UBT

U kthyen gjimnazistët

/ 4 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Maturantët e Gjimnazit Shoqëror “Zenell Hajdini” kanë përfunduar ekskursionin 6 ditor në Shqipëri. Ata u kthyen në Gjilan të premtën mbrëma. Autobusët e AT “SHARR TRAVEL” kanë mbërri në vendin ku i kishin marr nxënësit, të premtën, rreth orës 21:00. Prindërit dhe familjarë të tjerë kishin dal për t’i pritur fëmijët e tyre. Ata u shprehën të lumtur që fëmijët e tyre kishin kaluar bukur në ekskursion, pa pasur asnjë problem.

Drejtori i Gjimnazit Shoqëror, Sami Hoxha, është shprehur i relaksuar me përfundimin shumë të suksesshëm të ekskursionit. “Ishte udhëtimi më i këndshëm që kam bërë në Shqipëri.

Maturantët i dhanë gjithë bukurinë dhe e madhështuan kulturën dhe historinë tonë kombëtare të ruajtur e të skalitur nëpër monumente”, është shprehur Hoxha teksa ka falënderuar mësimdhënësit për përformancën e shkëlqyeshme gjatë gjithë ekskursionit.

Kryetari i Këshillit organizativ të ekskursionit, Musa Rahimi, e ka vlerësuar shumë të suksesshëm ekskursionin, duke falënderuar të gjithë kujdestarët e klasave për angazhim përkushtues.

Skënder Rrustemi, babai i Liridona Rrustemit, maturante, tha se ishte shumë i kënaqur që nxënësit kishin kaluar bukur në ekskursion. “Vajza më tha që kishte kaluar bukur dhe pa telashe”, u shpreh prindi.

Hidromorava

Kryetari i Këshillit të prindërve, Shkëlzen Mustafa ka thënë se me të gjithë ata që ka kontaktuar, që kanë pasur fëmijët në ekskursion, dhe me të tjerë që kanë qenë pjesë e organizimit të ekskursionit, ka marrë vlerësime shumë pozitive për mbarëvajtjen, disiplinën, akomodimin, ushqimin, udhëtimin…

Edhe nxënësit janë shprehur të kënaqur, ndërsa në ditën e fundit teksa po futeshin në autobusë për të marrë rrugë për në Krujë dhe Kosovë, ata u shprehën se mbajnë shumë kujtime të mira dhe të paharrueshme nga jeta në ekskursion. “Na kanë pëlqyer shumë Vlora, Berati, Tirana, Durrësi, Lezha, Kruja dhe vlerat e trashëgimisë së historisë sonë kombëtare që kemi parë aty”,janë shprehur maturantët Ramize Hasani, Kujtim Nexhipi, Diellza Salihu, Melisa Bajrami…

Në Durrës, në kompleksin hotelier-turistik “FAFA”, maturantët janë vizituar nga kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa të shoqëruar nga stafi i ambasadës së Kosovë në Tiranë. Kryetari Haziri e ka quajtur impresionues organizimin e ekskursionit, ndërsa ka shtuar se këta rinjë janë pasqyra e shtetit, imazhi dhe adresa e vërtet e Kosovës. E, drejtori Musa ka thënë se ekskursionet e tilla duhet të jenë shembull për organizim të disiplinuar dhe tërësisht me qëllim edukativo – arsimor.

Është vlerësuar nga nxënësit dhe mësimdhënësit se kompleksi hotelier – turistik “FAFA” dhe AT “SHARR TRAVEL” në tërësi dhe me përgjegjësi i kanë realizuar obligimet e tyre në akomodim, ushqim, ambient të këndshëm pushimi e relaksimi në kohën e lirë, si dhe transporti i nxënësve dhe mësimdhënësve në të gjitha qytetet e lartpërmendura, duke përfshirë edhe udhëtimin në Shqipëri dhe kthimin prapa në Kosovë ka qenë në nivel.

Gjatë qëndrimit 6 ditor në Shqipëri nxënësit kanë vizituar varrin simbol – memorialin e heroit kombëtar Skënderbeu në Lezhë, Shtëpinë e Pavarësisë në Vlorë, Muzeun Kombëtar në Tiranë, Kalanë e Beratit në Berat, Durrësin, Kalanë e Skënderbeut në Krujë.(n.buzuku)./rajonipress/