Fundamenti

Fadil Ismajli: AKR’ja s’i frikohet pragut, shkon e vetme në zgjedhje

/ 5 minuta lexim
FIDANISHTJA

Partitë politike duhet të mësohen t’i respektojnë afatet ligjore dhe kushtetuese dhe të mos shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. AKR shkon në zgjedhje e vetme me ardhje të reja dhe me program ekonomik për zhvillimin e Kosovës. Nuk i frikësohemi pragut zgjedhor dhe do t’i rrëzojmë të gjitha parashikimet. Gjatë mandatit qeveritar kemi pasur shumë pengesa por kemi arritur rezultate si në ekonomi, tregti e diasporë. Zëvendëspresidenti i AKR’së, Fadil Ismajli, flet për Express.

Express: Pse AKR doli kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme?
F. Ismajli: Fjala e jashtëzakonshme tregon për diçka jo normale që po ndodh, në rend të parë. E dyta, fakti i përgatitjes së zgjedhjeve në një afat kaq të shkurtër, mund të lë për të dëshiruar që të kemi zgjedhje të një standardi kualitativ për Kosovën. E treta, pse duhet Kosova gjithmonë që gjashtë muaj apo një vit përpara të mbajë zgjedhje dhe ne duhet ta vendosim standardin e rregullsisë pak. Tjetra është se Ministritë që i ka mbuluar AKR’ja kanë bërë punë shumë të mirë, por kanë mbetur disa çështje që kanë qenë të parapara para themelimit dhe është dashur të përfundojnë jo për t’iu përshkuar AKR’së si suksese, por ka të bëjë më atë se kur futemi në zgjedhje, krejt ato procese vonohen. Çdo vonesë do të ndikojë në shtyrjen e përfundimit të disa benefiteve për Kosovën.

Express: Kërkesën e AKR’së për të mos shkuar në zgjedhje është komentuar si frikë e juaja se nuk do ta kaloni pragun zgjedhor nëse shkohet në zgjedhje në qershor?

F. Ismajli: Kjo ka të bëjë më së paku sepse AKR jo vetëm që do ta kalojë pragun zgjedhordhe pritjet e të tjerëve do t’i qes poshtë. Secili e di se votuesi i Kosovës, më në fund, po kërkon ndryshime kualitative. Më në fund, votuesi është duke i vërejtur ku është adresa e vërtetë për zhvillim dhe ndryshime në këtë vend. AKR është adresa ku njerëzit mund dhe duan të bëjnë ndryshime.

Express: Pas ardhjeve të fundit në AKR, cili është pozicioni sa i përket koalicioneve parazgjedhore?

F. Ismajli: Ardhjet në AKR nuk kanë qenë ardhje të partive tjetra por të njerëzve me përvojë universitare dhe në fushat për të cilat ata janë angazhuar. Kemi ardhje të intelektualëve të mirëfilltë, profesorë, doktorë. Kemi ardhje të njerëzve që prapa vetës kanë një CV të mirë dhe kualitative në politikë. Janë të tjetër që do të vijnë. Nuk po përmendi emra sepse dua të lë befasi. AKR është e njohur si parti e hapur. Tani ecim vetëm për të shkuar në zgjedhje.

Fundamenti

Express: Prej themelimit AKR ka dhënë premtime sa i përket zhvillimit ekonomik. Sa vende pune mund t’i premtoni nëse merrni pushtetin pas zgjedhjeve nacionale?

F. Ismajli: Nuk dua të nxjerrë numra pa i bërë analizat përfundimtare dhe projeksioneve të zhvillimit ekonomik. Por, mund të them se të gjithë ata që premtojnë dhe promovojnë zhvillim ekonomik mbi bazat e një buxheti, për çdo ekonomisë, për çdo intelektual, duhet ta dijnë se ato nuk paraqet zhvillim. Vlera e re krijohet me ndërmarrësi, me stimulim të biznese të vogla, të mesme dhe të mëdha. Në dijmë ta bëjmë atë punë. Dijmë çka kërkojmë. Dijmë si ta promovojmë dhe dijmë si ta implementojmë

Express: Kosova në shumë fusha ka probleme e sidomos në zhvillimin ekonomik. Cila është vlerësimi juaj, kush është fajtor për këtë krizë në të cilët ndodhet Kosova?

F. Ismajli: Faktorët janë nga më të ndryshmit. Prej atyre që mund të adresohen deri te ato që janë rrjedhojë e situatës historike të Kosovës. Por, është fakt se ka qenë mungesë e një analize të mirëfilltë, mungesë e angazhimit të ekspertëve, ka qenë mungesë e hartimit të një strategjie mbi bazën e të cilës do të kishte zgjidhje komperative të vendit tonë. Ka qenë mungesë e implementimit të ligjit ndërkombëtarë sepse çdo investim që vjen në Kosovë kërkon një siguri. Sigurisht, se nevojitet ekip shumë e profesionalizuar për ta bërë këtë. Kjo ndërlidhet me atë që thash për zgjedhjet nacionale. Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik për njëmbëdhjetë muaj, unë, kam shtyrë projekte që zgjasin deri në tetë vjet. E dini, është nënshkruar marrëveshje 410 kilovotëshe, është nënshkruar marrëveshja për tregun e përbashkët elektro-energjik të Kosovës me Shqipërinë. Është hapur tenderi për Kosovën e Re që është sjell qe shtatë vite në një rreth vicioz. Në anën tjetër e nxorëm Trepçën, si ndërmarrje publike. E filluam luftën me AKP dhe ajo duhet të inspektohet për atë çka ka mbetur. Krejt këto u bënë nga një Ministri e AKR’së. Mos të përmendim shpalljen e zonave të lira ekonomike, avancimin e Kosovës në rangun e Bankës Botërore të të bërit biznes në Kosovë, çështjen e diasporës e kështu me radhë.

Express: AKR ndodhet në Qeveri prej vitit 2011. Sa është përgjegjëse AKR për gjendjen në të cilën ndodhet Kosova?

F. Ismajli: AKR e ka bërë atë që ka mundur përkundër shumë pengesave dhe përkundër shumë pak përkrahjes për t’i shtyrë projektet që i numërova me radhë më lartë. Sigurisht, se nuk ka qenë shumë e lehtë, por unë ju garantoj se me një pjesëmarrja më të madhe në Qeverinë e ardhshme dhe në një mandat të plotë do të ndodhin gjëra që as s’mund të paramendohet.