50 mijë euro për një pozitë

Shikuar dhe analizuar nga këndvështrimi i analistëve të pavarur, proceset politike në shtetndërtimin e Kosovës, sidomos pas shpalljes së pavarësisë, janë shndërruar në biznese të pista, kur po trafikoheshin e shiteshin kriminalisht e pandalshëm të gjitha pozitat e larta qeveritare dhe kjo po vijon deri në ditët e sotme, edhe nga qeveria aktuale.
Shpesh është folur edhe për koston e pozitës së një posti ministri, zv. ministri, deputeti, ambasadori, drejtori apo sekretari permanent. Kjo flet më së miri se si po arrihen këto poste edhe përmes shantazhit nga nëntoka, derisa, nga ana tjetër, gjithmonë të dëgjueshmit e “të mëdhenjve” dhe njerëzit e nëntokës kriminale për 18 vjet me radhë marrin poste qeveritare, vetëm që të jenë në dispozicion të interesave të këtyre lidhjeve kriminale. Analisti Florim Zeqa i tha gazetës “Kosova Sot” se qeveritarët e pasluftës, që në fillim të punës së tyre, nga shërbyes të shtetit të ri të Kosovës u shndërruan në pushtetarë dhe biznesmenë të pistë, matrapazë dhe trafikantë të posteve qeveritare përmes shitjes kriminale të pozitave të larta qeveritare, dukuri e cila fatkeqësisht po vazhdon edhe në ditët e sotme. “Kostoja e një posti politik gjithnjë ka variuar nga pozicioni, vendi dhe lartësia e tij. Si gjithnjë, postet e larta shtetërore janë shitur dhe kontrabanduar nga nëntoka kriminale”, potencoi ai.
Emërimet fitimprurëse
Sipas Zeqës, njerëzit e afërt me pushtetarët apo të dëgjueshmit e nëntokës kriminale kanë ardhur më lehtë deri të postet ministrore, ndërsa ata që nuk ishin të lidhur me nëntokën kriminale është dashur t’i nënshtrohen shantazhit të të “mëdhenjve” ose të paguajnë kosto të lartë materiale. “Pa dyshim, biznesi më i pistë është zhvilluar me emërimin e ambasadorëve dhe konsujve të Kosovës në shtetet perëndimore, ku shpeshherë janë emëruar diplomatë analfabetë nëpër përfaqësitë diplomatike të shtetit tonë, përderisa kuadrove të përgatitura dhe profesionale u janë vënë kushte me çmime astronomike për t’u bërë pjesë e stafit diplomatik”, u shpreh ai, duke dhënë edhe një rast konkret.”Këtë që e ceka më sipër dëshiroj ta ilustroj me një shembull konkret. Me rastin e hapjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Romë, një bashkatdhetari me qëndrim të përhershëm në Itali nuk i mjaftuan 50 mijë euro për t’u bërë pjesë e stafit diplomatik, edhe përkundër faktit që i kishte plotësuar të gjitha kriteret për qenë pjesë e stafit diplomatik. Kjo është e vërteta e hidhur e ‘qeverisjes’ së shtetit përgjatë 10 vjetëve të kaluara. Përderisa të vazhdojë kjo logjikë e qeverisjes dhe emërimit në postet e larta shtetërore, si e ajo e pozitës së një posti ministri, zv. ministri, deputeti, ambasadori, drejtori apo sekretari permanent nuk do të kemi perspektivë të mirë zhvillimore dhe as të anëtarësimit të BE-së dhe OKB-së”, tha Florim Zeqa.
Skllavërimi institucional
Analisti politik Blerim Burjani thekson se deri te kjo gjendje shteti i Kosovës ka arritur sepse që në fillim është kapur nga rrjetet kriminale të veshura me petkun e politikës.”Politika kuptohet si mjet përfitimi prej këtyre njerëzve që nuk kanë edukatë të mirëfilltë, përderisa klasa intelektuale ka abstenuar kaherë nga kjo klasë, sepse e kanë kuptuar se kjo klasë “politike” është e kriminalizuar në përmasa dramatike, të cilat tani i ka marrë vetë shteti. Ti marrim tani dhe t’i analizojmë CV-të e kandidatëve të tanishëm për Asamble komunale dhe do të na dalë se mbi 90 % e kandidatëve deri dje ishin të papunë. Kjo tani shkurt e shqip i bie që kjo klasë politike anarkiste ka vendosur sistemin e skllavërimit dhe kjo tregon që vetëm kush është me këtë klasë politike mund të përfitojë, por paraprakisht duhet t’u nënshtrohet urdhrave të liderit ose ndryshe rrezikon të mbetet në rrugë”, vijoi më tej ai. Sipas Burjanit, kjo është një gjendje alarmante, e rrezikshme skajshmërisht për demokracinë. “Ne e dimë fare mirë që në këtë mënyrë nënshtrimi dhe servilizmi, apo edhe përmes shantazheve të ndryshme kanë arritur të bëhen shumë individë nëpër kohë të caktuara ministra të shumtë dhe zëvendësministra, që kanë shërbyer kot së koti, ngase edhe ashtu kanë qenë të padijshëm. Pra, tanimë në gjeneral është krijuar bindja dhe është përçim i mesazhit se për të marrë poste duhet nënshtrim dhe gjunjëzim, nëse dëshiron sado pak të dalësh nga kriza sociale”, theksoi analisti Burjani
Modeli i turpshëm politik
Analisti Mustafë Kadrijaj, duke ironizuar me këtë klasë politike të inkriminuar, thotë politika kosovare ka zbuluar një praktikë të re qeverisëse dhe një model tjetër të të bërit biznes, sepse po del që biznesmenët më të suksesshëm në Kosovën e varfër po dalin partitë politike dhe politikanët që janë bërë njerëzit më të pasur, sepse pikërisht këta kanë arritur të grumbullojnë edhe në llogaritë e tyre bankare mjete marramendëse, e po aq më shumë ju qarkullojnë edhe në kesh.”Ndërsa bizneset e ndershme të palidhura me politikën përpëliten me kredi, që shumica edhe dështojnë dhe falimentojnë. Kur e them këtë bazohem në të dhënat konkrete që në periudha të ndryshme kohore publikohen edhe nga ATK-ja”, theksoi ai.”Mendoj që edhe ndarja e posteve po në këtë qeveri është shembulli më i mirë që flet se cili është qëllimi i partive politike që nuk e kanë fare problem hallin e qytetarëve, por vetëm interesat e tyre. Ta marrim shembullin konkret, sikur që janë AKR-ja dhe Behgjet Pacolli, që gjatë gjithë fushatës kanë hedhur akuza në drejtim të koalicionit PAN, saqë iu ka kujtuar se e kanë vendin në burg, por ja që po i njëjti Behgjet Pacolli bëri marrëveshje po me ata njerëz të PAN-it dhe i harroi sharjet, zotimet, premtimet dhe qëndrimet”, u shpreh Kadrijaj.
Edhe analisti Ali Hertica pohon se atë që politika e bëri pas pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë gjë tjetër veçse rritja dhe avancimi i biznesit të pistë nën petkun e politikës. “Politikanët e inkriminuar gjithandej e kapën shtetin, kryesisht nëpërmes të privatizimit të dyshimtë të pronës shoqërore, që e transformuan në pronë private vetëm për përfitime individuale apo grupore, jo për interes zhvillimor të vendit, sikur është shkruar dhe sanksionuar në letër, por shkoi gjithçka e humbur, e kapur për interesat korruptive të politikanëve të të dyja niveleve, atij lokal dhe atij qendror. Edhe vetë këta kriminelë të politikës lidheshin e shiteshin për pozita të larta”, vlerë- soi ai.
Kohë diletantësh
Politologu Arsim Haziri ka pohuar lidhur me këtë gjendje se është fakt që pushteti i sotshëm është konstatuar, madje shumë herë prej të gjithëve se ka qenë vazhdimisht në mbrojtje vetëm të qëllimeve personale, jo edhe ashtu si në vazhdimësi është deklaruar, pushtet për qytetarë dhe për konsolidimin e shtetit. “Gjithë pushtetet deri më tani e kanë përdorur politikën për t’u pasuruar dhe për të zaptuar aparatin shtetëror dhe mbi këtë bazë sot jemi të neglizhuar në çdo sfere shtetërore dhe Kosova me të vetmen gjë që mund të dallohet është zhvillimi i lartë i dukurive negative, duke specifikuar veprimtarinë e pandalshme të krimit të organizuar”, u shpreh ai. “Kosova është vendi me pasuritë më të mëdha e me varfërinë më të lartë evropiane, këtë absurditet duhet çmontuar dhe zëvendësuar më qeverisje të dinjitetshme dhe të përgjegjshme karshi nevojës qytetare”, tha Arsim Haziri.
Ndërsa analisti dhe publicisti Skënder Mulliqi thotë se për faj të kësaj politike as një hallkë nuk funksionon pa defekte të mëdha. “Kemi arsim të nivelit të dobët, shëndetësi në kolaps, tenderomani , administratë gjithashtu të dobët, krim dhe korrupsion, patëm një privatizim përfitues dhe zhvatës, nuk kemi investime dhe investitorë të jashtëm pa të cilët zor se kalohet kriza ekonomike”, u shpreh Mulliqi.”U bënë ministra, deputetë, ambasadorë… shumë diletantë politikë, duke i përjashtuar nga gara ata që janë të zotët për poste të tilla të larta udhëheqëse. Situata e keqe politike dhe ekonomike që shumë kohë më së shumti ka zhgënjyer rininë, të cilët shohin dhe provojnë mashtrimin dhe nënshtrimin nga njerëzit e politikës”, ka thënë analisti Mulliqi.
(Kosova Sot)