718 delegatë votojnë pro Thaçit, 1 kundër
Në votimin për Kryetar të PDK’së kanë marrë pjesë 719 delegatë, nga ta 718 kanë votuar pro kandidaturës së Hashim Thaçit, derisa vetëm 1 delegat ka votuar kundër.
Në fjalën e tij para delegatëve, Thaçi i ka falënderuar për besimin e dhënë.
“Ju falënderoj për besimin që ma keni dhënë”, ka thënë ai.
“Në këto 13 vite PDK ka kaluar neper sfida dhe ka qenë përballë vendimeve të rënda, por bashkërisht i kemi tejkaluar këto situata. Kjo është vlerë e PDK’së”, ka pohuar Kryetari i PDK’së.
Më pas, ai i ka siguruar ata se partia, nën udhëheqjen e tij, do t’i fitojë zgjedhjet.
“Të nderuar delegatë, ju siguroj se si Kryetar i PDK’së do t’i fitojmë zgjedhjen lokale dhe nacionale”.
Një fjalë të shkurtër ka mbajtur edhe zëvendësi i deritashëm i Thaçit, Hajredin Kuçi.
“Jemi me fat që kemi një Lider që reflekton unitetin e partisë”, tha ai.
Tani delegatët kanë dalë në pauzë, për t’u kthyer më pas për procesin e zgjedhjes së Këshillit Drejtues të PDK’së.
Hashim Thaçi zgjidhet Kryetar i PDK’së
12:49 Hashim Thaçi është rikonfirmuar në krye të PDK’së, përmes votimit të hapur.
Ai u propozua kandidat për Kryetar nga Bajram Rexhepi.
Por, para se të votohej, Thaçi ka kërkuar nga delegatët që votimi për Kryetar të bëhet me votë të fshehtë, e jo me aklamacion. Ky propozim është hedhur në votim, dhe përveç Thaçit, të gjithë delegatët kanë votuar që votimi të jetë i hapur.
Dhe kështu ka ndodhur.
Vetëm një delegat ka votuar kundër Thaçit, të gjithë kanë votuar pro kandidatrës së tij.
Aktualisht, Kryetari i sapozgjedhur i partisë më të madhe në vend po mban një fjalim para të pranishmëve.
12:42 Hashim Thaçi është zgjedhur Kryetar i PDK’së, unanimisht, me aklamacion.
Nis Kongresi i PDK’së, zgjidhet Kryesia e Punës
12:14 Kryesia e Punës ka hapur diskutimin për delegatët e PDK’së.
Aktualisht po flet Arsim Bajrami, derisa më herët të pranishmve iu ka drejtuar Rexhep Hoti.
Ai ka thënë se Jakup Krasniqi duhet të jetë i pranishëm në strukturat udhëheqëse të partisë, pavarësisht se refuzoi të jetë pjesë e Kongresit Zgjedhor.
“Nëse nuk përfshihen gjithë figurat kyçe të PDK’së, nuk kemi bërë asgjë”, tha Hoti, i cili në mandatin e kaluar ishte deputet i PDK’së për një kohë të shkurtër.
11:40 Para pak çastesh ka nisur punimet Kongresi i Gjashtë Zgjedhor i Partisë Demokratike të Kosovës.
Hapjen e punimeve e ka bërë Basri Musmurati, i cili ka prezantuar Raportin e Punës së Këshillit dhe Kryesisë së PDK’së.
Më pas është zgjedhur Kryesia e Punës.
Për këtë detyrë janë zgjedhur Enver Hoxhaj, Hajredin Kuçi, Flora Brovina, Vlora Çitaku, Xhavit Haliti, Ganimete Musliu, Arsim Bajrami, Drita Kadriu dhe Ramë Buja.
Në agjendën e Kongresin tash janë miratimi i ndryshimeve statutare, derisa në mesditë pritet të zgjidhet Kryetari i partisë dhe më pas do të votohet për Këshillin Drejtues.
Deri më tash Hashim Thaçi është kandidati i vetëm për postin e të parit të PDK’së.(express)


