Prokuroria kërkon burg të përjetshëm për vrasësin e dy fëmijëve romë nga Kosova
Prokurorja e rastit të vrasjes së Dano-s, fëmijës pesë vjeçar me prejardhje rome nga Kosova ka kërkuar burg të përjetshëm për vrasësin.
Bëhet fjalë për një turk 43 vjeçar i cili në bazë të indiceve të reja dyshohet për vrasjen edhe të një vajze tetë vjeçe rome nga Kosova në Gjermani para shtatë vitesh.
I akuzuari, sipas akuzës së lexuar në Gjykatën e Landit në Bielefeld, e ka bërë vrasjen me qëllimin për t`iu hakmarrë në familje ish partneres së tij për poshtërimin që i ka bërë, prandaj fjala është për një vrasje të rendë, me motive të ulëta.
Nga ana tjetër, avokati i të akuzuarit ka kërkuar dënim “të përshtatshëm” për lëndim trupor me pasojë vdekjen.
Vetë i akuzuari ka pranuar se e ka rrahur Danon dhe ia ka mbajtur gojën mbyllur që të mos mund të bërtasë.
Pastaj ai ka menduar se djali kishte vdekur. E ka marrë trupin e tij të pajetë dhe e ka lidhur me një tel në një karrocë për blerje. Vetëm atëherë ai është ngufatur gjegjësisht ka vdekur thuhet në pledoajenë e mbrojtjes.
Vendimi gjyqësor do të merret të mërkurën.
Gjatë mbajtjes në burg për vrasjen e Danos, në shtator të këtij viti janë gjetur mbetjet mortore të Jenisës, vajzës 8 vjeçe, po ashtu nga Kosova. Gjetja është bërë në bazë të përshkrimit që ka bërë vetë i akuzuari për vrasjen e Danos.
Mediet gjermane shkruajnë se vrasjen e Jenisës (me tezen e të cilës kishte bashkëjetuar) e kishte bërë “nga urrejtja për shqiptarët”. /albinfo.ch/


