15 nxënës të Gjilanit do të aftësohen profesionalisht në Turqi

Gjilan – 15 nxënës të drejtimeve profesionale të shkollës së mesme teknike “Mehmet Isai”, të cilët tashmë kanë përfunduar shkollimin e mesëm do të vazhdojnë për ngritje profesionale në shkollën “Budgen” në Komunën e Osman Gazit në Turqi.
Kështu ka njoftuar drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Nazmi Musa, i cili ka thënë se kjo është produkt nga vizita që është realizuar në këtë Komunë javë më parë.
Konfirmimin e këtij lajmi Musa tha ta ketë marrë nga takimi që kishte gjatë kësaj jave me kryetarin e Shoqatës Kulturore “Kosova – Shkupi”, Rexhep Gyndyz, i cili shoqërohej edhe nga gazetarë të gazetës “Bursa Haber”.
“Do të dërgohen 15 nxënës të shkollës së mesme teknike të Gjilanit, për ngritje profesionale në shkollën “Budgen”, të drejtuar nga Fahredin Beu, të Komunës Osman Gazi. Drejtoria e Arsimit nga kjo Komunë, ka marrë përsipër shpenzimet e këtyre nxënësve për dy muaj sa do të qëndrojnë atje. Ndërsa, më pas ata do të kthehen të përgatitur praktikisht në aspektin profesional dhe do të jenë kuadro që shërbejnë në biznes dhe zhvillim ekonomik”, ka thënë drejtori, Nazmi Musa.
Ai ka paralajmëruar se shkollat e Gjilanit, do të marrin edhe një mbështetje të fuqishme në teknologji, pikërisht nga kjo Komunë e që janë pajisje jashtëzakonisht të nevojshme në procesin mësimor. /rajonipress/