Nxënësit shqiptarë shënojnë – festën e pranverës
Në Landin e Salzburgut jetojnë shumë mërgimtarë shqiptarë nga të gjitha trevat shqiptare. Fëmijët e shumë prej tyre mësojnë krahas gjuhës së shkollës edhe në gjuhën shqipe. Njëra nga mësueset e vyera të këtij Landi të Austrisë është znj. Armida Biçaku e cila është aktive në shënimet e festave kombëtare dhe të fëmijëve.
Me nxënësit e saj shënoi Festën e Pranverës me nxënësit e shkollës në Parsch, Schallmoos në Salzburg.
Mori pjesë edhe drejtoresha e shkollës zonja Martina Fantl e cila mbeti e entuziazmuar nga programi i nxënësve. Fëmijët i duan festat, shënimin e tyre ku tregojnë atë që kanë dëshirë nga këngët, vjershat, tregimet para prindërve të tyre në gjuhën shqipe. Ata krahas leximit mësojnë të recitojnë, aktrojnë, shkruajnë tregime e vjersha.
Programin e udhëhoqi Albana Ibrahimi. Fëmijët recituan vjershat: „Luledelja“, „Manushaqja“, „Katër stinët“ etj. Nuk munguan edhe këngët për fëmije si: „Kënga e maces“, „Tring zilja“, „Valsi i arushës“ dhe „Hapa dollapa“. Në recitimet e tyre u dalluan: Anis Pelaj me poezine „Nenes“, Erduan Aliu me „Gjuha jone“ , Shqipe Ajredini me „Bashke me një zog“, Meris Rrahmani etj.
Fëmijët nga shkolla VS- Parsch luajtën në skenë poezinë humoristike“ Ku ta gjej daullen gjyshi“. Interpretuan Anis Pelaj në rolin e djalit nazeli në ushqim, Kujtesa Krasniqi në rolin e nënës, Arbënor Ibrahimi në rolin e gjyshit, Albana Ibrahimi dhe Brikena Krasniqi treguan historinë. Kurse nxënësit e shkollës-VS Schallmoos interpretuan pjesën „Abetarja e kecave“, ku u paraqitën në rolet e tyre: Alise Arifi, Almira Kamberi etj. Programi krijoj atmosferë festive e cila u pasurua me bufe ëmbëlsirash të përgatitur nga prindërit. Pyetja e fundit nga nxënësit ishte: Kur kemi përsëri festë, mësuese?/albinfo/


