Uji Dea

25 vjet ndërmjet Luftës dhe Lirisë, një kujtim veshur me pikëllim për Shefki Salihun

/ 7 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – ….Disa vite më vonë, Ne, Brezi i 1968-es, që po plakeshim mbase para kohës, ëndërronim Flamurin dhe Republikën e Kosovës. Dhe përpiqeshim pa kursim të hedhnim për së mbari ndonjë guralec, sa mundnim e mbërrinim, për Kështjellën e Ardhmërisë. Njëherë, një ngjarje e gëzim deri në qiell për ne, ishte dita kur u shpërndanë ndihma ardhur përtej Atlantikut – I ka dërguar Kenedi…?! Kenedi i ka dërgue prej Amerikes, thuheshin fjalë pleqërishte si me dro e me gjysmë zëri. Frika ishte ngulitur e mbërthyer në asht e rrashtë.

Me Shefki Salihun (22.2. 1950-3.6.1999) dëshmor i lirisë patëm nisur bashkërisht për një ditë mësimin e Abetares. Ishte viti 1957.

Në Vërbicë të Zhegocit, atëbotë, mësimet mbaheshin në Mejtepin e fshatit, një muranë e rezbitur që mezi mbahej në këmbë. Kishte një hajat me pamje trishtuese ngjitur me varrezat e lagjes. Përpara i rrinin si rojë besnike dy shtylla të drunjta krejt të shkallmuara. Ishte një ngrehinë, si edhe xhamia përballë, që nga kohë e Turqisë bërë nga mjeshtër dibranë. Thoshin që shkolla nuk mundi të bëhej sa zgjati ajo kohë e lumnueme që i thoshin, si betim e përmallim, “Tri Ditë Shqipni”.

ARKATANA

Malësia e Zhegocit rrethuar e ngjitur me katundet në zemër e përreth: Bresalc, Ponesh, Llabjan, Honroc, Sllovi, Akllap, Kishnapolë, Sllakoc e Gadime, e njohur që herët si një trevë epike e fort e izoluar nga bota, madje edhe e harruar nga Zoti. Gjithandej u lindën, u rritën e dhanë jetën shumë dëshmorë e martirë për lirinë e Kosovës. Gjithandej në Malësinë e Zhegocit konakë e strehë, bukë e kripë e besë shqiptare kanë gjetur kurdo e kushdo që ka mësy, mendu e ndihmu Lirinë e mbarësinë e Atdheut.

Kur kujtesa ftillëzohet përtej gjysmë shekulli e më shumë, pasqyra e mendjes pikas e shenjezon pashmangshëm mësimet e para të Abetares. Ato që kishin nisur për një ditë e për një vit ngjitur bashkë.

Gjithçka rrumbullakohet e ndriçohet si përkujtesë me shumë histori e dhembshuri. Një ndejë rasti, ndërkohë vitesh, me të birin e dëshmorit(Shefkiu ka lënë katër pasardhës: Fetahun, Sanijen, Bekimin, Amirin) përfytyrimi të rikthen në ditët e fëmijërisë së dëshmorit dhe Brezit të tij. Më pyeste shpeshherë Shefkiu, në kapërcyell vitesh, për punët e shkollës, të nxënësve; kujtonim 17 Lagjet e Verbicës, të gjithë atë brez me të cilin kishim tretur katër vjetët e shkollës.
Ai kishte provuar e shijuar edhe jetën në kurbet, por ardhmërinë e ëndërronte dhe e donte në vendlindje. Punonte për të mbijetuar me djersën e ballit si gjithë idealistët e pathyeshëm të asaj kohe. Përpiqej të ndihmojë të tjerët por kurrë nuk ankohej për vete dhe rëndesat gjithfarëshe që e kishin mbështjellë e shtrënguar jetën me shumë zezona. Nuk pati mundësi të vazhdojë mësimet më tutje. Ishin kohë të pa kohë. Katër vjet sa ndoqëm mësimet në shkollën e Vërbicës, njëherë, një ngjarje e gëzim deri në qiell për ne, ishte dita kur u shpërndanë ndihma ardhur përtej Atlantikut.

  • I ka dërguar Kenedi…?!
    Kenedi i ka dërgue prej Amerikes, thuheshin fjalë pleqërishte si me dro e me gjysmë zëri.
  • Ishin ushqime, mbyllur me kuti të llamarines ngjyrë të zezë ndërsa me germa vezullore, si të artëzuara spikatej me të mëdha MADE OF AMERIKA. Më vonë, shumë vonë e patëm kuptuar se ishin dërgesa ndihmash që atë kohë vinin me bekimin e Gjon F. Kenedi, atëherë president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
    Një mall e brengë e ruante përmallshëm Shefkiu që nuk mundi të vazhdojë shkollimin. Ashtu si gjithnjë ai brez që si fëmijë, mbaj mend, patëm punuar edhe punë angarie (vullnetar me zor, i thoshin…!), bashkë me prindër, për ndërtimin e rrugës Prishtinë – Gjilan. Ishim brezi i këngëve të mjerimit e vajtimit. Ndoshta gjysma prej nesh nuk kishim as Abetare. Mësonim me ndonjë libër a fletore prej e nga njëri – tjetri. Fletët e Abetarës ujiteshin shpesh me lot dëshpërimi. Veshmbathja jone e tëra ishte e bërë me vek e kerrabza dore. Ka ndodhur jo njëherë që grumbuj nxënësish të hynim në Shtëpinë e Shefkiut kur moti sillte rrebeshe shiu. Një bukë mbrume pjekur në qerep nga dora e Nënës së Shefkiut (Loke Sabilja ) e ndanim pjesë – pjesë dhe shuanim urinë. Shtëpia e Shefkiut ishte strehë e shkollë e dytë për ne që i kishim shtëpitë larg – larg në skaj të katundit.
    Ne, brezi që mbaruam katër klasë në Shkollën-Mejtep, shpesh kujtonim fundvitin shkollor kur prindërit sillnin sado pak ushqime për të shënuar e festuar mbarimin e vitit shkollor. Me këtë frymë bamirësie e njerëzie po rriteshim ndërsa libër e bibliotekë kishim ndonjë këngë me çifteli e sharki. Në Oden e moçme të Familjes së Shefkiut rrinte varur në mur çiftelia. Dëgjoheshin këngë që më shumë ishin vaje burrash dhe bënin historinë. Një kohë Shefkiu punoi në Janjevë, në Uzinën metalike e ndërsa tutje, në Minierën e Kizhnicës, punonin disa minatorë nga Vërbica . Ata ishin luajt e nëntokës, si i quanin atëherë dhe më vonë e deri sot. Ishin njerëzit që e nxirrnin e fitonin bukën e gojës shtatë pashë nën tokë. Njëherë mësuesi na foli për Fan S. Nolin.
  • Ka vdek Noli, njeri shumë i ditur. Në Amerikë ka vdekur , shqiptoi me dhembje mësuesi Rahim Pushkolli. Na ka pas përmend, më kujtohet, edhe Shtjefën Gjeçovin. Për herë të parë po dëgjonim për rilindësin e madh e që e kishim fare afër me gjeografi e fqinjësi. Pleqtë tanë dhe të rrethinës pazarin dhe gjallërinë e lidhnin nyje përherë me Janjevën e Gjeçovit. Në tetëvjeçaren e Bresalcit, ata që patën fatin të vazhdojnë mësimet, gjysma e me tëpër e lëndëve mësoheshin serbisht e rusisht. Abetarja shqipe, që aq shume e donte Shefkiu, kishte përpara një kodër pengesash. Ne nxënësit, fëmijë e axhaminj të ndrojtur të prindërve të rënë për tokë nga idarja e dynjallëku, nuk guxonim të pyesnim mësuesin nëse do të vinin prapë kuti me ndihma nga Amerika. Deri vonë i kemi pas ruajtur ato kuti bashkë me këshillat e porositë e pleqve që aq përmallshëm e kujtonin atë kohë të lumnueshme që i thoshin “Tri Ditë Shipni”. E donin shkollën si sytë e ballit. Në te shihnin shpresën e lirisë dhe ardhmërisë.

  • Më 3 qershor 1999 Shefkiun e vranë policia okupatore serbe mizorisht e me tortura deri në vdekje. I vëllau i tij Salihu i mbijetoi torturave në saje të ndihmës së Zotit dhe mjekes Teuta Hadri.

  • Shefki Fetah Salihu i rritur dhe i burrëruar para kohe me këngët e tregimet e lashta për Mujo e Halilin, Gjergj Elez Alinë, Skënderbeun e Isa Boletinin pati Odën dhe traditën e pastër shqiptare. E vranë me tortura, mizori e barbari armiqtë gjakatarë serbë sepse kishin parë e lexuar shpirtin e madh të burrit të fortë e të pathyeshëm që punoi e luftoi pa ndalur për lirinë dhe ardhmërinë e Kosovës./sabri beqiri/rajonipress/
Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.