23 dështime, pa asnjë pikë turpi ndaj qytetarit!

Nga Arben Kurteshi – Pyes sot: kujt i shërben ky Kuvend? Kujt i shërbejnë kolltuqet e tij, e ligjëratat boshe dhe premtimet e harruara?
Ia besuam votën për të sjellë progres, jo për të na dhënë dështime pafund!
Ia dhamë besimin për ndryshim, jo për zhgënjim.
Shikoni realitetin me sy:
Këndvështrimi i parë – është i pozitës, që e sheh vendin në ngritje të madhe.
I dyti është i opozitës, që sheh vetëm rrënim.
Por i treti ai më i vërteti, është realiteti!
Një realitet i vrazhdë, që nuk e ndreqin dot as statistikat e zbukuruara, as fjalimet e shkruara retorike!
Një realitet ku papunësia nuk është numër, por zemra e fytyra të rinjsh që largohen prej më të dashurve!
Ku pasiguria nuk është përjashtim, por përditshmëri.
Ku bllokadat janë bërë sistem!
Ku rrëshqitja drejt lindjes, një heshtje e frikshme që shtohet çdo ditë.
Dhe po, është rrezik i madh kur dikush kushdo qoftë ai ngrihet në nivelin e profetit, të “zotit”, të të paprekshmit!
Kur ai pretendon të jetë zëri i të gjithëve, kur mohon mendimin ndryshe dhe kërkon bindje të verbër.
Atëherë çdo zë tjetër trajtohet si i parëndësishëm, si i rrezikshëm, si armik!
Kështu fillon rrënimi i një shoqërie.
Jo me britma, por me heshtje.
Ne kemi mundësinë të zgjohemi, të flasim, të veprojmë.
Për qytetarin. Për të vërtetën. Për të ardhmen tonë të ndritur.