Fundamenti

Disa gënjeshtra që serbët i thonë, por nuk i besojnë

/ 7 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Mero Baze – Në tensionin e fundit shqiptaro- serb, po përdoren disa gënjeshtra të cilat serbët nuk i besojnë vetë, por shpresojnë se do t’i përdorin të tjerët.

Gënjeshtra e parë është autori i dronit fluturues. Për ta lidhur atë me qeverinë shqiptare, biles direkt me kryeministrin, ata shpallën autor të dronit Olsi Ramën, vëllain e kryeministrit, i cili nuk ka asnjë lidhje me këtë ngjarje. Vetë serbët e dinë që nuk ka, se e kanë hetuar. Vet kryeministri i Shqipërisë dhe miliona shqiptarë që e panë, kanë vënë buzën në gaz, ose janë emocionuar, por kurrë nuk e kanë ditur kush po e bënte.

Nuk e kanë ditur as shokët e ngushtë të autorit. Ai është një tifoz i fiksuar i ekipit kombëtar, që në çdo ndeshje bën nga një gjest ekstrem. Këtë radhë e kishte planifikuar prej gjashtë muajsh këtë që bëri. Nuk i tregoi askujt, shkoi katër ditë më parë në Beograd, përgatiti gjithçka dhe e ngriti dronin nga Kisha serbe, atje ku nuk dyshonte askush. Kur iku, la aty telekomandën dhe në guesthousin ku kish fjetur, dhe disa rroba. U ka ikur në orën 21: 40 nga Beogradi dhe ka kaluar më 01: 40 kufirin për Kosovë. Me këtë rast dua të them se dhe policia serbe është kot fare.

Nuk ka asnjë lidhje as me qeverinë shqiptare, as me opozitën dhe as me ndonjë faktor politik në Shqipëri. Është thjesht një tifoz i çmendur dhe aq. Ai tani është në punë të vet dhe shijon mitet e rrema të ngritura për të. Disa paranojakë shqiptarë e lidhin me UDB, disa serb paranojakë e lidhin me Edi Ramën. Ai është një djalë i varfër, që nuk kishte as 600 dollarë të blinte dronin dhe nuk i jepte askush para hua, se nuk tregonte çdo bënte. Tani që janë gati t’i japin, ai nuk do. Kushedi ç’mendon për ndeshjen tjetër.

Tashmë Serbia e di kush është, se mediat e pakujdesshme shqiptare ja publikuan fotot, dhe mund ta vënë në rrezik, por s’ke çi bën. E rëndësishme është që serbët e dinë kush është, e dinë që e ka bërë vetëm dhe e dinë që nuk e kapën dot, por kjo e vërtetë nuk u intereson. Atyre u intereson gënjeshtra që shpikën për Olsi Ramën, në kurthin e së cilës fatkeqësisht ranë plot gazetarë perëndimorë, mes të cilëve dhe një gazetar i mirë i Frankfurter Alegmania Cajtung, që e njeh mirë Shqipërinë, Serbinë dhe rajonin. Tani që zhurma u fashit, pasi dihet autori, Serbia nuk po kërkon falje për Olsi Ramën, por kërkon ta mbajë ndezur konspiracionin për autorin e dronit. Pra, shpresojnë se do fitojnë nga një gënjeshtër që shpikën dhe nuk e besojnë as vetë.

Gënjeshtra e dytë është makthi për Shqipërinë e Madhe. Serbia më mirë se kushdo tjetër nuk ka makthe për këtë çështje. Kosova, të cilën ajo donte ta mbante me dhunë si pjesë të saj, iku dhe krijoi një shtet të pavarur, me mbështetje ushtarake dhe diplomatike të Perëndimit. Tani Serbia nuk ka çfarë të humbasë nga çdo lloj Shqipërie gjeografike. Ajo mund të humbasë vetëm nga një Shqipëri e fortë politike në Perëndim.

Edi Rama është sot lideri më i preferuar i Ballkanit në perëndim dhe sidomos i kancelarive të forta si ajo gjermane, britanike dhe SHBA përtej oqeanit. Për ta thyer këtë mit, serbët po përpiqen të krijojnë mitin e Edi Ramës nacionalist. Lodhen kot! Rama është pioner i rrebelimit ndaj valës nacionaliste në Shqipëri dhe një nxënës i shkollës së Sorosit sa i përket establishmenteve dhe regjimeve autoritare. Nuk ka asnjë predispozicion për konflikte nacionale, por ndryshe nga nacionalistët e Ballkanit, nuk ka asnjë kompleks për sherre me ta.

Uji Dea

Dhe ajo çfarë do t’i gjejë belaja me të, nuk është se do t’u përgjigjet si nacionalist, por si një gojëlëshuar shqiptar, që nuk ta përton përgjigjen. Kjo duket i komplekson më shumë, pasi as i prishin dot punë në Perëndim, as ndreqin dot punët e tyre brenda Serbisë, duke e vënë përpara me retorikë nacionaliste. Dhe e gjithë kjo nuk vjen për ndonjë meritë të Edi Ramës, por për faktin se ata kanë shpikur një gënjeshtër për të, duke e vizatuar si nacionalist të Shqipërisë së Madhe dhe duhet realisht të përballen me dikë tjetër, me një Edi Rama që nuk kompleksohet fare nga kjo histori. Biles kam frikë se nuk e di as mirë.

Gënjeshtra e tretë e serbëve është gënjeshtra për çfarë ndodhi në stadium. Ata e dinë mirë si filloi tensioni qysh nga aeroporti e deri në minutën e ‘42 të ndeshjes, e dinë mirë që e kishin Ivanin në stadium, megjithëse e ka të ndaluar të shkelë aty, e dinin dhe e panë si policët e sigurisë u bënë palë me bandat në dhunën ndaj lojtarëve dhe kanë shpikur se gjithçka ndodhi për shkak të dronit.

Sikur ai djali i dronit të mos fshihej gjithë ditën poshtë llamarinave pas Kishës dhe të kishte parë ç’po bënin serbët me tifozët shqiptarë, mund t’ia dërgonte dronin dikujt tjetër në zyrë. Problemi është se tensioni, racizmi dhe dhuna etnike u shfaqën para se të shfaqej droni. Biles droni shpëtoi situatën, pasi e mbylli shpejt një ndeshje që po shkonte drejt gjakderdhjes, sikur të shënohej një gol nga Shqipëria, siç për pak u shënua. Droni duhet falenderuar që i dha fund pa gjak një beteje nervash dhe një përballje me dhunën raciste etnike dhe kulturën shtetërore antishqiptare.

Serbët e dinë këtë dhe po përpiqen të mbrohen me çastin e shfaqjes së dronit sikur të ketë ndonjë ligj ndërkombëtar që lejohet të çmendesh po pe ndonjë poster me simbole shqiptare, që nuk fakt nuk janë as flamur. Duke u bazuar tek kjo gënjeshtër, ata po harxhojnë energji pa fund të ngjizin idenë se Shqipëria e Madhe është një rrezik ndaj të cilit ja vlen të gjakosesh. Problemi është se ata po përgjakin veten si njerëzi sonambul, që ëndrra i çon natën në rrugë që përfundojnë në humnera. Shqiptarët maksimalisht kanë qeshur, ose kanë duartrokitur dronin, pas gjithë atij tensioni.

Dhe, kaq është spontante dhe diçka e vërtetë, që u del nga shpirti. Shqipëria e Madhe për ta nuk ka më kuptim. Ne i kemi sot dy shtete shqiptare dhe tre pakica në tre shtete të Ballkanit, të cilët pavarësisht problemeve, jetojnë si gjithë qytetarët e tjerë të rajonit. Paqja na ka ndihmuar më shumë se çdo luftë. Orientimi drejt Perëndimit. Ajo ka dhënë më shumë shanse të jemi bashkë, se çdo betejë apo regjim që kemi pasur.

Ndaj çdo gënjeshtër lufte nga ana e Shqipërisë, thjesht nuk ngjit atje ku duan të gënjejnë serbët, në Perëndim.

Ajo ngjit vetëm tek ata idiotët trushpëlarë në stadiumin e Partizanit. Atje ashtu ju pafshim!