RCCOLA

3G e IPKO-s, fundosi PTK-në

/ 11 minuta lexim
Mobi Casa

Ndërmarrja që dikur njihej si më fitimprurësja në vend, Posta dhe Telekomi i Kosovës, po shkatërrohet. Kështu së paku vlerëson ish-drejtori i kësaj kompanie, Shyqyri Haxha, i cili e bën fajtor menaxhmentin dhe Qeverinë e Kosovës për këtë.

Në një intervistë për Tribunën, ai flet për parregullsitë që e kanë përcjellë këtë ndërmarrje nëpër vite. Sipas tij, duket si e qëllimshme humbja e vlerës së PTK-së. Kjo, Haxha thotë se është parë në bllokimin e investimeve gjatë kohës sa ka qenë kryeshef për të mos qenë në hap me konkurrencën kjo ndërmarrje.

Ai pohon se PTK ka pasur mundësi shumë më të mëdha se IPKO që të startojë me 3G, sepse ka pasur një qëndrueshmëri shumë më të mirë financiare.

Tribuna: Si e vlerësoni procesin e privatizimit të PTK-së dhe shtyrjet që po ndodhin?

Haxha: Procesin e privatizimit të PTK-së e kanë përcjellë parregullsi të mëdha. Shtyrjet e njëpasnjëshme lënë hapësirë për jotransparencë, dyshime dhe ndërhyrje. Asnjëherë nuk është sqaruar opinioni qytetar pse kanë ndodhur këto shtyrje të njëpasnjëshme, cilat ishin arsyet e vërteta të shtyrjeve. Pra pse ndodhën këto shtyrje? Do të ishte e kuptueshme të ndodhte një shtyrje por pse ndodhën shtyrjet e njëpasnjëshme radhazi, asnjëherë nuk është justifikuar.

Tribuna: Kush është fajtor që kjo kompani gjatë muajit shtator ka pasur rënie të fitimeve për 64 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar?

Haxha: Kjo rënie e fitimit është e papranueshme dhe për këtë rënie mbajnë përgjegjësi Menaxhmenti, Bordi, MZHE dhe Qeveria. Të gjithë faktorët e cekur mbajnë përgjegjësi për këtë rënie sepse asnjë hap nuk është ndërmarrë nga asnjëri nga këto institucione që të shmanget kjo humbje. Nuk ka asnjë arsye të justifikueshme për këtë rënie kaq të madhe. Mos harroni, nëse kjo rënie krahasohet me vitin 2011, atëherë rezulton se bëhet fjalë për një rënie shumë më të madhe në vlerë prej 80-90 për qind. Është shumë e çuditshme dhe e papranueshme indiferenca dhe komformiteti që ka krijuar Qeveria karshi kësaj rënieje dhe dëmtimit të PTK-së. Dua të ju përkujtoj se trendi i rritjes së PTK-së nga viti 2009-2010-2011 ka qenë shumë i madh prej viti në vit. Që do të thotë se po që se krahasohet kjo rënie e këtij shtatori prej 64 përqindëshit me trendin e rritjes në vitet 2009-2010-2011, atëherë rënia është shkatërruese.

Tribuna: Si do të ndikojë në performancën e PTK-së fillimi i aplikimit të 3G-së nga konkurrenti IPKO?

Haxha: Lansimi i 3G-së nga IPKO është shkatërrues për PTK-në, sepse shërbimet që IPKO sot me 3G ofron janë tejet të avancuara krahasuar me ato të VALA/PTK-së. Prandaj performanca edhe ashtu e ulët e PTK-së tash me Lansimin e 3G-së nga IPKO do ta fundosë PTK-në. Përgjegjësinë për këtë fundosje prapë e mban Menaxhmenti, Bordi, MZHE, dhe Qeveria. Që nga viti 2008 është folur për privatizimin e PTK-së, a thua është dashur që nga kjo kohe PTK të rrijë duarkryq karshi zhvillimeve dhe ofrimit të shërbimeve të Telekomit. Unë gjatë menaxhimit të PTK-së kam ‘luftuar’ me krejt potencialin tim që ta zhvilloj PTK-në në mënyrë që mos të vijë deri te kjo situatë që ndodhet PTK sot.

Unë atëherë kam kërkuar që të lansohen projekte vitale që do ta rrisnin vlerën e PTK-së dhe që PTK do të ofronte shërbime të avancuara me çmime shumë të volitshme te të gjithë qytetarët e vendit, përfshirë këtu edhe zonat ku banojnë minoritetet serbe. Pra unë kam kërkuar që PTK ta lansojë 3G dhe “Fibere-To-The-School (FTTSH)”, shtrirja e fijeve optike te të gjitha shkollat e vendit, afërsisht 1100 shkolla në tërë vendin. Janë bërë të gjitha përgatitjet për këto projekte qysh atëherë, kemi punuar shumë me stafin e PTK-së që sot kryesisht janë anashkaluar nga po i njëjti bord dhe ky menaxhment që ta rrisim vlerën dhe të mbajmë PTK-në lider të ofrimit të shërbimeve jo vetëm në vend por edhe në rajon. Lansimi i FTTSH (fijeve optike në shkolla) do ta vendoste Kosovën në mesin e top 10 vendeve në botë me ofrimin e shërbimeve të brezit të gjerë, apo thënë në gjuhen profesionale “Broadband Internet or High-Speed-Data Transmission). Lansimi i FTTSH ka qenë ëndrra ime, sepse tërë karrierën time profesionale si në doktoraturë (MSc, PhD) në hulumtime shkencore në Britani të Madhe ku mbi 100 publikime shkencore i kam publikuar në këtë sferë. Por kjo nuk na u lejua! Jam munduar të angazhoj shumë miq ndërkombëtarë që të na ndihmojnë që mos të ndalen këto projekte, por nuk kemi arritur ta jetësojmë. Më duhet ta falënderoj përzemërsisht publikisht edhe pas një kohe të gjatë ish-ambasadorin Anglez, Andy Sparks i cili ka bërë çmos që ta ndihmojë PTK-në që ta jetësojë këtë projekt. Por ky projekt si edhe të tjerët u ndaluan dhe PTK nuk u privatizua! Pra as nuk ndodhi implementimi i vizionit tim (3G, FTTSH…etj) as nuk u privatizua PTK. Pse erdhi deri te kjo gjendje, për mua ishte dhe ende mbetet e pakuptueshme.

Tribuna: A ka mundur edhe PTK të startojë me 3G tani sikurse IPKO?

Haxha: Ashtu siç e ceka edhe më lart, unë kam këmbëngulur që 3G të startojë sa më shpejt që është e mundur. PTK ka pasur mundësi shumë më të mëdha se IPKO që të startojë me 3G, sepse PTK ka pasur një qëndrueshmëri shumë të mirë financiare, pra ka qenë debt-free dhe pa obligime, ka qenë lider, andaj avancimi nga 2G (2.5G-2.7G terminologji e përdorur nga alcatel) ka qenë i mundur sepse ne kishim punuar shumë që ta ngrisim efikasitetin në punë dhe jetësojmë projekte anësore si në hardware dhe software, dhe ngritjen e kapaciteteve njerëzore që ndikonin direkt në lehtësimin e implementimit të 3G-së shumë shpejt. Gjithashtu i kemi bërë presion ART-së atëherë që të lejojë brezin frekuencor 1800Hz dhe ajo ka ndodhur. Pra me një fjalë po të lejohej vizioni ynë, qysh atëherë PTK do të kishte 3G dhe shtrirjen e fijeve optike para IPKO-s.

Eco Higjiena

Tribuna: Qeveria ka marrë vendim që t’i lejojë PTK-së investimet të cilat i kishte ndaluar më herët. Si e vlerësoni këtë vendim?

Haxha: Vlen të përmendet se investimet janë cunguar menjëherë posa ne kemi filluar në PTK, pra pas një kohe janë ndalur investimet, por për çudi, investimet janë lejuar menjëherë posa ne kemi dalë nga PTK. Pra Qeveria këtij menaxhmenti nuk ia ka ndaluar investimet deri para disa muajsh. Ndalja dhe lejimi i investimeve është bërë pa ndonjë plan të menduar mirë, pothuaj është bërë sipas tekeve jo sipas ndonjë analize të detajuar. Joprofesionalizmi i MZHE-së, ekipit për privatizimin e PTK-së dhe moskëmbëngulësia e Menaxhmentit të PTK-së dhe Bordit ka bërë që PTK të jetë në një situate si në lojën e shahut “PAT”. Dikush mban përgjegjësi për këtë situatë në PTK, nuk ka mundësi që kompania më fitimprurëse të sillet në këtë situatë dhe askush mos të mbajë përgjegjësi! Dikush diku në këtë proces mban përgjegjësi dhe duhet të japë llogari!

Tribuna: Çfarë duhet të bëjë PTK për të qenë në hap me konkurrencën?

Haxha: Kjo tash është një pyetje tejet e vështirë për t’u përgjigjur kur kemi parasysh faktorët e përfshirë që kanë sjellë këtë kompani në këtë gjendje sot. Së pari duhet të dihet qartë nëse do të privatizohet PTK! Nëse privatizohet, atëherë është investitori privat ai që jetëson strategjinë e zhvillimit të PTK-së. Në rast se nuk privatizohet, atëherë duhet të merren aktivitete tejet të vështira që PTK të zhvillohet në hap me konkurrencën. Kur them të vështira, mendoj në largimin e ndikimit të politikës nga PTK, dhe instalimin e një bordi dhe menaxhmenti shumë profesional apolitik.

Tribuna: A do ta shpëtojë privatizimi këtë ndërmarrje nga rënia e mëtejme e vlerës?

Haxha: Jo, as investitori privat nuk do të mund ta ndalë shpejt trendin e rënies së vlerës së PTK-së. Pra do të marrë kohë, angazhim dhe investime të mëdha që të ndalet rënia e vlerës së PTK-së dhe ofrimi i shërbimeve në raport me konkurrencën në këtë rast IPKO-n. Më vjen keq të them por këtu do të pësojnë punëtorët e PTK-së dhe për një kohë bukur të gjatë PTK nuk do të mund të ofrojë shërbime të avancuara. Pra derisa PTK të këndellet dhe të arrijë qëndrueshmërinë e duhur, merr kohë, angazhim dhe investime.

Tribuna: Çfarë duhet të bëjë qeveria dhe menaxhmenti aktual në rast se dështon procesi i privatizimit?

Haxha: Qeveria duhet të identifikojë njerëz kompetentë brenda institucioneve që të angazhohen rreth PTK-së në mënyrë që të adaptojë një strategji të mirëfilltë të zhvillimit të PTK-së për një afat të saktë të caktuar. Pra duhet të definojë qartë pikat kryesore të zhvillimit të PTK-së. Dhe më pastaj qeveria duhet t’i mbajë duart larg zgjedhjes së menaxhmentit dhe interferimeve politike. Ky menaxhment komplet së bashku me bordin duhet larguar nga PTK, bile të mbahet sa më larg ndërtesave të PTK-së. Qeveria ka llogari që këtë menaxhment ekzistues komplet ta dërgojë në pension me pagesë vetëm e vetëm të mos ketë asnjë qasje në PTK.

I zhgënjyer me politikën

Tribuna: Keni paralajmëruar më herët se do të futeni në skenën aktuale politike. Cilit subjekt politik do t’i bashkoheni?

Haxha: Unë mendoj se qytetarët e Kosovës përfundimisht kanë vendosur që të vlerësojnë punën dhe njerëzit e suksesshëm. Kosova është ende në fazën e tranzicionit dhe ende nuk është duke mundur të dalë nga kjo ‘humnerë’ e cila është duke i kushtuar aq shumë, si në politikë ashtu edhe në ekonomi. Dëmi që po i bëhet është i pakompensueshëm dhe i papranueshëm.

Servilizmi politik, sharlatanizmi i politikanëve të dashuruar në vetveten, papërgjegjësia, jokompetenca dhe kultura shantazhuese dhe mashtruese që është instaluar në institucione është tepër e rëndë dhe po dëmton të ardhmen e vendit. Në Kosovë ka individë dhe intelektualë shumë kompetentë, por atyre nuk iu jepet mundësia për t’u angazhuar. Sot në Kosovë, intelektuali përdoret si vegël nga të paditurit për të arritur qëllime të ulëta politike. Vendi nuk mund të zhvillohet me gënjeshtra dhe mashtrime sepse të gjitha gënjeshtrave dhe mashtrimeve po u bien maskat. Në Kosovë nuk mund të ndërtohen ‘Liderë Fallco’ në kurriz të të tjerëve dhe duke shkelur dhe shtypur shtresën intelektuale. Kosova nuk zhvillohet pa ekspertë të mirëfilltë vendorë, të cilët janë përgatitur dhe shkolluar edhe dëshmuar në perëndim. Sot vendi është mbërthyer nga individë me diploma të blera dhe pseudointelektualë të cilët kanë instaluar kulturën e ‘Gënjeshtrës’ ‘Mashtrimit’ ‘Shantazhit’ dhe ‘Frikës. Sot njerëzit e ndershëm përbalten nga këto kategori shkatërruese të vendit vetëm e vetëm që të thyhen, frikohen dhe mos t’u dalin përballë këtyre aktorëve shkatërrues të vendit. Kjo është e papranueshme dhe sa më shpejt që shtresa e mirëfilltë intelektuale ta marrë guximin që të konfrontoj këto pseudovlera, aq më shpejt Kosova do të hyjë në BE dhe vendi do të prosperojë.