ARKATANA

30 prill 1999 ndodhi vrasja e 13 shqiptarëve në Llashticë. Kjo masakër tmerroi botën, por jo edhe hetuesit vendor e ndërkombëtar

/ 8 minuta lexim
Fundamenti

Gjilan – Masakra e Llashticës ka ndodhur më 30 prill 1999. Aty janë pushkatuar, djegur dhe karbonizuar 13 shqiptarë. Si u vranë këta shqiptarë nga serbët dhe kush mbeti gjallë për të rrëfyer. Çka ka deklaruar për rajonipress, Deli Hyseni dëshmitari i mbijetuar e çka thotë Milaim Musliu për këtë masakër. “Nuk kam forcë as guxim që të flas për atë tragjedi. Është një emocion i madh që kur flas mezi përmbahem. E kam parë vdekjen me sy, kam parë se si vdiqët për së gjalli, kam parë sesi njeriu është më i fortë se guri” ka thënë Deli Hyseni tashmë i ndjerë.

Edhe pse patologët kanadezë e kishin vizituar vendin e krimit ku forcat serbe vranë dhe dogjën për së gjalli 13 civil të pafajshëm shqiptarë, ata kurrë nuk e bënë publik atë raport dhe madje nuk është dërguar as në Tribunalin e Hagës.

Në Llashticë forcat serbe kanë vrarë në tri periudha civil të pafajshëm. Ushtria dhe policia në mënyrë të organizuar kanë kryer vrasje më 13, 14, 16, 22 dhe 30 prill 1999.

Megjithatë Llashtica e përkujton datën 30 prill, ku në Llashticë ndodhi masakra dhe vrasja e më pas edhe djegia e 13 civilëve të pafajshëm shqiptarë.

Në këtë masakër (30 prill 1999 ) janë pushkatuar e rrafshuar me buldozer dhe djegur tërësisht : Hysen Deli Hyseni (1933), Ajshe Hysen Hyseni (1937), Fazli Hysen Hyseni (1963), Arife Fazli Hyseni(1963), Driton Fazli Hyseni (1982), Mirije Deli Hyseni(1970), Blerim Ramadan Halili (1983), Rifat Xhemajl Shabani (1919), Selami Rifat Shabani (1954), Zijavere Ejup Shabani (1962), Fisnik Selami Shabani (1996), Sylejman Ymer Ibishi (1932), Xhavit Banush Berisha (1935).

Vendi ku është kryer krimi në Llashticë është vizituar nga mjekët kanadezë menjëherë pas luftës, por raporti i tyre kurrë nuk është bërë publik thotë për rajonipress Ymer Ibishi dëshmitarë.

Ibishi thotë se janë të zhgënjyer në Tribunalin e Hagës, por edhe në institucionet e Kosovës që nuk kanë bërë sa duhet që dëshmitë e Llashticës t`i afrohen gjyqit të Hagës. “Mjekët kanadezë e kishin ekzaminuar në hollësi vendin e ngjarjes dhe ne kemi pritur shumë më shumë nga ajo ekspertizë, por nuk e kemi të qartë pse asnjë dëshmi e atij ekipi nuk u paraqit në Hagë” përkujton Ibishi.

Llashtica kurrë nuk mori përgjigje as nga Haga, as nga Luis Arbur ish kryeprokurore e Hagës, as nga policia e Prokuroria ndërkombëtare e vendore. “Fatkeqësisht asnjë dëshmitarë i Llashticës nuk ishte ftuar të dëshmojë në Hagë, përkundër premtimit nga Luis Arbur ish kryeprokurore e Tribunalit të Hagës. Ndonëse gjithçka rreth masakrës në Llashticë ishte e përpiluar duke filluar nga deklaratat e dëshmitarëve, skicat nga vendi i ngjarjes, fotografimet e vendit të krimit dhe video regjistrimet, megjithatë hetime zyrtare nga asnjë organ hetues nuk është zhvilluar deri më sot” shprehet Ibishi.

E kjo heshtje dhe kjo përbuzje e drejtësisë e ka penguar Ymer Ibishin dhe Nehat Shabanin dëshmitarë. Pos masakrës fshati Llashticë ka përjetuar edhe djegien e shtëpive, ku janë plaçkitur teknika bujqësore, janë zhdukur bagëtitë e fshatit, ishte dëmtuar shkolla fillore “Esat Berisha”, ishte djegur xhamia e fshatit, ambulanca e fshatit, biblioteka e fshatit.

Ibishi i cili e ka të vrarë prindin në kohën e luftës (Sylejman Ibishi) thotë se edhe pse kanë deponuar materiale, prova, fotografi qoftë në UNMIK, tek KFOR-i francez, OSBE-ja dhe tek të gjitha organizatat tjera ndërkombëtare, asnjë veprim nuk është ndërmarrë. “Është turp për EULEX dhe për Prokurorin vendore në Gjilan që asnjëherë nuk e kanë vizituar vendin e ngjarjes. Ne e dimë që Llashtica u la në harresë nga frika e ndonjë lufte ndëretnike. Por ne nuk e kemi ndërmend të hakmerremi sepse këtë kemi mundur ta bëjmë disa herë deri tashti” shprehet i revoltuar Ibishi.

Ibishi thotë se ai dhe dëshmitarët e tjerë të kësaj masakre kërkojnë dënimin e merituar për të gjithë ata kriminel që vranë më të dashurit e tyre.

Ibishi thotë se edhe patologët kanadez që kishin parë kufomat e Llashticës asnjëherë nuk e kanë dorëzuar raportin zyrtar në organet hetuese. “Është vërtet e habitshme sesi EULEX –i po flenë mbi dosjen e kriminelëve të identifikuar të Llashticës, derisa prokurorët shqiptarë vetëm po bëjnë sehir në këtë punë”.
Sipas, Ibishit hetuesit e EULEX-it kanë fakte trishtuese dhe dosje të gatshme për Llashticën.”Përgjegjës për masakrën e Llashticës është ushtria e rregullt serbe e cila ndihmohej edhe nga policia dhe paramilitarët e çmendur”. Ibishi thotë se konvojin e ushtrisë serbe e cila ishte vendosur në Llashticë e përcillte rregullisht automjeti zyrtar i policisë.

Sadik Sopi një ish polic i cili ka punuar deri në ditët e fundit ka deklaruar se me urdhër të komandantit të stacionit policor në Zhegër është marrë dhe djegur komplet dokumentacioni i masakrës së Llashticës.

Ndryshe në tërë fshatin janë djegur 123 shtëpi, 137 objekte ndihmëse, janë plaçkitur 90 traktorë, 120 motokultivator, 3 autokombajna, 3 kombibusa, një kamion dhe 130 vetura. Gjithashtu sipas të dhënave serbët kishin plaçkitur 680 kafshë të trasha.

Mobi Casa

Në masakrën e 30 prillit kanë mbetur gjallë dhe janë plagosur: Deli Hysen Hyseni (1968), Dritë Fazli Hyseni (1984), Blerinë Fazli Hyseni ( 1994), Leonorë Deli Hyseni (1993) , Vlorë Selami Shabani (1986).

Më 13 prill 1999 janë vrarë : Ali Bejtë Selimi (1937), Enver Sylë Murseli (1949), Ymer Kadri Rashiti(1930), Lulzim Feti Musliu(1988).
Derisa më 16 prill 1999 janë vrarë : Rukije Qazim Ramushi (1927), Habibe Idriz Ramushi (1909), Nezir Hasan Ramushi (1929), Xhyzide Shaban Hasani (1918), Lirim Nehat Shabani (1999).

Kurse më 20 prill 1999 është vrarë Azem Limon Cani (1938).

Në këtë pushkatim kanë mbetur gjallë dhe janë plagosur: Deli Hysen Hyseni (1968), Dritë Fazli Hyseni (1984), Blerinë Fazli Hyseni ( 1994), Leonorë Deli Hyseni (1993), Vlorë Selami Shabani (1986).

Për torturat që i janë shkaktuar Azem Canit ka dëshmuar Milaim Musliu(1947) nga Llashtica. Sipas Milaimit, Azem Cani është rrahur e torturuar keq nga 33 ushtar e paramilitar serb.

“Forcat serbe na kanë rrethuar tek vendi i quajtur “Rruga e Hyrës”. Aty na kanë detyruar të flasim serbisht dhe gjatë gjithë kohës na kanë rrahur, duke na thënë ku është UÇK-ja”rrëfen Milaimi.

“Ndërkohë vet paramilitarët serb e kanë sjellur para banorëve Azem Canin ku e kanë rrahur në prezencën tonë. Ne e kemi njohur njëfarë Dragan Dimiqi i cili ishte përgjegjës i këtij grupi. Ky grup i paramilitarëve e ka rrahur për vdekje Azem Canin kurse neve të tjerëve na kanë goditur në të gjitha pjesët e trupit dhe na kanë marrë të gjitha të hollat dhe arin që kishim”.

Realisht të gjithë dëshmitarët më të rëndësishëm të masakrës së Llashticës, pa dëshirën e tyre ndodhen jashtë Kosovës. E dhimbshme është historia e Deli Hysenit dëshmitarit kryesor i cili në mungesë të përkujdesjes nga ana e institucioneve shtetërore detyrohet të shkojë ilegalisht në Francë për tu shëruar nga plagët dhe traumat e luftës dhe më vonë edhe vdes nga plagët e rënda.

Megjithatë, Deli Hyseni ka lënë dëshmi e deklarata të shumta rreth masakrës që u krye më 30 prill 1999.

“Nuk kam forcë as guxim që të flas për atë tragjedi. Është një emocion i madh që kur flas mezi përmbahem. E kam parë vdekjen me sy, kam parë se si vdiqët për së gjalli, kam parë sesi njeriu është më i fortë se guri”.

Dhe këto fjalë e këto rrëfime loti të Deli Hysenit tregojnë për vrasjen e 13 shqiptarëve në shtëpinë e Rifat Shabanit. Deliut i kujtohet ora kur paramilitari rom e qëllon të parin babanë e tij. “Romi e qëlloi në syrin e djathtë babën dhe vazhdon t`i vras të gjithë me radhë i ndihmuar edhe nga një serb”.

Deliun e godet plumbi në fyt dhe i humbet vetëdija. Sërish e përballon këtë skenë dhe arrin të dalë nga tymi e flaka. “E kam parë me sy sesi digjej nënë Ajshe. Ajo dha shpirt në duart e mija. E kam parë me sytë e mi Feriz Shabanin teksa po jepte shpirt për së gjalli. Është karbonizuar në krahët e nënës së tij Zijaverës”.

Deliu thotë se paramilitari që ishte rom pas vrasjes së babait e ka ekzekutuar vëllain Fazliun, kushëririn Rifatin, pastaj Xhavitin. “Unë isha goditur me plumb në qafë dhe jam alivanosur. Pas gjysmë ore kam parë se i kanë ekzekutuar të gjithë me nga një plumb, kurse Ymerit i thanë se ty nuk po të vrasim, ty po të lamë me vuajt për tërë jetën” citon fjalët e paramilitarit Deliu./rajonipress/