Hidromorava

Larg vendlindjes, një jetë të tërë

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Një shok i imi më pati treguar se kurrë nuk e kishte menduar se do të instalohej dhe të jetojë gjatë në Zvicër ngase kishte ardhur për të punuar vetëm për tre muaj, me qëllim ta mësojë gjuhën frënge ngase i nevojitej për studime. Mirëpo, duke filluar të fitojë franga, më thoshte se ishte joshur, kështu që kishte vazhduar të punojë dhe i kishte braktisur studimet. Ka edhe shumë të tjerë bashkëkombës, të mos themi shumica dërmuese e tyre, por edhe migrantë tjerë, që kanë marrë rrugën e kurbetit me një ide të vetme, të punojnë një kohë dhe të kthehen në vendlindje për ta përmirësuar gjendjen ekonomike personale dhe të familjes së gjerë.

Sa prej tyre e kanë menduar se do të mplaken në kurbet? Asnjëri.

Sot, pas mbi një gjysmë shekulli migrimi në Zvicër, Gjermani, Beneluks, dhe në vende tjera perëndimore, shqiptarët janë karshi një tranzicioni ndërgjeneratë: Vala e parë e migrantëve pushon të jetë aktive dhe njëkohësisht ballafaqohet me dilema të ndryshme.

Tek personat e moshës së tretë shtrohet veçanërisht pyetja që të vazhdohet jeta në Zvicër apo në vendlindje, ose thënë ndryshe, të kalohet jeta e pleqërisë në mesin e familjes së gjerë në vendlindje apo me fëmijët, nipat dhe mbesat në kurbet. Falë mundësive të reja të udhëtimit low cost, shumica e tyre duket se e kanë zgjedhur një kompromis, duke lëvizur vazhdimisht mes familjes së gjerë në vendin e prejardhjes dhe familjes së ngushtë, e cila vazhdon të jetojë në vendin pritës.

KKVITI

Ky kompromis reflekton po ashtu edhe një dimension tjetër, ngase në njërën anë, personat e moshuar kanë nevoja më specifike, veçanërisht shëndetësore, të cilat nuk mund të plotësohen në vendlindje. Në anën tjetër, kur janë në Zvicër, edhe pse ndoshta e kanë familjen pranë, ndihen të izoluar dhe nuk kanë jetë sociale të plotësuar. Prandaj, përballë këtij kompleksitetit të nevojave specifike të gjeneratës së tretë janë duke lindur ide dhe iniciativa private të reja, të cilat plotësojnë pikërisht kërkesat dhe pritjet e shqiptarëve të moshës së tretë në diasporë.

Prandaj, duke u nisur nga ky konstatim, ky numër i revistës Alinfo.ch i kushtohet veçanërisht kësaj teme, por edhe çështjeve tjera me rëndësi në procesin e integrimit të shqiptarëve në Zvicër si dhe zhvillimin e vendeve të prejardhjes.

Dr. Bashkim Iseni, drejtor i platformës Albinfo.ch

albinfo.ch