjetrin, por pa shkelje të qartë të një të drejte. Një situatë e tillë, sipas gjykatës, është edhe në rastin e Lurës.
Gjykata Federale në vendimin e saj është mbështetur në një vendim të marrë nga Enti për Migracion i Kantonit Zürich dhe nga Gjykata Administrative e kantonit Zürich në vitin 2012, respektivisht 2013./albinfo.ch./Sevdail Tahiri


