Fundamenti

Mandati i lirë, jodetyrues dhe i pakushtëzuar

/ 6 minuta lexim
FIDANISHTJA

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Shumica parlamentare që përfaqëson vullnetin e shumicës së qytetarëve të Kosovës, u mblodh të enjten që shkoi për të ofruar propozimet për të gjetur zgjidhje për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

Ashtu siç e kemi thënë që nga seanca e 17 korrikut 2014, duhet të dëshmojmë se zgjidhja për formimin e institucioneve është në sallën plenare të Kuvendit, e jo jashtë saj, sepse kjo zgjidhje i takon vullnetit të lirë e jodetyrues të deputetëve, vullnet ky që duhet të shprehet nëpërmjet votës së lirë dhe pa presion kur të votohet për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit.

Ne i kemi bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht cilën parti ata përfaqësojnë, që të jenë të pranishëm në vazhdimin e seancës për të bërë një debat konstruktiv e demokratik në mënyrë që të bëjmë hapat e parë drejt gjetjes së një zgjidhjeje që do të nxirrte vendin nga kjo bllokadë institucionale. Por, siç u pa edhe të enjten që shkoi, pakica parlamentare, ashtu siç ka bërë edhe gjatë mandatit të kaluar, e bojkotoi Parlamentin.

Shumëkush e përmendi se para disa ditësh, Letonia, si shtet anëtar i BE-së dhe NATO-s dha një shembull se si funksionon demokracia parlamentare. Pavarësisht faktit që një parti pro-ruse i kishte fituar zgjedhjet, tri parti të tjera të qendrës së djathtë u bashkuan dhe formuan qeverinë, pasi ishin mandatuar nga Presidenti i vendit. E tëra që u është dashur të dëshmojnë këto tri parti është se e kanë shumicën e votave të deputetëve në Parlamentin letonez. Ishte kaq e thjeshtë. Në fakt, po kaq e thjeshtë është në çdo vend normal, ku demokracia nuk është vetëm demagogji e retorikë ditore por veprim e përkushtim konkret dhe i sinqertë.

Ajo që ne vazhdimisht kemi kërkuar është që edhe Kosova, pas 15 vitesh, të fillohet të trajtohet si një shtet normal, si një shtet ku funksionimi i demokracisë nuk është vetëm frazë në ligjet e Kushtetutën tonë, por praktikë që fillon pikërisht këtu, pra në Kuvendin e Kosovës, në vendin që do të duhej të njihej si tempull i demokracisë. Do të duhej të njihej ashtu, por është pikërisht këtu ku po shkelen parimet themelore të demokracisë parlamentare: po shkelet parimi i marrjes së vendimeve nga shumica, po shkelet parimi se nuk lejohet diktati i pakicës, po shkelet parimi se nuk lejohet ndikim politik mbi institucione të pavarura, po shkelet dhe nuk po lejohet fjala e lirë e deputetëve, por mbi të gjitha, po shkelet ajo që na është garantuar me Kushtetutë neve si përfaqësues të zgjedhur, pra se mandati ynë nuk i takon partisë dhe atë mandat nuk mund ta kufizojë, imponojë, detyrojë apo përcaktojë as partia e askush tjetër. Atë mandat e kemi marrë nga qytetarët, dhe e kemi për detyrë që para tyre, pra para qytetarëve të flasim hapur dhe të gjejmë zgjidhje për krijimin e institucioneve.

Hidromorava

Ata që po frikësohen që në Kuvend të dalin para qytetarëve, ata çdo ditë e kanë gojën plot fjalë për demokraci. Por se sa demokraci e sa zhvillim i kanë sjellë vendit, mund të pyeten me mijëra familje në Kosovë që jetojnë në varfëri ekstreme, mund të pyeten bizneset që kushtëzohen e shantazhohen, gjyqtarët e prokurorët që nuk lejohen të punojnë në mënyrë të pavarur, dhe qytetarët që bartin peshën e rëndë të korrupsionit nga zyrtarët publikë të instaluar nga kjo qeverisje në ikje. Ndërkaq se çka mendon Evropa sot për Kosovën, mjafton të lexohet Raporti i Progresit i publikuar para ca ditësh..

Shembulli i Letonisë, nuk është i vetmi në Evropë që na tregon se rregullat e demokracisë parlamentare duhet të respektohen. Shembuj të tillë ka të shumtë në shumicën e vendeve të Evropës, përfshirë edhe në vendet fqinje. Në të gjitha këto vende u respektuan parimet e njëjta. Përveç në Kosovë. Këtu, për hir të stabilitetit të rrejshëm e afatshkurtër, po tentohet të injorohet një realitet shumë i thjeshtë: PDK-ja po refuzohet nga të gjithë, me fajin e saj. Për shumë vite përgjatë të cilave kjo parti qeverisi me Kosovën, asnjëherë nuk i trajtoi partnerët e saj në mënyrë korrekte dhe asnjëherë nuk respektoi marrëveshjet e arritura. Asnjëherë nuk e mbajti fjalën. A kemi ndonjë arsye për t’i besuar më PDK-së? Ne, të gjithë njëzëri e kemi thënë JO. Nëse PDK mendon ndryshe, dhe mendon se ka kundërargumente, le të urdhërojnë në Kuvend, në vendin ku janë zgjedhur për të folur, dhe në Kuvend të flasin se pse ata e meritojnë të udhëheqin me institucionet. Mungesa e tyre e dëshmoi se ata kanë mungesë argumentesh.

Tani kemi një situatë të paqartë kushtetuese, si rezultat i një aktgjykimi i cili nuk sqaron se çka ndodhë nëse PDK dështon vazhdimisht në propozimet e saja. As ai aktgjykim e asnjë dokument tjetër i prodhuar deri tani apo që mund të prodhohet në të ardhmen, nuk mund t’ua imponojë deputetëve se si të votojnë apo për këtë të votojnë. Vota ime varet nga vullneti im i lirë. Unë, si deputete e Kuvendit të Kosovës kam përgjegjësi vetëm ndaj qytetarëve të Kosovës. Votën time nuk e imponon dhe nuk do të mund ta imponojë kurrë askush. I ftojë të gjithë deputetët, që këtë vullnet të tyre të lirë ta shprehin në Kuvend e jo jashtë tij.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe deputete në Kuvendin e Kosovës. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)