Vendimi i Qeverisë për zbritje të pagesave zbraz arkën e UP-së për 5 milionë euro
Universiteti i Prishtinës do të ketë afro pesë milionë euro më pak të hyra buxhetore, si pasojë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbritjen prej 50 për qind të pagesave për semestër të të gjitha niveleve dhe provimeve, si dhe lirimin nga pagesat për studentët që regjistrohen në vitin e parë të studimeve për vitin e ardhshëm akademik, shkruan sot Koha Ditore.
Kryetarja e Këshillit Drejtues të UP-së, Shefkije Islamaj, ka thënë se nëse Qeveria nuk do të kompensojë nga mjetet e buxhetit të shtetit këtë vlerë të zbrazëtirës buxhetore, atëherë në vjeshtë do të vihet në pikëpyetje funksionimi normal i UP-së.


