Ekspertët: Kosova humb territor, Mali i Zi rritet
Ekspertët e pavarur kanë paraqitur fakte të reja për vijën e demarkimit të kufirit me Malin e Zi, me ç’rast kanë thënë se deklaratat se sipërfaqja e Kosovës është rritur nuk qëndrojnë. Sipas tyre, me Marrëveshjen për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi Kosova humb territor, ndërsa territori i shtetit fqinj rritet për rreth 70 kilometra katrorë, shkruan sot, gazeta Zeri.
Shefi i Departamentit të Gjeografisë, Shpejtim Bulliqi, i cili është edhe deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se deri më tash ky Komision ka prezantuar një sërë faktesh për demarkimin e kufirit me Malin e Zi, porse këto fakte çdoherë kanë hasur në vesh të shurdhër. Megjithatë, ai ka thënë se hulumtimi i fundit i tyre tregon se Komisioni Shtetëror ka bërë gabime.
“Në rast të ratifikimit të kësaj marrëveshjeje në Parlamentin e Kosovës, Mali i Zi do ta rrisë sipërfaqen. Shikuar historikisht, Mali i Zi sipas të gjitha publikimeve të Entit Federativ për Gjeodezi të ish-Jugosllavisë dhe institucioneve gjeodezike të Malit të Zi nga viti 1945 deri më vitin 2015 kishte më pak sipërfaqe sesa pas demarkimit. Sipas të të njëjtave rezultate edhe pas demarkimit të kufirit Mali i Zi duhet t’i kishte 13 812 km2, por pas nënshkrimit të marrëveshjes rezulton të ketë më shumë”, ka deklaruar Bulliqi.
Sipas deputetit të LDK-së, Mali i Zi historikisht në të gjitha organizatat ndërkombëtare (OKB, BE, NATO etj) ka aplikuar dhe është pranuar duke u vetëprezantuar si shtet me sipërfaqe prej 13 812 km2. Megjithatë, sipas tij, nëse ratifikohet marrëveshja e vitit 2015, Mali i Zi do ta rrisë sipërfaqen e tij për rreth 70 kilometra katrorë, nga 13 812 km2 në 13 882.44 km2./zeri/


