Kurti: Me qeverisjen tonë qytetarët do ta duan shtetin e tyre
Lëvizja Vetëvendosje fushën e drejtësisë e kanë prezantuar si shtyllë të parë të alternativës së tyre qeverisëse.
Lideri i kësaj partie Albin Kurti ka thënë se qeverisjen Vetëvendosjes qytetarët do ta duan shtetin e tyre.
Kurti ka thënë se qeverisja e VV-së do të punojë dhe ndihmojë që të gjithë ata që kanë uzurpuar, vjedhur, keqmenaxhuar me vetëdije pronën dhe paranë publike, dhe prej të cilës kanë përfituar vetë, do të përgjigjen para drejtësisë.
“Ne angazhohemi që qytetarëve të Kosovës t’u kthehet pasuria e zhvatur nga të gjithë personat për të cilët drejtësia do të dëshmonte që e kanë bërë këtë. Policia e shtetit dhe Prokuroria kanë rol kyç në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Kosovë. Ne do ta kemi prioritet sigurimin e kushteve adekuate të punës së prokurorëve dhe të punonjësve në agjenci të antikorrupsionit, si dhe të personave kyç që janë pjesë aktive e zbatimit të ligjit”, ka thënë Kurti.
Albulena Haxhiu nga kjo parti ka thënë se qeverisja e tyre do të zbatojë masat antimafia, antikorrupsion dhe për konfiskim të pasurisë së pajustifikueshme.
Disa nga hapat kryesorë që do të ndërmarrin sipas Haxhiut janë:
1. Ligji për Prokurim Publik: do të zbatohet në tërësi. Do të punohet që të thjeshtësohet në mënyrë që të jetë sa më transparent dhe lehtë i implementueshëm për zbatuesit e ligjit në Kosovë;
2. Ligji për shqyrtimin dhe vërtetimin e pasurisë së pajustifikueshme: VETËVENDOSJE! e ka bërë gati dhe tashmë e ka dorëzuar në Kuvend “Ligjin për konfiskim e pasurisë së justifikuar dhe aplikimin e tij, pa kufizime për kohën, vendin dhe mënyrën e përfitimit.
3. Ligji Antikorrupsion: Ne do ta realizojmë hartimin e vënien në zbatim të këtij ligji i cili krijon mekanizmat për hetimin e cilitdo proces të prokurimit, dhe të zyrtarëve të administratës. Me të do t’i jepet fuqi instrumenteve për hetimet nga drejtoritë e krimit ekonomik në Polici.
4. Në qeverisjen tonë të gjitha kontratat që e kalojnë një shumë të caktuar do të kenë dy nënshkrime. Nënshkrimi i dytë do të bëhet nga Sekretari i Përhershëm i çdo autoriteti kontraktues.
Sipas tyre duke marrë parasysh rolin kyç që e kanë institucionet policore dhe gjyqësore në luftimin e korrupsionit në Kosovë, prioritet i Ministrisë së Drejtësisë, Financave dhe Kryeministrit do të jenë sigurimi i kushteve adekuate të punës së prokurorëve dhe të punonjësve në agjenci të antikorrupsionit, si dhe të personave kyç që janë pjesë aktive e luftimit të kësaj dukurie.
“Ne do të marrim menjëhërë iniciativa institucionale për rritjen e numrit të prokurorëve e gjyqtarëve dhe ngritjen e një programi efikas të mbrojtjes së dëshmitarëve. Do të sigurohemi që t’i forcojmë mekanizmat mbikëqyrës dhe kontrollues. E po ashtu, do të kërkojmë përgjegjësi nga Zyra e Prokurorit Special, në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, për progresin në secilin rast të dorëzuar nga Agjensia kundër korrupsionit tek ky institucion”.


