RCCOLA

28 Nëntori duhet të zyrtarizohet edhe në Kosovë

/ 7 minuta lexim
Uji Dea

Festa e 28 Nëntorit është ditë e shënuar për mbarë kombin, ditë kur flamuri kuq e zi me shqiponjën dykrenare, zbarkon kudo në fshatra dhe qytete, rrugë dhe sheshe, përmendore dhe objekte shkollash, dyer e dritare dhe ballkone shtëpish për t’u valëvitur krenar, nën erën e ngrohtë të lirisë në pjesët e lira të atdheut, ani pse edhe ky Nëntor i gjen shqiptarët me aspirata të vjetra dhe të kahershme për çlirimin e të gjitha trojeve tona dhe bashkim të përgjithshëm kombëtar.

Ndonëse ajo që i shqetëson më shumë edhe personalitet tona publike është fakti se ende kjo festë nuk është përfshirë si festë kombëtare në Kosovë. Këngëtarja Rovena Stefa edhe nëpërmjet këngës është munduar të shprehë dëshirën për bashkim dhe po e shqetëson fakti se 28 nëntori ende nuk është përfshirë si festë kombëtare në Kosovë.

“Kjo është çështje politike dhe kam përshtypjen se bota ka ndikim për mos përfshirjen e 28 nëntorit si festë kombëtare në Kosovë. Në fakt populli mezi pret që kjo festë të zyrtarizohet, mbase edhe me vite të tëra jemi munduar dhe ende po mundohem për një bashkim, por nuk na lënë të tjerët. Uroj 28 nëntorin të gjithë popullit shqiptarë kudo që janë anembanë botës uroj që të jemi të bashkuar”, ka thënë ajo për “Zëri”.

Rovena këtë festë do ta festoj me artdashësit e saj që ndodhen në Milano të Italisë.

Këngëtari i njohur Sabri Fejzullahu thotë se 28 nëntori festohet bukur shumë në Kosovë. “Edhe pse ende 28 nëntori nuk është përfshirë si festë kombëtare në vend, ne kosovarët këtë festë e festojmë shumë. Me nderimet më të mëdha ndaj 28 nëntorit, shqiptarët e të gjitha trojeve, në këtë datë të lavdishme historike dëshmojnë se në zemrat e tyre sot e përgjithmonë, flamuri ynë kombëtar është i pazëvendësueshëm me asgjë tjetër dhe thellë i ngulitur si simboli shpirtëror i të gjithë shqiptarëve, atdheu i të cilëve 101 vjet më parë nën hijen e këtij flamuri, pati shpallur pavarësinë e të gjitha trojeve të Shqipërisë Etnike. Nga zemra uroj 28 nëntorin të gjithë shqiptarëve kudo që janë”, thotë ai.

Flori Mumajesi festën e 28 nëntorit thotë që në të shumtën e rasteve ta ketë festuar në Kosovë dhe për të nuk ka ndarje mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Unë do festoj në Kosovë”, është shprehur ai.

Edhe modelen e njohur Diellza Kolgecin e brengos fakti se përse 28 nëntori nuk është përfshirë si festë kombëtare në Kosovë. Ajo mendon se vendi ynë duhet të jetë i pavarur nga të tjerët për të vendosur vet. “Çështja e mospërfshirjes si festë kombëtare ende është pikërisht çështje politike që mendoj që në të ardhmen kur të forcohemi si shtet mund ta përmirësojmë. Por deri sa të jemi nën menaxhimin e të tjerëve mendoj që kjo puna festës e edhe shumë gjërave të tjera edhe më madhore do të mbeten kështu siç janë”, shton ajo.

Diellza zakonisht 28 nëntorin e feston me shoqërinë dhe familjen duke vizituar ndonjë vend që organizon ndejë të mirë pikërisht për këtë festë.

Më shumë i kushtohet rëndësi në Kosovë

Mobi Casa

Sipas Sinan Hoxhës 28 nëntori festohet mjaftë shumë në Kosovë, mbase kësaj feste ka raste kur më shumë i kushtohet rëndësi në Kosovë se sa në Shqipëri.

“Festa 28 Nëntorit ka qenë dhe është festë kombëtare si në Shqipëri por shumë ma shumë dhe në Kosovë. Është festuar në Kosovë me shekuj … sa për ligjërim të festës nga institucionet, ligjin e bën populli dhe populli siç thash e feston ndër vite. Unë 28 nëntorin si çdo vit tjetër e festoj diku në diasporë me bashkatdhetarët dhe këtë herë do të jem në Bruksel”, thekson ai.

Festa e 28 nëntorit festohet edhe në diasporë. Menan Kiseri pohon se kjo festë ka nisur të festohet para disa ditësh. “Manifestimi këtu në Finlandë ka nisur prej datës 23 nëntor ku ishim me një koncert në Helsinki me afër 800 shqiptarë. Dhe besoj se Kosova ka nevojë për më shumë guxim që këtë festë ta përfshijë në festa kombëtare”, thotë ai.

Edhe Rozana si shumë kolegë të saj për këtë festë është e angazhuar me këngë. “Unë jam artiste dhe në përgjithësi ne punojmë kur të tjerët festojnë. Por kjo festë është ajo që vërtetë na bashkon të gjithëve pa dallim, është një nga ditët kur mund të them vërtetë me gëzim po shkoj në punë. Nuk kanë shumë rëndësi formalitetet, vendi ku 28 nëntori është më i ndjerë dhe më i festuar është Kosova. 28 nëntori është data kur edhe shqiptarët si pjesa më e madhe e kombeve të qytetëruara të kishin shtetin e vet kombëtar. Shtet kombëtar duke nënkuptuar një shtet të përbërë nga një popull me etni e kulturë të njëjtë. Shtet, nënshtetasit e të cilit ndajnë të njëjtën gjuhë, kulturë e vlera. Kjo është arritja më e madhe që kurorëzoi përpjekjet e shqiptarëve në shekuj për të qenë një komb edhe nga ana formale. Duhet thënë ka shumë kombe që akoma sot nuk e kanë shtetin e tyre”, shprehet ajo.

Modelja Rovena Domi këtë festë e vlerëson mjaftë shumë, mbase 28 nëntori thotë se është njëra nga festat më të mira shqiptare.

“Është një ndër festat me më shumë popullaritet në vend dhe me shumë organizime madhështore apo aktivitete kulturore. Mendoj se duke qenë një festë kombëtare që i përket historisë së një vendi të caktuar nuk mund të përfshihet si festë kombëtare edhe në Kosovë, pavarësisht që shqiptarët e Kosovës e festojnë dhe e vlerësojnë njësoj si ne”, shton ajo.

Edhe këngëtarja Kosovare Hasi i kushton mjaftë shumë rëndësi 28 nëntorit, ajo thotë se këtë festë e bënë më madhështore edhe fakti që përkon me ditëlindjen e legjendarit Adem Jashari.

“Dita e 28 nëntorit është ditë e gëzueshme për shqiptarët, sepse kjo ditë është dita e Pavarësisë së Shqipërisë, kjo ditë e veçantë shumë sepse u ngrit flamuri kuq e zi ku njihet si flamuri më vjetër në Ballkan dhe ndër më të vjetrit në Evropë. Uroj të gjithëve 28 nëntorin”, thotë ajo.

Kjo datë festive është era e ngrohtë e lirisë, është liria vet, është dinjiteti ynë kombëtar që hapi dyert e krijimit të shtetit shqiptar dhe hapi rrugët e shpresave të mëdha për pavarësinë dhe bashkimin e të gjitha trojeve tona. Kurse vepra e luftëtarëve trima të cilët luftuan për çlirimin e kombit, i jep vlerë lirisë sonë dhe nder atdheut të shqiptarëve, për çka ata janë dhe do të mbeten përgjithmonë të nderuar nga ne.