Eko Higjiena

163 milionë euro deficit për lukse qeveritare

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Buxheti i vitit të ardhshëm do të ketë deficit prej 163 milionë eurosh. Shumica e deputetëve të Kosovës, dy ditë më parë kanë miratuar një buxhet i cili i ka më të mëdha shpenzimet sesa planifikimet për të hyra buxhetore.

Ndërkohë që qeveria ka planifikuar buxhet i cili kryekëput është shpenzues me fokus në lukse qeveritare dhe ndërtim të autostradave, kurse deficiti të mbulohet me bilanc bankar, të cilin nuk e bëjnë publik sa është. Nga linjat buxhetore shihet qartë se ky buxhet i taksapaguesve të Kosovës, nuk e ka koncentrim zhvillimin ekonomik, ndërkaq sektorët siç janë ai i shëndetësisë, bujqësisë dhe arsimit janë në gjendje të mjerueshme.

Buxheti është planifikuar të ketë të hyra prej 1.423 miliard euro, kurse shpenzimet e planifikuar janë 1.586 milionë euro. Ndërkohë që në shpenzimet kapitale, ku planifikohen rrugë të rreja, për vitin e ardhshëm ka koncentrim më të madh në rajonin e Dukagjinit.

Bilanci bankar, mbulesë e deficitit

Zyrtari i lartë i Ministrisë së Financave, Menderes Ibra, ka thënë se deficiti i projektuar nuk shkakton ndonjë problem dhe mund të mbulohet nga bilanci bankar.

“Edhe në vitin 2012, kemi pasur deficit i cili është mbuluar njëjtë, kështu që edhe për vitin e ardhshëm gjendja e bilancit bankar e mbulon”, ka thënë Ibra, për të shtuar se nuk mund ta thotë shumën e këtij bilanci dhe se nuk mund të dihet saktë deri në përfundimin e vitit. Sa i përket ndikimit të shitjes së Postës dhe Telekomit të Kosovës(PTK), në mbulimin e deficitit, ai ka thënë se e përmirëson bilancin bankar, por nuk ndikon shumë në parametrat tjerë.

Fundamenti

Nga linjat buxhetore për vitin e ardhshëm, 621 milionë euro janë planifikuar për investime kapitale nga kjo shumë 40 për qind është planifikuar për autostradën Morinë-Merdar, kurse mbi 29 milionë për autostradën Prishtinë- Hani i Elezit. Kurse për paga do të shpenzohen 435 milionë euro dhe marra dhe shërbime 225 milionë euro. Të hyrat kryesore janë të mbështetura nga të hyrat doganore, që kapin shumën prej 915 milionë euro, dhe të hyrat vendore prej 301 milionë euro. E gjithë pritshmëria buxhetore është e bazuar në vjeljet doganore.

Kur merren parasysh sektorët në gjendje të mjerueshme janë lënë anash edhe për vitin që vjen, në Qendrën Klinike Universitare, pos një projekti të madh prej 800 mijë euro në ndërtimin e ambulancës për dializë, të tjerat janë buxhete qesharake, 500 mijë janë planifikuar për inventar medicinal dhe administratë dhe 100 mijë për mirëmbajtjen e pajisjeve jomjekësore. Derisa 1 milion euro i janë ndarë ndërtimit të shtratit të lumit Klinë të Skënderajt.

Rrugët për Dukagjinin

Buxheti për ndërtimin e rrugëve të reja për vitin e ardhshëm i ka dhënë fokus atyre të rajonit të Dukagjinit. Sipas planifikimeve për këtë sektor, janë gati 3 milionë euro do të investohen në rrugët e Pejës, Deçanit, Gjakovës…Në projektet kapitale janë planifikuar 600 mijë euro për rrugën në hyrjen e qytetit të Pejës nga Prishtina, 430 mijë euro për rrugën Pejë- Trestenik, 200 mijë euro Llukë e Epërme-Deçan, 200 mijë euro rruga Kodrali-Deçan, 300 mijë euro për rrugën Junik-Gjeravicë, 250 mijë euro rreth qendra në Gjakovë, 100 mijë euro rruga në lagjen “Agim Ramadani” në Junik etj.

Me votat e partive në koalicion dhe të deputetëve të AAK-së, të enjten përkundër kundërshtimeve të ashpra të LDK-së dhe VV-së ka kaluar buxheti në leximin e parë për vitin 2013. Ndërkohë që Ministri i Financave, Bedri Hamza kishte thënë në vitin 2013, norma e rritjes ekonomike do të jetë ndër më të lartat në rajon, 4.5 për qind, si reflektim i projeksionit për rritje të konsumit, investimeve dhe eksporteve.(zeri)