Urime, për ditëlindje, Republikë e Kosovës…(ese)!
Gjilan – Me çka ta uroj këtë ditë, Republikë e Kosovës? Me çka? Më thuaj, me çka dhe si…? Dihet: Ti erdhe e lënduar nga lufta. Erdhe e djegur dhe e shkatërruar nga barbaria serbe. Por, populli ynë i Kosovës kurrë nuk është gjunjëzuar para armikut barbar. Ky popull të ka dashur dhe ka luftuar den baba den për të ardhur gjer fitorja, Pavarësia e Kosovës. Prandaj, kjo ditë është e shenjtë, Kosovë e dashur dhe e shtrenjtë. Me qindra luftëra janë bërë gjer tek kjo ditë e pavarësisë. U bën luftëra për fitore. Dhe, ja, pas shumë luftërave, erdhi fitorja. Erdhi liria e fituar me gjakun e bijve tanë më të mirë të Kosovës.
Sa shumë të kemi dashur, Republikë jona, Kosovë. Sa të kemi ndryer thellë në shpirt në ato vargje që i lexonim tinëz në netët e errta, ku shihnim se, një ditë Pavarësia e atdheut tonë, Kosovës, do të ndodhë. Shpresa gjithnjë na ka mbajtur gjallë. Kemi jetuar me shpresë, se kjo ditë do të vijë, si erdhe tash e 9 vjet më parë. Dhe, 17shkurti i vitit 2008 është ngjarje e madhe dhe historike për popullin shqiptar. Kjo datë është shënuar me germa të arta në analet e historisë sonë më të re.
Edhe pas këtyre fjalëve, sot, kur po e shënojmë këtë ditë të shenjtë, nga zemra po ta urojmë: “Urime, për ditë lindje, Republikë e Kosovës”! Ti na erdhe si një lule që po të ujisim çdo ditë për të çelur më bukur në çdo kënd të vendit të lirë. Je bërë pjesa më e dashur e jetës. Nuk ka fëmijë që nuk ta ka kushtuar vargje për datëlindjen tuaj, Republikë e Kosovës. I gjithë populli, ashtu shend e verë, sot të uron nga zemra këtë ditë të shenjtë, duke shtuar: “Urime, për ditëlindje, Republikë e Kosovës!” Urime nga thellësia e zemrës. Erdhe si nuse e re. Erdhe me gjakun e dëshmorëve, të cilët nuk kursyen më të shtrenjtën e tye, jetën…
Për ditën e sotit, luftuan trimat tanë, si: Mic Sokoli, Azem Bejta, Isa Boletini, Idriz Seferi, Adem Jashari, Agim Ramadani e shumë të tjerë. Luftuan dhe, sot, përkulemi para veprave madhore të tye. Janë më të shenjtit e këtij vendi. Janë shenjtorë. Ata dhe vetëm ata meritojnë respektin nga të gjithë. Dhe, Lirinë na sollën, falë gjakut të tyre që nuk kursyen dot.
Sot, kudo, në çdo cep të atdheut, në Republikën e Kosovës, valon flamuri shtetëror dhe kombëtar. Valon dhe e hijeshon luftën liridashëse të bijve tanë. Fitorja e lirisë erdhi falë luftës së drejtë që bënë trimat tanë të paepur për liri. Agim Ramadani luftoi në Koshare, i cili pati lëshuar kushtrimin: “Mu shterrshin sytë pa lutue…”, Idriz Seferi, kalorësi i Karadakut jetik, lëshonte atë kohë kushtimin e thekshëm të tij: “U munova tanë jetën me ba kët’ vend Shqypni, por zor tu koka, bre”!
Pra, a do të mjatojë nga një urim, për këtë ditëlindje të Republikës së Kosovës, nga anë e kënd atdheut të Kosovës? A po don ta urojmë këtë ditë të shenjtë nga Stubllovaça e lartë e vendlinjes së Dom Mikelit, mësuesit të parë të shkollës shqipe më 1905? Republikë e dashur dhe shumë e
shtrenjtë, a ta urojme këtë datëlindje Tuajën me vargjet e Mirko Gashit nga Selishta, ku ka shtuar: “…në bebzat e të parëve të mi/ u zgjua e bardha agmi/ pushka krisi/ u mboll lisi/ u zhduk ferri/ lëshoi kushtrimin/ Idriz Seferi”?
Më thuaj, Republikë e Kosovës, me cilat lule të ta urojmë këtë ditë të madhe dhe të shenjtë? A mjafton me ato të lule të Rugovës e të malësisë së Bogës, të cilat kanë erë trëndafli e manushaqe? Apo, ta uroj këtë ditë të ndritur të lirisë me vargjet e Ali Podrimjes, tash i ndjerë, i cili pati shtuar: ”Kosova është gjaku im që nuk falet”?
Pra, Urime, datëlindja, Republikë e Kosovës! Urime! Urime dhe na jetofsh sa malet! Emrin Tuaj, Republikë e Kosovë, do ta ruajmë si sytë e ballit. Je foleja jonë më e ngrohtë e ardhmërisë. Je lule e pranverave të tona të hershme. Sot jemi të gëzuar më shumë se kurdoherë më parë . Republikë e Kosovës, je e ardhmja e këtij populli. Je gëzimi dhe hareja e jetës. Urime, për ditëlindje, Republikë e Kosovës!/ tefik selimi/rajonipress/


