Drita në soditje të hënës
Nga Nexhat Rexha – Rreth vëllimit poetik të Ahmet Osmanit, “Heshtjen përgjon hëna”, botuar këto ditë nga Shtëpia Botuese “Beqir Musliu.
Vëllimi poetik, “Heshtjen përgjon hëna”, i Ahmet Osmanit, aktualizon përditshmërinë jetësore nëpër të cilën reflektojnë soditjet e përgjithshme, si shfaqje e shpalosje të përjetimeve të tij. Poezia dhe ndjeshmëria shpirtërore krijojnë lidhje të pashkëputshme në trajtimin e tematikës së shtruar, edhe si kërkim për të shfaqur më hapur botën shpirtërore të poetit.
Autori në këtë vëllim poetik vjen me vargje racionale për të saktësuar idenë shkrimore në dhënien e parafytyrimit të heshtjeve të gjata, të cilat gjithnjë kanë qëndruar në vëzhgim të hënës. E kjo hënë ka dykuptimësinë e saj nëpër kohët e dhembjeve, e të dashurisë për ndriçim sa më të mirë në atdheun e autorit.
Jeta dhe vargjet krijojnë dridhjet nëpër të cilat ka kaluar fati i njeriut tonë, e këto refleksione vijnë si përjetim dhe shkrihen në frymëmarrjen e tij. Ato saktësojnë të ndodhurat e kësaj bote. Po kush mund të krijojë ndodhi nga më të ndryshmet, përpos jeta dhe karakteri njerëzor nëpërmes kohëve, ngaqë ato vijnë me retë në jetën e njeriut. Në këto krisma qiellore, Ahmet Osmani është protagonist i tyre dhe në dukje të parë vargu është i hapur, ai sikur artikulon sentencën e jetës.
Në realitet parashtrimi poetik krijon hapësirën e lirë për të kuptuar jo vetëm heshtjen në përgjim të hënës, por ajo të jep mundësinë e soditjes së saj në dritën që jep hëna, në të gjitha stinët e vlimet tona. Në poezinë e këtij libri lexuesi ndjen përjetimin, ëndrrën e njeriut, si kërkim për të gjetur këtë përgjim të hënës, duke aluduar se hëna shikon e ruan të gjitha ndodhitë e kohëve. Autori të jep pamjen e ditëve të errëta, njëherësh të jep edhe shpresën për ditë të bardha.
Këto shtegtime të kohëve i gjejmë nëpër lidhjet e gjakut, për të ruajtur e krijuar të ardhmen si testament i relikteve të gjata nëpër rrjedhat e historisë. Shpresa ruan jetën ëndërrimtare me shenja karakteristike, që mund të dijë vetëm njeriu i këtij vendi, sepse ai nuk e ka shuar kurrë shpresën për ditë më të mira, si në kohë të sundimit të egër në periudhat më të ngulfatura të sistemit totalitar, e shpresa ka bashkëjetuar me autorin në të gjitha shikimet e kësaj hëne përgjuese.
Fati i kësaj bote ka lidhjet e veta të pandashme në tërë hapësirën planetare, si dukje dhe si ardhje e rritës së brendshme, deri në thellësi e lashtësi të kësaj toke ilire. Në poezinë “Shtat i bardhësisë” me figuracion e krahasim të ngjeshur vijnë vargjet meditative në kërkim të avancimit, për të saktësuar rriten e njeriut tonë, bashkë me këngën e simfoninë e saj të lashtësisë, për të zhdukur errësirën e jetuar, si në këto vargje:
Jetojnë në brendi të tokës
Shtatin rrisin në lashtësi
Rrënjët tona ilire
Pranverave këndojnë
Me gjak ujiten
Skëterrën luftojnë
Fq. 12
Këto dhe vargje të tjera shpalosin fjalën për të konkretizuar aktualizimin e duhur në kohë të nevojshme, sepse atdheu gjithmonë ka nevojë për përtëritje të ruajtjes e rritjes së brendshme të tij. Për këtë shtrirje kohësh nëpër gjithë shekujt, gjaku dhe nëntorët kanë kuvenduar vazhdimisht për të sjellë vitin e madh, e ai vit ka peshën e kujtimeve të gjata me lirinë e bashkimit kombëtar.
Në disa lirika autori ka shprehur edhe revoltën e tij, duke aluduar në të ndodhurat e institucioneve tona, të cilat sikur nuk janë në korrent me këto të arritura, që janë realizuar në këtë dhjetëvjetësh të parë të këtij fillimshekulli. Ai kërkon më shumë ide e fjalë më konstruktive në kuvendet tona. Hapësirën qiellore Ahmet Osmani dëshiron ta shohë më ndryshe, duke aluduar se liria kërkon frymëmarrje më të lirë dhe korniza e atdheut tonë ende lëngon nga trishtimet e panevojshme. Si në poezinë “Eklips në kornizë” krismat në Gërdec janë të panevojshme, ato kanë ardhur si rezultat i një mosdije apo si rezultat i një dredhie, kjo ngjarje ka krijuar dilemën e një pranvere, që nuk duhej të vinte ashtu me lot e dhembje. Paralajmërimet e këtilla janë edhe gjykim, edhe vërejtje se në atdheun tonë ende djajtë e bëjnë lojën e tyre.
Në të gjitha poezitë e këtij vëllimi ka një pikëtakim, ai pikëtakim ka synimin e dedikuar për të ç`rrënjosur të keqen e dikurshme, si dhe për të mbëltuar lulet më të bukura që ka atdheu i njeriut tonë. Mesazhi parashtrohet në tërësinë e këtyre poezive, si tiktaket e orës së madhe historike, kur ato krijojnë tingullin në krismë të çdo ore, e të japin sinjalin se orët e jetës ecin me ritmin e tyre. Dhe sikur hëna përgjon të gjitha këto lëvizje të akrepave edhe në netët e pagjumë e të gjata, kurse heshtjes nuk duhet lënë vend në çerdhen e atdheut tonë, ku mërgimtarin e ka kapluar malli, sikur edhe titulli i librit që vjen me rrjedhën e vargjeve të poezisë “Kjo natë”.
Libri i Amet Osmanit është ndarë në këto cikle: “Frymëmarrje amorfe”, “Eklips në kornizë”, “Tkurrja e lotit”, dhe ato kanë harmoninë e tyre, si në parashtrim, po ashtu edhe në tematikën e trajtuar, si të këtilla ato ruajnë në vete shtjellimin poetik, si në figuracionin e gjetur dhe në mesazhin e dhënë për të saktësuar qëllimin e veprës në tërësi. Vepra me vargjet sa racionale e meditative komunikon qartësinë e saj me lexuesin. Konsideroj se vepra arrin të prekë të gjitha variantet e dëshiruara të autorit për lexuesin e vëmendshëm, duke ia dhënë qartësinë e kuptimin domethënës edhe titullit të librit “Heshtjen përgjon hëna”./rajonipress/


