Hidromorava

Funksionimi i sistemit pensional në Zvicër dhe Austri

/ 10 minuta lexim
Hidromorava

Orhan Rexhepi, i cili jeton dhe vepron në Austri, ka botuar një libër shkencor në Gjermani, të titulluar “Financimi i sistemit pensional në Zvicër dhe Austri” (“Die Finanzierung der Altersvorsorge in der Schweiz und Österreich”)

Libri shkencor në fjalë ka qenë edhe temë e magjistraturës, të cilën e ka mbrojtur në Universitetin e Vjenës shqiptari nga Presheva, Orhan Rexhepi, i cili për albinfo.ch pasqyron në detaje funksionimin e sistemeve pensionale në Zvicër dhe Austria.

Në këtë libër të autorit shqiptar trajtohen zhvillimet demografike të të dy vendeve, zhvillimi dhe organizimi i sistemit social, e në veçanti ai pensional, duke vazhduar përshkrimin në detaje të të dy sistemeve dhe nënllojeve të sistemit pensional, siç është ai shtetëror, i ndërmarrësisë dhe ai privat, për të ardhur në përfundim se cili nga këto sisteme është më i aftë të ballafaqohet me problemet, duke marrë parasysh faktorët, si popullsia aktive që është në rënie, ajo pasive në rritje dhe faktori shumë i rëndësishëm, jetëgjatësia mesatare në rritje.

„Si në sistemin zviceran, po ashtu edhe në atë austriak është i njohur koncepti „Das Drei –Säule-Modell“ (në shqip: modeli tre shtyllësh). Në shtyllën e parë bën pjesë sistemi pensional ligjor (shtetëror) apo i detyrueshëm, e që praktikohet pothuajse në tërë Evropën. Fondet pensionale në këtë sistem financohen nga kontributet e punëmarrësit dhe të punëdhënësit», tregon autori i librit.

Po si funksionon modeli tre shtyllësh pensional ?

„Karakteristikë e veçantë e kësaj shtylle është se fondet e grumbulluara nga popullsia aktive shfrytëzohen në të njëjtën kohë për financimin e pensioneve për popullatën pasive, siç njihet ndryshe „solidariteti mes gjeneratave“, që nënkupton se këto mjete nuk dedikohen për investime në tregun e kapitalit. Shtylla e dytë ka të bëjë me sistemin pensional të ndërmarrësisë. Në këtë shtyllë financimi i fondeve bëhet kryesisht nga punëdhënësi dhe mjetet e grumbulluara nga këto fonde zakonisht janë të dedikuara për investime në tregun e kapitalit. Pasi që mjetet e grumbulluara të këtyre fondeve nuk dedikohen për financimin e pensioneve aktuale, por për ato të ardhshme, del që çdo person aktiv kontribuon në financimin e pensionit të tij në të ardhmen. Shtylla e tretë ka të bëjë me pensionet private. Financimi i këtyre fondeve bëhet nga personat që në mënyrë individuale vendosin për të financuar pensionet e tyre në të ardhmen. Vlen të theksohet se mjetet e dedikuara në këto fonde janë të liruara nga tatimet shtetërore», sqaron Rexhepi.

Sipas këtij studimi të Orhan Rexhepit, sistemi pensional austriak është kryesisht i orientuar nga ai shtetëror (Shtylla e parë) dhe është i një rëndësie të veçantë pothuajse për tërë popullatën pasive (pensionistët) dhe njëherësh i vetmi burim i të ardhurave të tyre. Pra, 80 % e pensioneve aktuale paguhen nga ky fond. Shtylla e dytë, ajo e ndërmarrësisë dhe e treta, ajo private, janë në zhvillim e sipër dhe nuk paraqesin ndonjë ndihmesë të veçantë për financimin e fondeve pensionale.

Ndërsa sistemi pensional zviceran ështe i orientuar sa në sistemin shtetëror (shtylla e parë), po aq edhe në atë të ndërmarrësisë (shtylla e dytë) dhe sistemin privat (shtylla e tretë). Sistemi pensional shtetëror nuk e tejkalon shifrën prej 50 % të pjesëmarrjes së tërësishme në sistemin pensional zviceran. Pensionet e ndërmarrësisë përbëjnë 35%, kurse ai private 15 % të totalit të pensioneve.

Vlen të theksohet se „Shtylla e dytë“ e sistemit pensional zviceran është e obligueshme.

Sistemi pensional zviceran, më i avancuar se ai austriak

Punëdhënësi është i detyruar të paguajë kontibutet pensionale për punëmarrësit e tij që janë të moshës mbi 25 vjet dhe që kanë pagën vjetore më të lartë se 24.360 CHF. Kjo shtyllë paraqet dallimin esencial të sistemit pensional zviceran nga ai austriak, ngaqë shtylla e dytë në Austri nuk është e obligueshme.

Përparësia e vetme e sistemit austiak të pensioneve është se mjetet e grumbulluara kryesisht nuk janë të dedikuara për investim në tregun e kapitalit, gjë që mund të kuptohet se fondet pensionele austriake nuk janë shumë të varura nga zhvillimet e tregut të kapitalit, përkatësisht nga normat e interesit, apo nga kriza e tregjeve financiare, siç ishte rasti me krizën globale financiare.

Ndërsa, mangësia e këtij sistemi është se ky sistem pensional është shumë i varur nga zhvillimet demografike në njërën anë, kurse pensionet e ardhshme të gjeneratës së tashme aktive, në anën tjetër, janë shumë të varura nga produktiviteti dhe aftësia financiare e gjeneratës së ardhshme. Çdo ngritje e shkallës së pensionit në njërën anë dhe ulja e normës së kontributeve, në anën tjetër, të kësaj gjenerate ngarkon financiarisht gjeneratën e ardhshme.

Sistemi pensional zviceran të vetmen mangësi që ka është se mjetet e grumbulluara nga fondet pensionale të ndërmarrësisë dedikohen kryesisht për investime në tregun e kapitalit dhe nga kjo del se janë shumë të varura prej zhvillimeve të tregut të kapitalit. Rasti më i freskët është ai i vitit 2008, ku për shkak të krizës financiare globale fondi pensional invalidor në Zvicër regjistroi një humbje prej 14 miliardë frangash zvicerane. Përparësitë e sistemit pensional zviceran janë të shumta në krahasim me atë austriak.

E para ka të bëjë me zhvillimin e njëjtë të nënsistemeve, si ai shtetëror, i ndërmarrësisë dhe ai privat, çka gjenerata e tashme aktive nuk është shumë e varur nga produktiviteti dhe aftësia financiare e gjeneratës së ardhshme, dhe po ashtu gjeneratat e ardhshme nuk ngarkohet financiarisht për shkak të ngritjes së pensioneve të gjeneratës së tashme.

E dyta, sistemi zviceran i pensioneve është i organizuar në atë formë që klasa e pasur merr pjesë më shumë në financimin e fondeve në krahasim me klasën e mesme apo klasën e varfër. Këtu baza mbi të cilën llogariten kontributet nuk është e përkufizuar „sa më të larta janë të ardhurat, aq më të larta jane kontributet“.

Në sistemin austriak të pensioneve klasa e pasur, e mesme apo e varfër merr pjesë njëlloj në financimin e fondeve pensionale. Këtu baza maksimale mbi të cilën duhet të paguhen kontributet është paga mujore bruto 4320 euro, që del se, p.sh. personat me të ardhura 10 000 euro në muaj si bazë për të paguar kontributet kanë bazën maksimale 4320 euro, ndërsa pjesa tjetër nuk ngarkohet.

Hidromorava

E treta, në rastin kur „pensionkasat“ shkojnë në konkurs, fondet pensionale të ndërmarrësisë nuk humbin, janë të garantuara nga i ashtuquajturi „Sistemi i kapjes“(gjermanisht „Auffangsystem“). Kjo nuk ndodh në sistemin pensional austriak.

Shqiptarët, kontribues në financimin e fondeve pensionale në Zvicër

Në bazë të Zyrës Federale të Statistikave të Zvicrës, të huajt përbëjnë 23 % të popullsisë zvicerane, e në mesin e tyre bëjnë pjesë edhe shqiptarët.

Tani në Zvicër gjenerata e dytë dhe e tretë e emigrantëve shqiptarë po i kushton një rëndësi të veçantë shkollimit dhe investimit të të rinjve në dije, që si të kualifikuar po zënë pozita të rëndësishme udhëheqëse në ndërmarrje apo insititutione të ndryshme shtetërore apo edhe private.

E gjithë kjo sjell edhe të ardhura më të larta edhe për fondet pesionale, thotë eksperti financiar, Orhan Rexhepi.

„Sa më i kualifikuar, aq më shumë të ardhura personale“. Dhe sipas asaj që u tha më lart, sa më të larta të ardhurat personale, aq më e lartë është baza për të paguar kontibutet pensionale. Dhe kështu mund të arrijmë në përfundim se emigrantët shqiptarë në Zvicër japin një kontribut të jashtëzakonshëm në financimin e fondeve pensionale», thotë Rexhepi.

Rënia e popullsisë aktive, problem për sistemet pensionale

Që të dy vendet ballafaqohen pothuajse me të njëjtin problem, rënien e popullsisë aktive, rritja e asaj pasive dhe jetëgjatësia mesatare është në rritje.

«Duke u nisur nga fakti se në Zvicër 1 % e tatimit mbi vlerën e shtuar (TVSH) u dedikohet fondeve pensionale, pensioni i parakohshëm është i kufizuar në 63 vjet, që në Austri kjo është dikund në moshë më të re, duke marrë për bazë se baza maksimale mbi të cilën llogariten kontributet nuk është e përkufizuar siç ishte në rastin e Austrisë, duke parë se sistemi i ndërmarrësisë në Zvicër është i obligueshëm, marrë për bazë që edhe pensionistët me të ardhura mbi 1400 CHF në muaj marrin pjesë në financimin e fondeve pensionale, del që sistemi zviceran është shumë më i përgatitur që të ballafaqohet me faktorët e lartpërmendur», thekson Rexhepi, duke konstatuar se sistemi pensional në Zvicër nga perspektiva financiare është mjaft i qëndrueshëm.

Sistemi zviceran, financiarisht i qëndrueshëm

Nëse e shtrojmë pyetjen se cilat do të ishin masat e nevojshme në të ardhmen që ky sistem të qëndrojë edhe më tutje financiarisht i përballueshëm duke marrë për bazë faktorin demografik, eksperti financiar, Orhan Rexhepi, sjell argumentet në vijim:

1. Ngritja e normave të kontributeve që për momentin është 9 %, (4,5% për punëdhënësin dhe 4,5% punëmarrësin).

2. Rritja e normës nga 1 në 2% e TVSH (Tatimit mbi Vlerën e Shtuar) për fondet pensionale.

3. Për shkak të rritjes mesatare të jetëgjatësisë, është mëse e nevojshme në të ardhmen që edhe dalja në pension të jetë në moshën 67 vjet, e jo siç është tani 65 vjet.

4. Te pensionet e ndërmarrësisë kushti për të paguar kontribute pensionale duhet të ulet nga 24.360,- CHF, në 18.000,- CHF, çka një pjesë më e madhe e punëmarrësve me të ardhura më të ulëta do të përfshiheshin në financimin e fondeve pensionale.

Orhan Rexhepi, i cili është nga Presheva, ka studiuar për Ekonomi në Universitetin e Prishtinës dhe ka magjistruar në Vjenë në fushën e Ekonomisë dhe Sigurimeve. Ky libër shkencor është botuar me kërkesë zyrtare nga “Akademikerverlag Deutschland” dhe mund të gjendet edhe në faqen zyrtare të saj.

Mr.Orhan Rexhepi i ka kryer studimet bazë në Universitetin e Prishtinës në Fakultetin Ekonomik, Departamenti Menaxhment dhe Informatikë. Shkallën e Magjistraturës në Universitetin e Vjenës, i specializuar në dy fusha: Shërbimet Financiare dhe Controlling. Tani punon si “cost accounting” dhe si “controller” në projektin e ndërtimit të hekurudhave në Austri./albinfo/