18 mijë mësimdhënës janë licencuar

Faza e parë e procesit të licencimit të mësimdhënësve, e cila ka filluar para disa javëve nëpër shkolla të Kosovës, pritet të përfundojë në fund të këtij muaji. Arbër Morina, zëdhënës i Ministrisë së Arsimit, bën të ditur se në Kosovë janë gjithsej 23.400 mësimdhënës. “Mbi 18,000 mësimdhënës tashmë janë licencuar deri më tani. Kurse procesi i licencimit përfundon në fund të qershorit”, ka thënë ai.
Dukagjin Pupovci, njohësi i çështjeve të arsimit, thotë se licencimi e motivon mësimdhënësin të jetë gjithnjë në nivel të detyrës dhe të kujdeset për zhvillimin e vet profesional. “Si në çdo vend tjetër, ashtu edhe në Kosovë, jo të gjithë mësimdhënësit janë të njëjtë, pra ka mësimdhënës që meritojnë licenca më bazike dhe mësimdhënës që meritojnë licenca më të avancuara. Po ashtu, ka mësimdhënës që nuk meritojnë fare licenca”, ka thënë ai.
Sidoqoftë, Pupovci thotë se procesi i licencimit ndodhet në fazën fillestare dhe, tani për tani, kufizohet në pajisjen e mësimdhënësve me licenca bazike, me ç’ rast merret parasysh vetëm kualifikimi shkollor i tyre. “Mendoj se efektet e këtij procesi do të mund të vërehen atëherë kur mësimdhënësit të vlerësohen për licenca më të avancuara, pra të merret parasysh edhe puna që bëjnë në klasë”, ka shtuar ai mes tjerash.(Tribuna)