UBT

Bllokada institucionale, të gjithë humbës

/ 3 minuta lexim
Mobi Casa

Nga bllokada institucionale dhe politike në vend, po humbin të gjitha palët, por humbësit më të mëdhenj janë vetë qytetarët. Kështu vlerësojnë analistët politikë, sipas të cilëve, megjithatë, është Blloku LDK-AAK-Nisma dhe Vetëvendosje ai që duhet të lëshojë pe, ngase sipas tyre, PDK-së kjo situatë i konvenon ngase është në Qeveri.

Në rrethanat kur janë bërë katër muaj që Kosova nuk ka arritur t’i formojë institucionet e reja, analistët politikë kanë vlerësime të ndryshme, lidhur me atë se kush po humbë e kush po fiton nga kjo situatë.

Analisti politik Albert Krasniqi thotë se PDK-ja është ajo që i konvenon kjo bllokadë, andaj Blloku duhet të reflektojë.

“Në këtë situatë Blloku është duke humbur më së shumti, për shkak se nuk pritet që PDK-ja të lëshojë dorë, për shkak se ata e kanë qeverinë, janë duke vazhduar qoftë dhënien e tenderëve, qoftë postet e tyre janë duke i mbajtur në qeveri, kështu që ata nuk janë në situatë që mund të lodhen nga kjo bllokadë, kështu që Blloku duhet të tregohet më vizionar dhe të bëjë një zgjidhje në këtë rast”, u shpreh Krasniqi për Radio Kosovën.

Por, sipas analistit Artan Muhaxhiri, nga kjo bllokadë shtetërore nuk mund të ketë fitues, por të gjithë janë humbës.

Hidromorava

“Asnjë lider nuk është treguar vizionar, nuk është treguar kreativ në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje nga kjo bllokadë. Secili lider, secila parti janë barrikaduar brenda pozicioneve të tyre, madje nuk kanë dashur as të dialogojnë, kështu që ata janë humbësit më të mëdhenj, mirëpo humbës janë edhe qytetarët të cilët po i vuajnë pasojat e gabimeve të politikanëve”, tha Muhaxhiri për Radio Kosovën.

E vetë qytetarët thonë se janë ata që po humbin më së shumti dhe se tashmë as qytetarët nuk dinë cilës parti t’i besojnë.

Ndryshe, javëve të fundit presidentja Atifete Jahjaga ka zhvilluar disa takime të ndara me liderët e partive politike në përpjekje për gjetjen e zgjidhjes, mirëpo duke pasur parasysh qëndrimet e palëkundura të të dy blloqeve politike, zgjidhja nuk duket të jetë e afërt.

Në takimet që Jahjaga ka zhvilluar një ditë më parë me liderët e partive ka përmendur si opsion edhe mundësinë e zgjedhjeve të reja, të cilat Kosovës do t’i kushtonin buxhetit të shtetit rreth 5 milionë euro. /rtk/