38-vjeçari i alkoolizuar vret veten me thikë

Rreth orës 19:00 të ditës së djeshme një 38-vjeçar ka gjetur vdekjen në spitalin e qytetit të Durrësit i goditur me thikë në zemër. Policia bën me dije se viktima është Lush Peci me origjinë nga Tropoja dhe banor i lagjes 15 në qytetin bregdetar. Para se të mbërrinte në spital viktima Peci është grindur me bashkëshorten e tij Valbonën në sy të dy fëmijëve të mitur.
Korenspondentja për News 24 Klodjana Haxhiaj bën me dije se ngjarja ka ndodhur në banesën e çiftit Peci. Sipas informacioneve të mbledhura nga korenspondentja 38-vjeçari ishte një person i alkoolizuar dhe grindej shpesh me bashkëshorten.
Për të qetësuar situatën bashkëshortja e viktimës ka thirrur edhe vëllanë e 38-vjeçarit, por pasi është grindur edhe me të vëllanë Lush Peci ka marë thikën dhe ka goditur veten në zemër.
Sipas policisë familjarët e kanë nisur 38-vjeçarin menjëherë drejt spitalit por ai nuk ka mundur t`i mbijetojë goditjes me thikë. Peci gjeti vdekjen në ranimacionin e spitalit pasi sipas mjekëve thika i kishte prekur zemrën.
Policia ka shkuar menjëherë në vendngjarje dhe ka marë tre dëshmitarët kryesor në pyetje, gruan e viktimës, vëllanë dhe bashkëshorten e vëllait të viktimës./Indeksonline/