6 marsi, afati i fundit për Thaçin president

Atifete Jahjaga, mund të shpall zgjedhje të parakohshme, në rast se polemikat rreth zgjedhjes apo dështimit të Hashim Thaçit në krye të këtij institucioni vazhdojnë deri më 7 mars.
7 marsi mund të jetë data kur presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, mund të shpall zgjedhje të parakohshme, në rast se polemikat rreth zgjedhjes apo dështimit të Hashim Thaçit në krye të këtij institucioni vazhdojnë deri në këtë datë, raporton RTV Dukagjini.
Vetë Thaçi e ka konfirmuar publikisht se mund të zgjidhet president i vendit para datës 5 mars bazuar në marrëveshjen që kanë me partnerin e koalicionit, Lidhjen Demokratike të Kosovës së Isa Mustafës.
Gjithçka që dihet pavarësisht situatave me të cilat mund të përballet vendi rreth zgjedhjes së presidentit të vendit, është se presidenti duhet të zgjidhet para datës 7 mars meqë pesë vjet më parë në këtë pozitë ishte votuar Atifete Jahjaga, ku kësaj të fundit i përfundon mandati me 7 prill.
Neni 86 pika 2 e Kushtetutës së Kosovës thotë se zgjedhja e presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.
E nëse kjo llogaritet, atëherë vendi duhet të bëhet më president të ri më së largu deri më 6 mars.
Në rast se Kuvendi deri më këtë datë nuk arrin ta zgjedh presidentin, atëherë Kuvendi duhet të shpërbëhet dhe presidentja Atifete Jahjaga duhet të shpall datën e zgjedhje të parakohshme që do të mbaheshin në afatin prej 45 ditësh.
Një situatë e tillë do ta thellonte edhe më shumë krizën politike në vend, pasi që deri në zgjedhje të reja vendi do të mund të mbetej edhe pa president, por edhe pa ushtrues detyre për shkak të përfundimit të mandatit të Jahjagës dhe shpërbërjes së Kuvendit.
Kushtetuta e Kosovës e thotë qartë se në rast se presidentit të vendit i skadon mandati, apo për cëshjte të tjera nuk mund ta ushtroi këtë pozitë, atëherë deri në zgjedhjen e presidentit të ri, rolin e të parit të shtetit e merr kryetari i Kuvendit.
Por në këtë rast Kuvendi do të ishte i shpërbërë dhe kryetar i Kuvendit nuk e ka legjitimietin që të marrë përkohësisht detyrën e presidentit.
Burime të RTV Dukagjini ka bërë të ditur se në qarqe të ndryshme institucionale dhe politike janë duke i diskutuar të gjitha këta skenarë dhe mundësitë e evitimit të tyre, në mënyrë që vendi të mos futej në një krizë edhe më të thellë politike.