Fundamenti

2014, viti i minierave

/ 2 minuta lexim

Pas katër vitesh me performancë të dobët për shkak të mbi-furnizimit dhe kërkesës së dobët, analistët mendojnë se 2014-a do të jetë viti i minierave. “Në të ardhmen rreziqet duket se do të pakësohen dhe ne mendojmë se goditjet e mëdha që kemi marrë gjatë dy apo tre viteve të fundit nuk do të përsëriten më.

Tani mjedisi është më i sigurt dhe më i qëndrueshëm”, deklaroi për CNBC, Marc Elliott, analist i sektorit minerar. Gjatë periudhës së krizës sektori i minierave ka qenë nën presion për shkak të rënies së kërkesës nga Kina dhe prodhimit të tepërt. Këta dy faktorë janë kombinuar për të “peshuar” në fitimet e kompanive minerare.

Viti 2013 ishte i katërti me radhë ku kompanitë e këtij sektori performuan dobët, duke ju referuar të dhënave të bursës së Johannesburgut ku janë të listuara shumë kompani minerare.

UBT

Ndërsa sipas një analize tjetër, firmat minerare performuan dobët gjatë 2013, pavarësisht çmimeve relativisht të favorshme të lëndëve të para dhe monedhave të vendeve prodhuese. Për shkak të këtyre zhvillimeve, analistët mendojnë se viti 2014 do të jetë shumë i favorshëm në blerjen e aksioneve të këtyre kompanive. Disa projekte gjigante anembanë globit dhe rritja e kosotos së ndërtimit kanë shtuar “urinë” e tregut për më tepër mallra.

Gjithashtu çmimet e lëndëve të para do të gjejnë një mbështetje edhe tek përmirësimi i rritjen ekonomike gjatë këtij viti. Përveç kësaj, kursi i dobët i këmbimit në raport me dollarin amerikan në vendet prodhuese të lëndëve të para si Brazili dhe Afrika e Jugut do të rrisin vlerën e aksioneve dhe të dividentëve. Më në fund, shpenzimet kapitale gjatë pesë viteve të fundit do të rezultojnë me një rritje të vëllimit të të ardhurave për sektorin minerar. /Telegrafi/