UBT

1375 persona të dyshuar për korrupsion

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Janë gjithsej 1 mijë e 375 persona që gjenden në llupën e Prokurorisë nën dyshimin se janë të përfshirë në raste që kanë të bëjnë me korrupsion. Ky numër i të dyshuarve është i përfshirë në gjithsej 477 lëndë që prokurorive të niveleve të ndryshme në Kosovë që janë duke u hetuar aktualisht.

Por, ky numër mund të jetë edhe më i madh, ngase shifra prej 1375 personave e cila bëhet me dije nga zyra e prokurorit të shtetit është vetëm deri më 30 shtator të këtij viti dhe jo edhe për dy muajt që lamë pas.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Shtetit, Liridona Kozmaqi bën me dije se Prokuroria, përkatësisht prokurorët që merren me rastet e korrupsionit raportojnë në baza tremujore dhe si të tilla aktualisht raportet i kanë vetëm deri në fundin e muajit shtator.

Duke u bazuar në raportin e fundit tremujor Kozmaqi thotë se janë nën hetime gjithsej 1375 persona, 1042 nga të cilët dyshohen për kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Pos për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, 94 dyshohen për arkëtim dhe pagesa të kundërligjshme, 50 akuzohen për përvetësim në detyrë, 67 persona të tjerë dyshohen për veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar, 28 të tillë për marrje të ryshfetit derisa për dhënie të ryshfetit dyshohen 23 persona.

“Janë prokurorët e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të cilët kanë në duar 219 raste”, ka thënë Kozmaqi. Sipas raporteve të prezantuara nga ajo, 69 janë në duar të prokurorëve të Prizrenit, 54 raste janë në duar të prokurorëve të regjionit të Mitrovicës, 33 në duar të prokurorëve të prokurorisë speciale, nga 30 në prokurorinë në Ferizaj dhe Pejë, 25 në Gjakovë dhe 17 raste të tjera në Prokurorinë themelore në Gjilan.

Uji Dea

Përpos rasteve të cilat janë ende nën hetime nga ana e prokurorëve anekënd Kosovës, megjithatë ka edhe raste që janë përfunduar.

Zëdhënësja Kozmaqi bën me dije se deri në fundin e muajit shtator, prokurorët kanë përfunduar gjithsej 64 raste që ndërlidhen me raste të korrupsionit.

Nga Prokuroria Themelore në Gjilan, sipas saj janë zgjidhur 21 raste, nga prokuroria në Prizren 2 raste, 11 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, 10 në Pejë, vetëm 5 prej tyre nga Prokuroria Speciale e Kosovës, ndërkaq, 4 në Gjykatën Themelore në Gjakove dhe 1 në Gjykatën Themelore në Mitrovicë.

Shumë nga informatat mbi të cilat prokuroria nis hetimet, vijnë nga policia apo iniciuesit e ndryshëm. Por në këtë mes, një rol të rëndësishëm luan edhe Agjencia Kosovare kundër Korrupsionit, agjenci e cila nga viti në vit ka dorëzuar me dhjetëra lëndë në prokurori të niveleve të ndryshme.

Të pyetur rreth rasteve të evidentuara nga kjo agjenci në vitin e fundit, drejtori Hasan Preteni nuk preferon të flasë në detaje por vetëm thotë se e kanë kryer punën konform mandatit që e kanë.

“Ne tani nuk mund te publikojmë numra specifikë, kjo bëhet në raportin e punës por jo para muajit mars. Një gjë është e sigurt se ka më shumë raste nga gjithë spektri i misionit te Agjencisë”, ka thënë ai teksa ka shtuar se fusha e prokurimit është fusha më e ndjeshme sa i përket rasteve të korrupsionit./zeri/