Hidromorava

Haziri vizitoi maturantët në Durrës, impresionohet me organizimin

/ 4 minuta lexim
Fundamenti

Durrës – Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri dhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa të shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Lladrovci dhe zëvendës ambasadori Sylë Ukshini, të mërkurën në mbrëmje kanë vizituar maturantët e Gjimnazit Shoqëror “Zenel Hajdini”, të vendosur në Durrës.

Kryetari Haziri ka përshëndetur mësimdhënësit dhe nxënësit e Gjimnazit, duke i uruar për kulturën, mirësjelljen dhe realizimin e suksesshëm të ekskursionit.

Haziri pasi është informuar nga drejtori i shkollës për ecurinë e deritashme të ekskursionit, ka thënë se është kënaqësi të punosh me këta nxënës të mrekullueshëm, me këtë rini të shëndoshë.

Haziri para maturantëve, nga të cilët është duartrokitur, ka thënë se edhe ai dikur ka qenë gjimnazist dhe gëzohet që po vazhdon tradita e shkëlqyer e gjimnazit, duke qenë shkollë elitare në edukim dhe arsimim.

Duke qenë pjesëmarrës i mbrëmjes, Haziri u ka thënë maturantëve se ju jeni adresa dhe imazhi më i bukur i Kosovës këtu dhe kudo që jeni. “Ju duhet të jeni shembull për familjet tuaja, për shkollën tuaj, për vendin tuaj – për atdheun tonë, kudo që jeni, duke reflektuar edukim, kulturë dhe nivel të lartë arsimor”.

Haziri ka përgëzuar mësimdhënësit dhe nxënësit për organizimin dhe realizimin e shkëlqyer të ekskursionit të këtij gjimnazi, duke qenë shembull dhe model për qëllimin edukativ dhe arsimor të ekskursioneve.

Ndërsa, drejtori i DKA-së, Nazmi Musa, ka thënë se kjo që është bërë këtyre ditëve dhe që po e shohim e ndjejmë tregon se maturantët janë të shkëlqyeshëm dhe mësimdhënësit kanë përkushtim të jashtëzakonshëm në mbarëvajtjen e ekskursionit.

Musa ka theksuar se nxënësit me këto ekskursione, që janë pjesë e procesit edukativ dhe arsimor, po njihen në realitet me të kaluarën e popullit tonë, me trashëgiminë kulturore dhe historinë tonë gjatë shekujve, mbi të cilat është ndërtuar dhe formësuar identiteti ynë historik,kulturor e politik.

Mobi Casa

Ai ka shtuar se atë që e kanë mësuar në libra, në aspektin teorik, tani e shohin praktikisht, dhe kjo lidhshmëri e mësimit teorik me praktikën është mundësia më e mirë e edukimit dhe arsimimit të rinisë sonë në aspektin kombëtar e qytetar.

Edhe ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Ramiz Ladrovci, ka thënë se është vlerë të kesh një rini të tillë dhe mësimdhënës të përkushtuar.

Drejtori i Gjimnazit Shoqëror “Zenel Hajdini”, Sami Hoxha, ka paraqitur ecurinë e ditëve të ekskursionit, mbarëvajtjen dhe ka falënderuar kryetarin e Komunës, drejtorin e DKA-së dhe ambasadorin e zv. ambasadorin e Kosovës në Tiranë për vizitën dhe mbështetjen e përkushtimin maksimal për nxënësit dhe mësimdhënësit.

Hoxha ka vlerësuar lart AT ’’SHARR TRAVEL’’ për transportin komod dhe respektimin e orarit të udhëtimeve, si dhe mirësjelljen e punëtorëve të kësaj agjencie. Ai ka shprehur konsiderata të veçanta për stafin e kompleksit hotelier-turistik ’’FAFA’’ për shërbimet e shkëlqyeshme në akomodim, ushqim dhe kushte të tjera.

Ndërkaq, pronari i AT “SHARR TRAVEL”, Ruzhdi Kurtishaj, ka falënderuar maturantët dhe mësimdhënësit e drejtorin për organizim të jashtëzakonshëm dhe është shprehur se prej vitesh nuk kanë pasur shkollë më të organizuar e të disiplinuar.

E, Zekri Sefa, nikoqiri i kompleksit ’’FAFA’’, është shprehur i kënaqur me nxënësit dhe stafin mësimdhënës për disiplinë dhe sjellje të shkëlqyeshme.

Maturantët kanë vizituar monumentet kulturore – historike, duke mësuar dhe duke u njohur me të kaluarën e trashëgimisë kulturore ndër shekuj – në Lezhë – varrin simbol (memorialin) të heroit kombëtar Skënderbeu, Vlorë – Shtëpinë e Pavarësisë, Tiranë- Muzeun Kombëtar, Berat – Kalanë e Beratit dhe Muzeun Onufri, Durrës – Kalanë e qytetit dhe pjesën antike të Durrësit, ndërsa nesër do të vizitohet Kruja.

Maturantët nga Gjilani kanë nisur vizitën me 5 tetor dhe do të kthehen në Kosovë me 10 tetor njofton bashkëpunëtori ynë Nexhat Buzuku./rajonipress/

Mund të ju interesoj: