Arrestohet shqiptarja në Gjermani që vidhte për të paguar studimet
Policia Federale e Gjermanisë ka arrestuar të enjten në Aeroportin e Munihut një shtetase shqiptare e cila sapo kishte arritur me aeroplan nga Prishtina.
Prokuroria e Munihut kishte qenë në kërkim të studentes 24 vjeçe e cila ishte dënuar nga një gjykatë e Munihut me gjobë prej 2700 eurosh për vjedhje.
Si zëvendësim, gjykata ia kishte shndërruar gjobën në 90 ditë burg vajzës e cila jetonte në Munih si au-pair.
Pasi që pas shpalljes së vendimit ndërkohë ajo po i ikte vuajtjes së dënimit, prokuroria e kishte shpallur atë që nga shkurti i sivjetmë në kërkim, shkruan wochenblatt.de, transmeton albinfo.
Edhe tash, kur policët e arrestuan 24 vjeçen në aeroport, ajo sërish nuk mundi të paguante gjobën. Kështu ajo u dërgua menjëherë në vuajtje të dënimit në një burg të Munihut.


