ARKATANA

Trusje Sui Generis

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Nga Lavdim Hamidi – Një grup i menaxherëve më të paguar në vend, pas tre muajve do ta festojnë 12-vjetorin e Trusjes që po ia bëjnë rreth 460 mijë kontribuuesve të tyre dhe njëkohësisht ekonomisë së shtetit më të varfër në Evropë.

Në këtë Trusje masive ndaj qindra mijëra kosovarëve kontribut të jashtëzakonshëm padyshim se ka dhënë Ardian Zalli, drejtor i Trustit të Kursimeve Pensionale, anëtarët e Bordit të këtij institucioni dhe 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Gjithë këta supermenaxherë e përfaqësues të popullit, që paguhen prej 2000 e deri në 6000 euro në muaj, nuk dolën asnjëherë me një plan konkret, madje duke i ndryshuar edhe ligjet në fuqi, se si rreth 1 miliard euro të grumbulluara në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës të kthehen në shërbim të kontribuuesve dhe ekonomisë së shtetit.

Duke i llogaritur këtu edhe rreth 600 milionë euro të Fondit të Privatizimit që qëndrojnë të ngrira, është e palogjikshme dhe njëkohësisht e pajustifikueshme se si për më shumë se një dekadë shteti më i varfër në Evropë i ka mbushur me mbi 1.5 miliard euro kontot e bankave të pasura perëndimore, derisa ekonomia e vendit po përballet me mungesë të parave të gatshme.

Në mungesë të cash-it, shumica e shitjeve nga bizneset vendore po kthehet në formën e parë të tregtisë, trambës, duke u ndërruar mall me mall.

Ndërsa çdo mall që paguhet me para në dorë, nëse dikush i disponon të njëjtat, mund të blihet deri në 20 për qind më lirë.

Derisa çdo vit paguajnë qindra euro nga pagat e tyre për fondin pensional, shumë kosovarë janë zhytur në kredi afatgjate, madje duke paguar norma astronomike të interesit që aplikohen nga bankat komerciale, për ta zgjidhur çështjen e banimit dhe për t’i zhvilluar bizneset private.

FIDANISHTJA

Po të ishte kjo zgjidhja më e mirë për kontributdhënësit dhe ekonominë, as që do të mundë të imagjinohej që Zvicra, si një nga shtetet më të pasura në Evropë dhe që aplikon rregulla shumë strikte të menaxhimit të parasë publike, do ta lejonte të kundërtën e asaj që e bën Kosova.

Kjo e fundit lejon që Fondi Pensional të shfrytëzohet prej moshës 65-vjeçare, përpos në rastet kur vdes kontribuuesi më herët, ndërsa shteti helvetik i mundëson të punësuarve të vet kontributdhënës që 15 vjet më herët ta shfrytëzojnë fondin pensional, për blerje të patundshmërive, apo për hapje të biznesit.

Është vlerësuar se në këtë mënyrë shtetasit zviceranë hiqen nga pagesa e qirave të shtrenjta të apartamenteve dhe njëkohësisht nuk detyrohen t’u paguajnë kamata bankave, derisa fondi pensional është grumbulluar nga kontributet e tyre.

Pa u detyruar ta zbulojnë “ujin e nxehtë” edhe autoritetet kosovare kanë mundur ta aplikojnë modelin zviceran, duke i kthyer qindra miliona euro në ekonominë e varfër të vendit dhe njëkohësisht duke i shpëtuar qytetarët nga kamatat e larta të bankave.

Nëse, ta zëmë, një çift bashkëshortor për 12 vjet ka arritur t’i grumbullojë rreth 20 mijë euro në fondin pensional, pse të mos i lejohej që këto mjete t’i shfrytëzojë për zgjidhjen e çështjes së banimit, apo edhe ta shtojë pasurinë e paluajtshme, por të detyrohet që për 20 mijë euro që i merr në bankë, t’i paguajë edhe 20 mijë të tjera në emër të kamatës për kredinë afatgjate?

Kjo situatë padyshim se u konvenon më së shumti “fajdexhinjve me letra” (bankave) e më së paku qytetarëve dhe ekonomisë. Nëse paratë e pensioneve do të lejoheshin të aktivizohen nga vetë kontribuuesit, atëherë padyshim se nga ky veprim do të zhvilloheshin edhe bizneset, edhe ekonomia, pas rritjes së ofertës financiare në treg.

Shtetin më të ri të Evropës, apo jo, shumëçka e bën sui generis. E tillë është edhe trusja nga Trusti!