Fundamenti

8 vjeçi promovon libër

/ 3 minuta lexim

Kristal Baftijari nga Vitia vjen për fëmijët me botimin e parë “Pasuria e fshatarit”. Shkrimitari i ri Kristal Baftijari, ka promovuar në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës librin e tij të parë “Pasuria e fshatarit”, para familjarëve, shokëve dhe shoqeve të tij.

Tetë vjeçi Kristal Baftijari, autori i librit “Pasuria e fshatarit” është dashur të hipte në një karrige për t’i përshëndetur të gjithë të pranishmit nga foltorja. Ai tha për “KultPlus”-in se imazhi i librit flet për humanitetin njerëzor.

“Guximi është ai që më ka shtyer ta shkruaj këtë libër, i cili ka të bëje me humanitetin, dhe me këtë libër kam dashur t’iu them të gjithë njerëzve që të jenë sa ma humanitarë.” ka theksuar Baftijari.

Ai ka treguar se si Gjoni, personazhi kryesor i këtij libri ka pasur katër djem të cilët i mendonte si pasuri të çmuar të familjes së tij. Vitet kalonin dhe Gjoni, sa herë i shihte djemtë, mendonte me vete, këta janë pasuria ime më e madhe. Projekti i tyre për të ndihmuar njerëzit e varfër po përparonte gjithnjë e më shumë. Gjoni ishte bërë gjysh, me nipër e mbesa, dhe po e plakte ditën me i gëzuar se asnjëherë me parë. Pak nga pak rrëfimi për Gjonin dhe katër djemtë e tij u përhapë në të katër anët dhe u kthye në legjendë.

Mobi Casa

Nga ana tjetër, redaktorja e këtij libri, Ana Kove nga Shqipëria, në këtë përurim ka çmuar lartë talentin dhe punën e Kristalit. “Kam pasur shumë pak intervenime drejtshkrimore në ketë libër, ku nuk kam pasur asnjë intervenim sintaksor, për arsye së është përshtatur me stilin e shkrimeve për fëmijë.” u shpreh Kove.

Ndërkohë, Kaltrina Sylejmani, para të pranishmëve ka lexuar disa paragrafe të librit “Pasuria e fshatarit”.
Në këtë përurim kanë folur, zv.ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajdin Abazi i cili ka komplimentuar Kristalin për realizimn e veprës së parë të tij, mësuesja e autorit, Habibe Zeqiraj, Dom Lush Gjergji, Jonuz Fetahu, Sabit Jaha dhe Xhemë Karadaku.

Libri “Pasuria e fshatarit”, ka gjithsej 40 faqe dhe i takon librave për fëmijë. Autori Kristal Baftijari u lind më 11 nëntor 2005 në Viti. Ai është aktualisht nxënës i klasës së dytë në shkollën fillore “Ismajil Qemajli” në Prishtinë. Ky është libri i tij i parë./ KultPlus.com/