UBT

I shkrumbuari i radhës

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Naser Sertolli – Për shkak të profilit të tij profesional, por edhe politik, është konsideruar si njeriu adekuat për pozitën që i qe besuar më 2011. Megjithatë, doktori i neuropsikiatrisë, Ferid Agani, përveç që dështoi në gjetjen e terapisë dhe trajtimit të përshtatshëm për ta shëruar shëndetësinë e sëmurë kosovare, po del që ka vazhduar t’i injektojë virusin vdekjeprurës, atë të korrupsionit.

Ndonëse askush nuk ka dyshuar në qëllimin e mirë dhe kompetencën e tij në fillim të mandatit, ministri Agani nuk ka mundur të bëjë përjashtim nga të gjithë paraardhësit e tij në Kosovën e pasluftës, të cilët shëndetësinë e vendit jo që nuk e nxorën për asnjë milimetër nga llumi, por e shkelën për ta zhytur edhe më shumë, sikur donin ta mbytnin një herë e përgjithmonë.

Në të vërtetë, Ferid Agani nuk ka mundur të bëjë kurrgjë për përmirësimin e gjendjes në shëndetësi përderisa për këtë i ka munguar vullneti shefit të tij. Ndonëse vite më parë kishte deklaruar se shëndetësia është prioritet i qeverisë së tij dhe se në këtë sektor do të investojë mjete të mëdha, Hashim Thaçi përveç llafeve nuk ka bërë as edhe një hap të vetëm në këtë drejtim. Sistemi shëndetësor i vendit vazhdon të jetë në të njëjtën gjendje, në mos edhe më keq se kur kishte premtuar se do të angazhohej seriozisht për të bërë përmirësime. Ajo deklarata e tij e bërë në QKUK, më 2008, “është për të ardhur keq që pacienti vjen këtu i sëmurë dhe del edhe më i sëmurë”, është aktuale edhe sot.

Sektori ka qenë i njohur për keqmenaxhim dhe afera edhe në kohën kur institucionet shëndetësore drejtoheshin bashkë nga zyrtarë vendorë e ndërkombëtarë. Skandalet nuk reshtën asnjëherë. Pse do të bënte përjashtim koha sa në krye të Ministrisë ishte Ferid Agani?!

Në këto kushte, përveç që nuk arriti t’i pengonte keqpërdorimet nga zyrtarë që ishin nën “komandën” e tij, vetë ministri Agani u gjend shpesh në thumb të akuzave dhe kritikave. Përveç akuzave për korrupsion, nepotizëm, punësim të bashkëpartiakëve, ministri është kritikuar fort për salltanetet e tij, sidomos për veturën e tij zyrtare super të shtrenjtë, në kohën kur spitalet e vendit vuajnë edhe për barnat e listës esenciale dhe për aparaturat nga më të thjeshtat.

Uji Dea

Duket se veprimet ose mosveprimet e tij si ministër kanë rënë ndesh edhe me parimet dhe programin e Partisë së Drejtësisë, një parti me rrënjë islamike, të cilën ai e drejton. Zyrtarë të lartë të saj, qysh në fillim të mandatit të Ferid Aganit si ministër ia patën kthyer shpinën atij, zyrtarisht për shkak se ai kishte tradhtuar elektoratin me premtimet që nuk po i realizonte. E tash së fundmi, kemi parë edhe një përçarje në PD. Së paku një deputet i saj ka treguar publikisht se nuk do ta votojë as Qeverinë Thaçi e as kryetarin e Parlamentit që do të propozohet nga koalicioni, pjesë e të cilit është formacioni i drejtuar nga ministri i Shëndetësisë në largim. Kjo për shkak se kryeministri Thaçi nuk e kishte respektuar një pikë të marrëveshjes për koalicion parazgjedhor, e cila kishte të bënte me ndryshimin e udhëzimit administrativ, përmes të cilit do të lejohej mbajtja e shamisë nga vajzat në shkolla.

Dhe, meqë është në një pozitë të palakmueshme, sepse nuk do të mundë të ndikojë në vendimin e deputetit Gëzim Kelmendi në Parlament, pasi që elektorati e ka ndëshkuar në zgjedhjet e fundit duke mos i dhënë besimin për të qenë aty, Ferid Aganit nuk i ka mbetur tjetër pos të lutet që kriza aktuale institucionale të zgjatë sa më shumë, me shpresën se duke qenë në pushtet do të ketë më shumë mundësi për t’u mbrojtur për të bëmat e tij dhe të bashkëpunëtorëve.

Sjellja prej servili karshi Hashim Thaçit mund të ketë qenë një mundësi tjetër mbijetese për të. Por, skandali që doli në shesh dy ditë më parë, e i cili e nxjerr të përlyer edhe ministrin, është shenjë se kryeministri e konsideron të përfunduar bashkëpunimin me Ferid Aganin, të cilin e shfrytëzoi dhe e dogji, e bëri shkrumb, sikur edhe çdo politikan tjetër që ka pranuar të bashkëqeverisë me të.

Kështu, si ministër, Ferid Agani s’do të mbahet mend për asgjë të mirë. Përkundrazi, ai do të kujtohet veç për afera. Sidomos për këtë që po ia përmbyll karrierën. Një përfundim dhe goditje e rëndë për neuropsikiatrin!