ARKATANA

Shqiptarët e Ukrainës – Gem yni i këputur

/ 16 minuta lexim
FIDANISHTJA

Migrimi i shqiptarëve nga trojet etnike është proces i gjatë dhe i shoqëruar me shumë probleme të ndërlikuara. Kur bëhet fjalë për migrimet e shqiptarëve, kryesisht, mendohet në kolonitë shqiptare në vendet e ndryshme evropiane, duke lënë anash drejtimin e migrimit të tyre në lindje, respektivisht në Bullgari, Ukrainë e Rusi. Kësaj problematike i janë kushtuar shumë punime shkencore të studiuesve të huaj, ndërsa nga studiuesit shqiptarë këtë çështje e ka lëvruar vetëm S. Ismaili i cili është përqendruar në veçoritë gjuhësore të shqiptarëve të këtyre trojeve.

Në bazë të materialeve ruse

Në këta pak rreshta ne do të sublimojmë disa të dhëna statistikore dhe asosh të historiografëve të ndryshëm, në bazë të materialeve që kemi pasur mundësi t’i hulumtojmë gjatë një qëndrimi punues në bibliotekën shtetërore të Moskës. Natyrisht, ky punim nuk ka për qëllim të pretendojë të përgjigjet në të gjitha pyetjet lidhur me këtë problematikë, mirëpo shpresojmë se do të ofrojë material interesant për studimet shqiptare në këtë fushë, kurse lexuesve do t’u mundësojë të informohen edhe për këtë koloni.

Në Ukrainë shqiptarët migruan nga Bullgaria

Në territorin e sotëm të Ukrainës ndodhen katër fshatra të banuara me shqiptarë, që kanë ardhur nga Bullgaria, e ata janë: Karakurt, në rrethin e Odesës, pastaj Devnevskoje, Georgijevka dhe Hamovka, në rrethin të Zaporozhjes.

Migrimi i shqiptarëve në Rusi e Ukrainë është zhvilluar fillim të shekullit XIX. Në këtë kohë, me qëllim të banimit të viseve stepike të Buzhakut, pushteti carist ofroi tokë të punës pa pagesë për të gjithë ata që dëshironin të vendoseshin atje. Pas kësaj nga Bullgaria arriti një vargan i banorëve “tejdanubianë”, në mesin e cilëve kishte edhe shqiptarë. Në dekretin e carit Aleksandër I (26.12.1819), bashkë me bullgarët përmenden edhe grekët, turqit, dhe “arnautët”, gjegjësisht banorët me prejardhje shqiptare (Klaus, 1869: 310).

Shkaqet e largimit të këtyre banorëve nga trojet e tyre ishin luftërat ruso-turke (1806-1812), plaçkitjet e terrorizimi i popullatës vendëse nga ana e ushtrisë pas dëbimit të rusëve etj. (Marinov, 1960: 606). Në favor të procesit të migrimit në Besarabi ishte edhe fakti që, sipas marrëveshjes paqësore të Bukureshtit, ky territor midis lumenjve Prut dhe Dnjestër i takuan Rusisë dhe se aty u themelua guverna e Besarabisë. Tatarët vendës të pjesës jugore të Besarabisë, duke ikur nga ndikimi i elementit rus, kaluan tërësisht në anën tjetër të Danubit. Ky territor atëbotë ishte vetëm “stepë e gjerë me vendbanime tejet të rralla” (Klaus, 1869: 304).

Pavarësisht lehtësimeve që ofroheshin nga cari, pozita e kolonëve “tejdanubianë” ishte tejet e vështirë, “ngase lehtësimet e parapara ekzistonin vetëm në letër, si pasojë e gjendjes kaotike në organet e pushtetit, pastaj sjelljes despotike dhe shpërdorimit nga ana e organeve administrative dhe atyre juridike” (Klaus, 1869: 306). Kësaj duhet shtuar edhe periudhën e thatësisë disavjeçare e cila e kishte përfshirë këtë rajon, epideminë e murtajës dhe sistemin feudal i cili kanosej t’i shndërronte në vasalë (Kabuzani 1974: 29). Këto rrethana sollën zhgënjim, dhe disa edhe kthehen në trojet nga kishin ardhur.

Pozita e emigrantëve “tejdanubianë” ndryshon vetëm me formimin e Komisariatit për Besarabi dhe sidomos me ardhjen e gjeneral-lejtnat I.N. Inzovit si komisar fuqiplotë për vendosjen e emigrantëve të Besarabisë. Nga kjo kohë filloi të shtohet numri i vendbanimeve të reja të kolonëve nga Bullgaria. Në vitin 1820 ekzistonin 44 vendbanime të tilla, në mesin e cilëve, sipas kronikave të kohës, kishte edhe “arnautë”.

Degdisjet në Besarabi e Moldavi

Në Besarabi, bashkë me bullgarë migruan edhe shqiptarët që kishin jetuar “në mesin e 300 familjeve të fshatit Devna, në afërsi të qytetit bregdetar bullgar Varna” (Köppen, 1861: 1). Studiuesi ukrainas A. Skalkovski është i mendimit se fillimin e këtij migrimi duhet kërkuar në periudhën midis viteve 1808 – 1811 (Skalkovski, 1848: 65).

Ndërsa studiuesi bullgar D. Jaranov, si fillim të migrimit dhe të vendosjes në këto troje përmend vitin 1812, kur së bashku me banorët e njëmbëdhjetë fshatrave të rrethit të Varnës, në Besarabi shpërngulen edhe shqiptarët e fshatit Devna, si dhe banorët shqiptarë të fshatit Eskiarnautllar të rrethit të Provadit (Jaranov, 1932: 65).

Sipas njohurive tona, në Bullgari ka disa vendbanime të shqiptarëve, gjegjësisht ku është evident elementi shqiptar. Ky migrim ka qenë si pasojë e tërheqjes së ushtrisë ruse nga disa pjesë të Shqipërisë e mesme e juglindore dhe Maqedonisë perëndimore në drejtim të pjesës qendrore dhe lindore të siujdhesës ballkanike.

Në bazë të dhënave të studiueses I. Sharapova, në juglindje të Bullgarisë kemi një njësi kompakte fshatrash të banuara me shqiptarë, e ata janë: Mandrica (650 shtëpi),1 Sulltangoj (Sulltangoj, 300 shtëpi), Qyteza (400 shtëpi), Alltëntash (150 shtëpi), Pazardere (150 shtëpi), Azardere (150 shtëpi), Zallëf (450 shtëpi), Aballar (150 shtëpi) dhe Karaxhakli (80 shtëpie).

Vendbanime të banuara me shqiptarë ka pasur edhe në fshatin Devna (Devino) edhe “fshati shqiptar i banuar me shqiptarë krishterë” Eskiarnautllar (K. Jireçek), Arnautllar, të rrethit të Varnës. Ndërsa studiuesi serb I. Miletiq flet për vendbanimin Arnautkoj (Bejarnaut) në rrethin e Razgradit. Sipas P. Gjorgjeviq, edhe në rrethinën e Tërnovës kishte vendbanime shqiptare. Kjo gjë mund të vërtetohet me faktin se në fshatin Arbanasi edhe sot është ruajtur modeli i ndërtimit të shtëpive.

Sipas të dhënave relevante, pikënisja e këtyre migrimeve ishte qyteti Elbasan, krahina e Mokrës (Shqipëria e mesme) dhe qyteti i Korçës, krahina e Oparit, Kolonja e Devolli (Shqipëria juglindore).

Në fillim ardhacakët u vendosën në fshatin Çumaj, në bregun e liqenit Jalpug (Köppen, 1861: 1). Më pas (1811), duke kërkuar vend më të përshtatshëm për jetesë, kolonët shqiptarë vendosen në bregun e majtë të liqenit, në afërsi të lumit Sarlik dhe themelojnë një vendbanim të përhershëm të cilin e emërtuan Karakurt. Në periudhën sovjetike fshati është shndërruar në Zhovtnjovoje , kurse popullata e tij i ishte ekspozuar një “sovjetizimi” global, duke humbur ngadalë veçoritë etnike autoktone.

Një numër i vogël shqiptarësh ishin vendosur në vendbanimin Tabak, i cili prej vitit 1819 quhet Bollgrad, si dhe në disa vendbanime të tjera të rajoneve fqinje, në Buxhakun e epërm dhe rajonin e Kagulo-Prutit, mirëpo numri i tyre është shumë i vogël për të mundur të ruajë karakteristikat etnike, kështu që mjaft shpejt u asimiluan (Klaus, 1868-89: 315; Köppen, 1854: 113-115).

Bazuar në materialet më të hershme dhe nga informacionet e vetë banorëve më të vjetër, studiuesi rus N. Derzhavin, përmend numrin prej 300 familjesh të vendosura në fillim, mirëpo kjo duhet pranuar me rezervë, ngase dëshmitë e banorëve të fshatit përmendin faktin se në fillim në këtë vendbanim ishin vendosur vetëm 20 familje, për çka dëshmon edhe studiuesja Kotova (L. Kotova 1956: 255).

Sipas të dhënave statistikore, të paraqitura nga studiuesi gjerman Köppen, i cili e kishte vizituar këtë fshat në vitin 1850, në Karakurt jetonin gjithsej 109 familje “arnautësh”, me 1060 individë të dy gjinive. Sipas po këtij burimi, në fshat jetonin edhe bullgarë (118 banorë) dhe mallorusë (13 frymë). Studiuesi gjerman në formë të argumentuar flet se në tërë territorin e Besarabisë jetonin 154 familje shqiptare me gjithsej 1328 frymë (Köppen, 1861: 2).

Krahasimi i shënimeve statistikore të vitit 1826 në të cilat bëhet fjalë për numrin prej 590 shqiptarëve (Klaus 1869: 320) dhe shënimeve të vitit 1850, në të cilat Köppeni deklarohet për numrin prej 1328 banorësh, dëshmon për shtimin e konsiderueshëm të numrit të popullatës shqiptare, pavarësisht vështirësive për jetesë dhe tragjedive natyrore, siç ishte thatësia që kishte përfshirë këtë krahinë për disa vjet me radhë duke shkaktuar pakësimin e dukshëm të numrit të bagëtive, ose katastrofat tjera siç ishin epidemitë e ndryshme që zgjasin prej vitit 1832 deri më 1835 (Klaus, 1868: 321).

UBT

Ky shtim i numrit të banorëve të fshatit Karakurt nuk mund të llogaritet si rezultat i stabilizimit të shqiptarëve në vendbanimin e ri, porse duhet marrë si pasojë e valës së re të migrimit, të nxitur nga luftërat ruso-turke të viteve 1828-1829. Procesi i migrimit ishte veçanërisht i intensifikuar në rajonet veri-lindore të Bullgarisë, më saktësisht në rrethin e Razgradit, Varnës dhe Provadit, të cilat ishin më të përfshirë në operacionet luftarake. Bashkë me bullgarë dhe gagauzët, në Besarabi u shpërngulën edhe shqiptarët e këtyre viseve.

Këta shqiptarë janë me prejardhje nga Shqipëria lindore dhe jug-lindore dhe nga Maqedonia perëndimore. Kujtimet nga kjo shpërngulje edhe sot ruhen në kujtesën e banorëve më të moshuar të fshatit Karakurt dhe fshatarëve të fshatrave të tjera të Ukrainës (S. Islami, 1959: 163). Lidhur me migrimin e shqiptarëve të viseve bullgare bashkë me banorët tjerë, pas luftës së vitit 1829 dëshmon edhe studiuesi çek K. Jireçek (Jireçek 1889: 853).
Bashkë më të tjerët nga këto troje në këtë periudhë largohen edhe një numër i madh banorësh shqiptarë të fshatit Karakurt, që ishin kryesisht njerëz të varfër pa tokë të punës (Islami, 1955: 163). Në këtë mënyrë në rrethin e Berdjanskut të gubernisë së Tverit që përfshinte rajonin në brigjet e detit Azov dhe i cili bie nën juridiksionin e krahinës së Zaporozhjes, rreth tridhjetë kilometra në juglindje të Melitopolit, ata themeluan këto vendbanime, ku dominon elementi shqiptar (“arnaut”). Xhandrani (më pas Kromovka), Tushki (Geogievka), Tazi (Devnevskoe). Në bazë të materialeve të ndershme lidhur me themelimin e këtyre fshatrave, sot me saktësi të madhe mund të shënojmë vitin 1826 si vit të themelimit të tyre (Derzhavin 1933: 506).

Ruajtja e veçorive të komunitetit etnik

Bazuar në shënimet statistikore të vitit 1869, në rrethin e Berdjanskut jetonin gjithsej 500 banorë shqiptarë, të grumbulluar në 194 shtëpi familjare, gjegjësisht “në 194 oborre të veçanta” (Derzhavin, 1933: 506). Sipas shënimeve të Komitetit rajonal të statistikës, për vitin 1923, por i plotësuar nga shënimet e Derzhavinit i cili kishte qëndruar në këtë rajon me qëllim të hulumtimit të gjuhës dhe etnografisë, numri i tërësishëm i banorëve shqiptarë në rrethin e Berdjanskut të Ukrainës së sotme ishte rreth 2760 “frymë” (Derzhavin, 1933: 507).2

Përpos kësaj pjese të shqiptarëve ukrainas, të cilët lëshuan rrënjë të thella në vendbanimet e reja, duke ruajtur veçoritë e komunitetit etnik, ekzistojnë shënime të pakta lidhur me një grup tjetër të kolonëve shqiptarë të vendosur në territorin e Rusisë në fund të shekullit XVIII. Në bazë të shënimeve statistikore të vitit 1897 mësohet se në territorin e qytetit të Odesës në mesin e banorëve të tjerë ishin evidencuar edhe “269 banorë grekë dhe arnautë të gjinisë mashkullore, kurse numri i përgjithshëm i grekëve dhe arnautëve ishte rreth 1000, prej të cilëve më se dy të tretat ishin shqiptarë” (Skalkovskij 1850: 283). Historiku i vendosjes së këtyre kolonëve ka zanafillën e vet që nga luftërat ruso-turke të viteve 1769-1774, gjegjësisht nga “ushtria greke” e cila ishte formuar sipas modelit të legjioneve spartane, nën udhëheqjen e kapitenit shqiptar Stefan Mavromihali.

Ky legjion kishte arrë pjesë në të gjitha betejat e kësaj lufte, duke llogaritur këtu edhe betejën e madhe të Çezmës, ku u dallua për trimëri deh shkathtësi ushtarake. Legjioni luftonte në flamurin rus dhe vepronte kryesisht në prapavijë të pozicioneve armike, duke i shkaktuar humbje të mëdha. Është për t’u theksuar se luftëtarët “grekë” veten e quanin ushtria shqiptare, pasi që “pjesa më e madhe e tyre ishin arnautë ose shqiptarë” (Skalkovski, 1850: 279). Shqiptarët deklarohen edhe përfaqësuesit e dërguar nga ky legjion për të biseduar lidhur me fatin e tyre në pallatin mbretëror në verën e vitit 1775 (Skalkovski, 1850: 277).

Kujdesi i veçantë i mbretëreshës për emigrantët shqiptarë

Pas nënshkrimit të paqes ndërmjet rusëve dhe turqve në Kyçyk-Kojnarxhik, në vitin 1774, mbretëresha Katarina II, me një dekret të posaçëm, oficerëve dhe pjesëtarëve të “ushtrisë greke” u ofron mundësinë e vendosjes së përhershme në territorin e Rusisë, me ç’rast ata do të ruanin të gjitha gradat dhe privilegjet individuale, si dhe do të gëzoheshin me tokë të punës (Skalkovski, 1850: 277).

Përkujdesja për vendosjen e këtyre ardhacakëve i ishte besuar kontit Orlov-Çesmenski, i cili në vitin 1775 arrit të vendosë pjesëtarët e ushtrisë greke në Kërç dhe Taganrog, duke mos i privuar nga e drejta për zgjedhje dhe vendosje në ndonjë vend tjetër në guvernën e Azovit.

Në vitin 1777 konti G. Potomkin nga mbretëresha ishte caktuar të kujdeset për fatin e vendosjes së emigrantëve shqiptarë. Vlen të theksohet se në materialet e tij mbi ndarjen e tokës për punë, pastaj shpërblimet në të holla dhe bagëti, këta kolonë gjithnjë quhen shqiptarë, gjegjësisht “ushtria arnaute”.

Vëmendje të veçantë për fatin e “ushtrisë shqiptare” për një kohë të gjatë do të tregojë A. Suvorov, i cili para pushtetit carist disa herë kishte dalë në mbrojtje të interesave të shqiptarëve e grekëve. Pas pushtimit të Krimesë nga ana e ushtrisë ruse, në vitin 1784, kolonët shqiptarë edhe ata grekë, ën trojet që u ishin ndarë si shpërblim, në sipërfaqen ndërmjet Balaklavës dhe Jaltës, themeluan vendbanimet Kadiskoj, Karani, Alsi, Kaka, Kamari, Kermençik, Balta-Çoral, Autka e disa të tjerë (Skalkovski 1850: 280). Banorëve të këtyre viseve u ishte besuar ruajtja e kufirit në bregun jugor të krimesh, për këtë edhe fshatrat ishin vendosur paralel me vijën kufitare.

Sipas shënimeve të studiuesit Skalkovski, që nga mesi i shekullit XIX shqiptarët e këtyre viseve kanë qenë bartës të detyrës karantino-kufitare në këtë pjesë jugore të siujdhesës.
Banorët meshkuj të atyre vendbanimeve posedonin uniforma të posaçme dhe zyrtarisht quheshin “Batalioni këmbësor grek i Balaklavit”. Numri i përgjithshëm i banorëve të këtyre fshatrave ishte 2660 individë, prej tyre të armatosur ishin 520 (Skalkovski 1850: 280).

“Balshaja dhe malaja arnautskaja” në Odesë

Shënimet tjera mbi shqiptarët e “ushtrisë greke ose arnaute” janë gjetur edhe në materiale lidhur me themelimin e qytetit bregdetar të Odesës. Odesitët si vit të themelimit të qytetit të tyre e shënojnë atë 1794. Në një raport të guvernatorit të qytetit Jekaterinosllav, gjeneralit B. Kahovski, mund të mësohet se në vitin 1792 në qarqet më të larta ishte marrë vendim për themelimin e një qyteti “për grekët” (shqiptarët – S.S.), të cilët kishin shërbyer në flotën mesdhetare (Skalkovski 1850: 281).

Menjëherë pas themelimit të qytetit të ri, kryetari i bashkisë së qytetit, admirali de Ribas, para mbretëreshës paraqet një projekt për ngritjen e një vendbanimi të posaçëm për “grekët”, të cilët do të inkuadroheshin në flotën e anijeve me rrema. Projekti u aprovua pa vërejtje nga komisioni mbretëror. Madje me një dekret të posaçëm atyre iu dhanë shumë privilegje. Kjo shkaktoi një fluks të madh të kolonëve të rinj nga vise të ndryshme ët Greqisë dhe vendosjen e tyre në këtë vendbanim “të privilegjuar”. Me qëllim të pengimit të padrejtësive eventuale ishte formuar Komisioni special i cili duhet të kujdesej “për vendosjen e grekëve dhe arnautëve”.

Në marrëveshje me përfaqësuesit e kolonëve “grekë”, Komisioni carist caktoi rajonin e njohur me emrin Hoxhibej, si më të përshtatshëm për vendosjen e pjesëtarëve të flotës së Mesdheut (Derzhavin, 1933: 504).

Në vitin 1795, me Dekret, mbretëresha obligoi kontin Zubov, që “nga popujt e një besimi, grekë e shqiptarë të Odesës e rrethinës, numri i cilëve ishte dy deri tre mijë, të formojë një Divizion prej 500 ushtarësh, sipas modelit të “ardhës greke” (Köppen 1861: 1). Kështu u formua i ashtuquajturi “Divizioni grek”, në të cilin rreth gjysma ishin shqiptarë. Pjesa e qytetit ku u vendosën “grekët” mori emrin Forshtati grek.

Të dhënat historike flasin mbi atë se kjo lagje ishte pjesa më e bukur e qytetit dhe në kuadër të saj, nga mesi i shekullit XIX, u ndërtuan rrugët më të bukura të qytetit. Si dëshmi e prezencës së shqiptarëve (“arnautëve”) në mesin e “grekëve” të Odesës që nga themelimi i qytetit mund të shërbejë fakti se edhe sot e kësaj dite dy rrugë tejet frekuentuese (dikur kryesore) të qytetit i mbajnë emrat e dikurshëm Malaja arnautskaja (Rruga e vogël e arnautëve) dhe Bolshaja arnautskaja (Rruga e madhe e arnautëve).

Kjo dhe shumë elemente të tjera që u theksuan më sipër vërtetojnë tezën se në mesin e grekëve, të cilët kanë histori të gjatë në Ukrainë dhe Rusi, kishte edhe shqiptarë, madje në numër të konsiderueshëm. Ky grup shqiptarësh, i përfshirë me termin “grekët”, u vendosë në Rusi në fund të shekullit XVIII, mirëpo gjatë kohës u asimiluan tërësisht, duke mos ruajtur thuaja aspak veçoritë etnike./rajonipress/

Dr. Selim Sylejmani, mësimdhënës i Fakultetit të Edukimit në Gjilan