UBT

Për nesër mbesin frytet e pashijuara

/ 1 minutë lexim
FIDANISHTJA

Poezi nga Sabit Rrustemi

Këpucët e reja nuk i hoqa nga vitrina
as ua ngjyva lëkurën me yndyrë të zezë
le të çlodhen nga udhët djersët hallet
Me të vjetrat bëra shetinë e mëngjesit
duke i numëruar hapat përgjatë lumit
brigjeve të lagura e të ndotura gjithandej
Barit të tharë të pakositur nga vjeshta
ndodh ta kem shtypur ndonjë gjallesë
ajri i paqtë më liroi nga dhembja e kresë
Në tryezë m’u servua buka e djeshme
ëndrrat u rishfaqën pauzave të ndërmjeme
pjesë – pjesë me pamje të hijezuara
Koha e mbetur e ditës u harxhua pa lidhje
magjisë së kujtesës a shpatit të çmalljes
pa ia çelur askujt ( e as ty) portën e ardhjes
Festat nuk sjellin më ftesa as telefonata
urimet vijnë eterit nëpër adresa të koduara
për nesër mbesin frytet e pashijuara

ARKATANA

( 17 shkurt 2017 )