Uji Dea

Lajmi i mirë është prapë lajm i mirë

/ 5 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Mimoza (Kusari)Lila – Komentet për raportin e progresit të publikuar ditë më parë nga Komisioni Evropian për progresin apo ngecjen e shteteve të cilat aspirojnë BE-në, do të marrin edhe disa javë diskutime dhe polemika. Varësisht nga pozita e partive politike apo individëve të caktuar, do të varet edhe këndi nga i cili do të interpretohet raporti.

Shpeshherë për politikat e integrimit thuhet se kanë konotacion politik apo në fund vendos politika. Do të konsideroja dështim të spektrit politik dhe jo politik në Kosovë, nëse nuk arrijnë ta shikojnë raportin përtej politikës dhe të fokusohen në gjetjet dhe rekomandimet e mirëfillta profesionale.

Në Kosovë e kemi ditur në masë të madhe, cilat do të jenë kritikat dhe komentet negative. Për ato kritika apo vlerësime negative flitet çdo ditë: në kafe, në zyrë, në shtëpi, në ndeja zyrtare dhe familjare. Themi se po abuzohet me tender, se nuk ka shpejtësi në zbatim të ligjit, se duhet vazhduar reformën në administratë (të punësohen më meritorët), etj. Por, rrallë e dëgjojmë veten duke e lavdëruar punën e dikujt, duke besuar se qëllimi madhor e tejkalon interesin personal. Në fakt, nuk besojmë se në Kosovë ka të tillë që për qëllimin madhor sakrifikojnë interesin personal, se të paktën ashtu sillemi dhe flasim sikur çdo gjë është zi e terr.

Për ata të cilët e kanë lexuar Raportin e Progresit si duhet, e kuptojnë se ka disa përparime në Kosovë. E vlerësojnë drejt dhe nuk mundohen ta përpijnë lajmin e mirë si një lajm i shkuar i pavlefshëm të përmendet.

Në këto rreshta, dua t’i jap vlerë dhe ta përmend lajmin e mirë.

Nga raporti i progresit është teksti si vijon:
Por, do të theksohet gjithashtu që sipas KE-së ka pasur një përkushtim mbresëlënës të të gjithë administratës në raport me negocimin e MSA-së. Por, do të përmendet se është e rëndësishme që agjenda reformuese duhet të ecë përpara në të gjitha fushat dhe mos të bëhet që fokusi në një apo dy fusha të krijoj ngecje nga ana tjetër.
Për ata të cilët nuk iu shërben kujtesa, po ju rikujtoj se 70% e MSA është komponenti tregtar i negociuar nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, e udhëhequr nga tani ish-Ministri Bernard Nikaj dhe sekretarja znj. Eljana Naka përgjegjëse për stafin civil dhe drejtoritë e MTI-së.

Jo rrallë i keni lexuar emrat e tyre në gazeta duke u përfolur për diçka të cilën shpesh të ka bërë për të qeshur, storie të sajuara, të zmadhuara, qëllimkëqija.
Të dy aktorët në fjalë, kanë mundur të jenë më të qetë, me të ardhura më të mira, jashtë institucioneve dhe jashtë politikës ditore të Kosovës. Ata besuan në vizion dhe në shtet dhe përkushtimin e tyre dhe administratës e cila i mbështeti, Bashkimi Evropian e karakterizon mbresëlënës.

Pyetja ime është kjo: sa sektorë tjerë kanë lënë “mbresë” te vlerësuesit e BE-së? Sa herë kanë shkruar pozitivisht mediet për këta aktorë që nuk e kanë politikën apo institucionet si mekanizëm të mbetjes gjallë, por e kanë sakrificë, secili në mënyrën e vet.

ARKATANA

Raporti thekson ende përparim për këtë dikaster:
Si pozitive do të shënohen përparimet e bëra në fushën e lëvizjes së lirë të mallrave, dhe në veçanti do të përmendet pozitivisht puna që e ka bërë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë. Këtu ka pasur edhe përmirësime në fushën e përafrimit legjislacionit.

Ndërsa ndihem krenare të kem pasur rast të kem besimin e tyre të punoj me ta, e di sa të rrallë janë. Sa shumë kemi nevojë për më shumë të tillë të cilët me vizion, profesionalizëm dhe përkushtim e shtyjnë murin me gjoks edhe kur të tjerët janë cinikë dhe nuk duan të besojnë në të mirën e përgjithshme.
Edhe një tjetër vlerësim pozitiv ceket për këtë Ministri:

Industria dhe NVM-të: Ka përmirësime në mjedisin biznesor përfshirë edhe procedurat për të themeluar kompani të reja. Por ky mjedis biznesor mbetet sfidues sidomos për shkak të dobësive në sundimin e ligjit, ekonominë joformale të madhe dhe moszbatimit të mjaftueshëm të kontratave, korrupsionit dhe mungesës së qasjes në financa.
Përkundrejt problemeve në ekonomi, në politikëbërje si pjesë e MTI-së ekziston një agjenci e sapothemeluar, KIESA, fuzion i dy agjencive të tjera (APIK dhe ANVM), të cilat si askush tjetër kanë filluar reformën e administratës dhe reduktimin e pozitave. Jo rrallë shahen e fyhen nga ata që u cenohen interesat, akuzohen pa arsye.

Drejtori i Agjencisë, i kthyer me magjistraturë nga SHBA-të, shkëlqen në promovim dhe ndërlidhje të institucioneve dhe bizneseve, pasi beson dhe e din që ka mundësi për sukses. Kosova mund të ketë sukses dhe ka potencial për sukses.

Në fund fare, lajmi i mirë, duhet të jetë lajm, kemi nevojë për të tillë.

Gjithashtu, kemi nevojë për më shumë Bernarda, Eljana dhe Valdrina të cilët ia shtojnë vlerën institucionit dhe ia zbardhin fytyrën shtetit. Për ta dhe gjithë të tjerët që pata rastin të punoj në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, një Faleminderit e madhe!

(Autorja është kryetare e Gjakovës dhe zv/presidente AKR-së. Ky artikull është shkruar ekskluzivisht për Tribuna)