RCCOLA

13 vjet jetë

/ 6 minuta lexim

Policia e Kosovës të enjten mbushi 13 vite prejse ekziston. Në një ceremoni solemne të organizuar për këtë përvjetor u përkujtuan 14 policët që ranë në detyrë. Përkujtime të tilla pati edhe familja Rrustolli nga Vushtrria. Kjo ditë atyre ua ktheu mërzinë që kishin para 8 vitesh.

Të veshur me uniformën blu e me një kapelë në kokë. Mund të hasësh në ta gati nëpër çdo rrugë. U bënë 13 vjet që ata po punojnë për shtetin. Kujdesen për rendin, qetësinë dhe sigurinë e çdo qytetari. Kjo detyrë vazhdon t’i përcjellë edhe sot, pas plot 13 vite të themelimit. Madje, disa nga ata edhe humbën jetën për këtë vend. Ky është misioni i një pjesëtari të Policisë së Kosovës. E themeluar menjëherë pas luftës në vitin 1999, Policia e Kosovës të enjten mbushi 13 vite prejse ekziston.

Por, ndryshe nga ata që sot janë gjallë dhe e festojnë këtë përvjetor, është dikush tjetër që po të pyetej, këtë ditë do ta zhdukte njëherë e përgjithmonë. E tillë është edhe familja Rrustolli nga Vushtrria.

Ka 8 vite që kësaj familjeje kremtimi i përvjetorit të themelimit të Policisë së Kosovës nuk i sjell asgjë tjetër pos mërzisë. Ata e humbën Arsimin, djalin e tyre, derisa po e kryente me zell e përkushtim punën e policit. Prej asaj dite, në dhomën e Arsimit ka zënë vend një fotografi e madhe e tij nën uniformën e policisë, me të cilën edhe vdiq. E që nga ajo kohë familjarët nuk dinë asgjë për detajet dhe mënyrën e vrasjes së tij. Përveç kësaj, asnjëri nga familja e ngushtë e Arsimit , edhe pasi kanë kaluar plot 8 vite nga vrasja e tij, nuk kanë marrë ndonjë informatë nëse është gjetur dorasi.

Ismet Rrustolli, vëllai i Arsimit, thotë se atij nuk i bën fare përshtypje përvjetori i policisë. Kjo pasi, sipas tij, është pikërisht policia ajo që ka harruar krejt të merret me zbardhjen e rastit dhe kapjen e atyre që ia vranë vëllanë. Por, thotë se ndryshe nga të tjerët janë familjarët janë ata që nuk do ta harrojnë kurrë djalin e tyre. “Shumë shpesh, gati çdo muaj shkojmë tek varri i Arsimit , që ndodhet shumë pranë shtëpisë sonë, me babën për të qenë sa më afër tij”, ka thënë Ismet Rrustolli kohë më parë për Express. “Po më dhimbet baba, ka arrit në një moshë e nuk e ka gjatë. Ka me vdek pa e ditë se qysh është vra djali i tij”, pohon Ismeti i cili thotë se pos kësaj, nuk brengoset për asgjë tjetër.

Atij nuk i bëhet vonë për askënd dhe asgjë. As për mosinteresim të shtetit për zbardhjen e rastit të vrasjes së vëllait të tij, Arsimit . Prej vitit 2004, kur u vra Arsimi e deri tash pas 8 vitesh, Ismeti thotë se kanë ndryshuar shumë gjëra, por për atë dhe familjen e tij nuk ka ndryshuar asgjë.

“Vëllai im shkoi, askujt nuk i intereson për neve si familje e një personi që ka punuar e ka vdek për shtet. Pos kolegëve të tij që vijnë ndonjëherë për vizitë, askujt tjetër nuk i bie ndërmend ”, flet i shqetësuar Ismeti. Madje, sipas tij, edhe ceremoninë e përvjetorit e organizon familja bashkë me stacionin e policisë në Podujevë, aty ku ka punuar dhe ka rënë në detyrë Arsimi.

“Nuk po kërkoj të holla, po kërkoj respekt për mënyrën se si më ka vdek vëllai. Prandaj nuk dua të di për përvjetorin e themelimit të policisë ”, pati thënë i mllefosur Ismeti.

E ndryshe nga familja Rrustolli, të cilës 6 shtatori i sjell mërzi, është dikush tjetër që këtë ditë e festoi me plot gëzim. Ishin pjesëtar të Policisë së Kosovës dhe krerët e institucioneve ata që 13 vjetorin e shënuan me një ceremoni solemne.

Me himnin shtetëror, Policia e Kosovës hapi manifestimin solemn me rastin e shënimit të 13 vjetorit të themelimit. Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se shtatori jo vetëm që shënon themelimin e institucionit më të besueshëm në vend, Policisë së Kosovës, por brenda pak ditësh do të shënojë edhe fazën e përmbylljes së pavarësisë së mbikëqyrur. Presidentja e vendit, Atifete Jahjaga, duke folur me entuziazëm për stafin që dikur i takonte, tha se përvjetorët e Policisë së Kosovës i japin nder dhe krenari.

E drejtori i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni vlerësoi se sot është një moment i rëndësishëm për Policinë e Kosovë dhe shtetin e Kosovë, ngase Kosova po shënon 13 vjetorin e themelimit të institucionit më të besueshëm në vend. Ai tha se gjatë këtyre viteve, pjesëtarët e Policisë së Kosovës kanë dhënë angazhimin maksimal duke vënë jetën e tyre në rrezik dhe duke qëndruar në detyrë me besnikëri për të vënë rend dhe zbatimin e ligjit në Kosovë.

Në 13 vjetorin e themelimit u përkujtuan 14 oficerë që dhanë jetën në mbrojtje të qytetarëve. Në të njëjtën ditë, në ambientet e administratës së Policisë së Kosovës u bë zbulimi i lapidarit të policit të ndjerë Enver Zymberi, i cila dha jetën në korrik të vitit të kaluar gjatë një operacioni që kishte ndërmarr Policia e Kosovës për zbatimin e ligjit në veri të vendit. Policia e Kosovës është themeluar më 7 shtator 1999 me gjithsej 176 oficerë. Sot ajo numëron 7 mijë e 300 oficerë.

Policët e rënë në detyrë:

Lazim Rexhepi 26/04/1964- 11/09/2001 NOVOSELLË (KAMENICË)

KKGJILAN

Hajdar Ahmeti 14/09/1976- 06/09/2003 GJAKOVË

Danush Hasani 22/06/1967- 21/08/2003 BROD (FERIZAJ)

Sebahate Tolaj 03/01/1968- 24/11/2003 POBERGJË (DEÇAN)

Isuf Haklaj 29/01/1955- 24/11/2003 ISNIQ (DEÇAN)

Arsim Rrustolli 04/02/1975- 23/03/2004 DUMNICË E LLUGËS (VUSHTRRI)

Ilir Llapatinca 10/09/1971- 13/05/2004 TERNJE (SUHAREKË)

Driton Mehana 3/12/1959- 25/12/2004 LIQEJ (VUSHTRRI)

Abedin Mustafa 26/12/1969- 19/09/2006 MITROVICË

Avni Kasumi 06/05/1966- 03/01/2007 SKOQNE (VUSHTRRI)

Triumf Riza 05/07/1979- 30/08/2007 PRISHTINË

Misin Krasniqi 27/06/1971- 26/07/2011 NEGROC (DRENAS)

Slavisa Milovanovic 19/11/1982- 15/07/2011 MITROVICË

Enver Zymberi 03/04/1979- 26/07/2011 DUBOVC (VUSHTRRI).(express)